Rexhinaldo: Do ta falja golin, vetëm për triumfin ndaj Korabit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 28, 2016 | 23:36

Rexhinaldo: Do ta falja golin, vetëm për triumfin ndaj Korabit

Luftëtari nuk ka kohë për të humbur. Edhe pse zhgënjimi pas barazimit me Korabin është i madh, bluzinjtë kanë nisur të mendojnë për Skënderbeun. Rexhinaldo Artur Faife, autori i tre golave të realizuar me bluzinjtë, për “Panorama “Sport” komenton barazimin.

Rexhinaldo gol Korabit

“Ka pak rëndësi nëse shënoj unë, apo dikush tjetër. E rëndësishme do të ishte fitorja e shumëpritur e Luftëtarit nga sportdashësit tanë. Besoj se kemi humbur dy pikë të rëndësishme përballë Korabit, por gjithçka i takon së shkuarës. Mund dhe duhet të kisha bërë më shumë në fushën e lojës, por emocionet e lojës më rrëmbyen për të mos u shfaqur ‘altruist’ me shokët. Gjithsesi, mendoj se kemi shumë punë për të bërë, duke filluar nga takimi me Skënderbeun. Të hedhim pas ‘krahëve’ të shkuarën dhe të përqendrohemi për ndeshjen e radhës”, përfundoi Rexhinaldo.

Luftëtari në përballjen e mesjavës do të vuajë mungesën e mesfushorëve Albano Aleksi dhe Eduart Rroca të dëmtuar. Gjithsesi, stafit teknik nuk i mungojnë alternativat për të bërë zgjedhjet e duhura. Të lehtë ndaj korçarëve nuk do ta kenë, megjithatë bluzinjtë do të bëjnë çmos që t’i surprizojnë 6 herë kampionët radhazi të Superiores. Domosdoshmëria për të siguruar fitoren e parë në shtëpi është e madhe, megjithatë kur dihet që do të ndeshjen me Skënderbeun, edhe një pikë mund të llogaritet e pranueshme.

Tifozët

Pakkush e priste se Luftëtari do të bënte hapin e gabuar në shtëpi përballë Korabit. Ky është mendimi i tifozëve gjirokastritë shprehur për “Panorama Sport”, një ditë pas përballjes, ndërsa thanë: “Me Korabin kemi humbur jo dy pikë, por më shumë. Kampionati është i gjatë dhe asgjë nuk është e sigurt, kur shikon këtë klasifikim kaq të ngjeshur”. Tifozët presin reagim, pasi, kur kanë mbetur edhe 24 javë për t’u luajtur, mbijetesa do të bëhet edhe më e vështirë.

Tomor Shehu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"