Revolucioni/ Si Skënderbeu ndryshoi taktikë, Daja: S’u imponohemi dot pretendentëve, tifozët të mësohen me …

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 26, 2019 | 15:41

Revolucioni/ Si Skënderbeu ndryshoi taktikë, Daja: S’u imponohemi dot pretendentëve, tifozët të mësohen me …

Skënderbeu ka ndryshuar fytyrë në ndeshjen e fundit përballë Tiranës, duke marrë fitoren e dytë radhazi në kampionat. Nëse tifozët janë mësuar të shohin në këto nëntë vite një Skënderbe që imponon lojën te kundërshtari, tashmë taktika ka ndryshuar. Në ndeshjen ndaj Tiranës u pa një skuadër që nuk kërkonte kurrsesi të merrte mesin e fushës dhe të mbante kundërshtarin lart. Një revolucion total që kishte në bazë një presing defensiv dhe jo në fazën e humbjes së topit.

Skenderbeu festa

“Receta” e Dajës rezultoi efikase për nga mënyra se si duhet të mbyllnin takimin. Një gjë të tillë trajneri i Skënderbeut e kishte provuar në shumë raste, duke e bërë fakt edhe gjatë analizës së zhvilluar me ekipin para ndeshjes me Tiranën. Daja u kërkoi të tijve pikërisht këtë gjë, një skuadër pragmatiste që do të finalizonte dhe të konkretizonte në maksimum të gjitha rastet që do t’i dilnin para portës.

Nga ana tjetër, do të ishte një ekip që presingun do ta zhvillonte në një të tretat e fushës së vet, për të krijuar ngjeshje midis reparteve dhe mbi të gjitha stabilitet në prapavijë. Një gjë e tillë u duk mjaft efikase, së pari për shkak të pikëve të marra dhe së dyti për vetë faktin se bardhekuqtë nuk rrezikuan asnjëherë që të goditeshin seriozisht nga Tirana. Ndryshimi është rrënjësor për sa i përket mënyrës së lojës dhe kjo nuk është aspak e thjeshtë për ata që janë mësuar me Skënderbeun që kontrollonte gjithçka.

Vetë trajneri Ilir Daja, në lidhje më këtë ndryshim, ka thënë: “Duhet të kuptojmë se nuk është më një Skënderbe që mund t’i imponojë lojë kundërshtarit dhe të mbajë lart një ekip tjetër pretendent. Duhet të mësohemi edhe me një ekip që mbrohet mirë dhe godet ashtu si duhet në kundërsulm”. Pikërisht një gjë të tillë trajneri i Skënderbeut e vuri në zbatim në ndeshjen e fundit ndaj Tiranës dhe kjo rezultoi e suksesshme. Apeli i Dajës për të gjithë tifozët është që të mos presin një Skënderbe spektakolar si ai i viteve të fundit, por të kënaqen me një ekip, që edhe pse nuk bën lojë të bukur, merr maksimumin e mundshëm brenda 90 minutave.

LL.SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"