EKSKLUZIVE/ “Revolucioni” në Kategorinë e Parë, klubet votojnë për kampionat me një grup. Ja përgjigjet e drejtuesve (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 23, 2020 | 23:00

EKSKLUZIVE/ “Revolucioni” në Kategorinë e Parë, klubet votojnë për kampionat me një grup. Ja përgjigjet e drejtuesve (E PLOTË)

Struktura e kampionatit të ri është çështja e ditës në Kategorinë e Parë, ku FSHF-ja po mendon edhe variantin me një grup me 16 skuadra, pas përjashtimit të Elbasanit dhe Erzenit, që nuk janë licencuar, por që kanë apeluar.

Kategoria-e-Pare-logo-stadium-2018

“Panorama Sport” sjell qëndrimet e të gjitha klubeve të së Parës në lidhje me formulën më të mirë dhe më efikase të kampionatit, sipas këndvështrimit të tyre. Duhet thënë se dominon dëshira për një garë me një grup të vetëm.

Deshirat

Për kë variant janë pro 10 klube, 4 janë klubet që duan skemën e mëparshme, 3 klubet që pranojnë të dyja variantet e mundshme dhe Flamurtari që nuk ka një qëndrim të qartë për këtë çështje, por kërkon që ndryshimi të fillojë nga Superiorja. Ja dhe qëndrimi i 16 klubeve të Kategorisë së Parë me anë të drejtuesve të tyre:
Sinan-Idrizi

SINAN IDRIZI (administratori i Flamurtarit): “Pse pyesni për Kategorinë e Parë? Pse nuk thoni për Superioren që është 10 ekipe? Favorizohen 3-4 ekipe, ato që janë të kryeqytet, dhe kaq. Nuk ndryshojnë ‘10 urdhëresat e Zotit’ në Bibël të dhëna nga Moisiu. Të financohet sporti dhe Superiorja me 10 ekipe, kjo është mënyra më ordinere. Me dy ekipe ndahet çdo gjë, bëjeni me një ekip kampionatin dhe jemi në rregull, por nuk është logjike. Themi nga një anë ligj për sportin, nga ana tjetër kemi ngushtim të Superiores me 10 ekipe. Ja e bëmë Kategorinë e Parë me 9 apo me 14, çfarë zgjidhëm? Ndani Superioren, pastaj të Parën”.
gjyla

ILIR GJYLA (trajneri i Lushnjës): “Jam i mendimit për një grup. Më pëlqen vendimi i fundit i FSHF-së për një grup. Më pëlqen, sepse dalin në pah forcat e skuadrës, të gjitha skuadrat ndeshen me njëratjetrën. Dhe normal që skuadrat që dalin të parat janë më të mirat, sepse janë provuar ndaj çdo kundërshtari”.
Bizhdili-2

NEXHAT BIZHDILI (presidenti i Besës): “Për ne pak ka rëndësi se si do të luhet kampionati, me një apo dy grupe. Ne jemi të qartë dhe të vendosur për rikthimin në Superiore dhe kjo është e rëndësishme”.
tomori miqesore

ISMET AJAZI (administrator i Tomorit): “Po e ndjekim me interes situatën dhe mbështesim çdo nismë në dobi të zhvillimit të futbollit. Si Tomor, jemi pro strukturës me dy grupe jo vetëm në aspektin sportiv, por edhe atë ekonomik. Dy grupe me 9 skuadra vlen për një rivalitet të ndershëm sportiv në një zonë të caktuar. Ndarja në dy grupe ndihmon ekonomikisht, pasi s’kemi pse të shpenzojmë duke udhëtuar larg si në Koplik, Burrel apo Peshkopi”.
POGRADECI66

KOPI GUSHO (drejtori ekzekutiv i Pogradecit): “Për ne nuk do kishte rëndësi të veçantë, por duke e parë në një këndvështrim më të thellë, do jepnim votën për një grup. Argumentimi im lidhet me disa faktorë, ku cilësia së pari do ishte më e madhe, pasi ka më shumë konkurrencë dhe luftë për Superioren. Infrastruktura po ashtu është një faktor. Nuk duam të kemi një ndarje si deri sot. Besoj se shumica e ekipeve janë për këtë formulë”.
Ermal Barushi

ERMAL BARUSHI (administrator i Dinamos): “Duke e njohur garën mjaftueshëm, sistemi vajtjeardhje do ishte më i përshtatshëm, pra një grup me 16/18 skuadra. Kështu kemi edhe një shtrirje të aktivitetit në tërësi nga Veriu në Jug, ku dhe skuadra me traditë do kishin mundësi të ktheheshin pas në kohë. Në aspektin ekonomik lëvizjet janë më të gjata dhe shpenzimet më të mëdha. Nëse shihet i arsyeshëm ndryshimi, duhet një formulë për ngjitjen në Superiore të më shumë se 4 skuadrave, e njëjta gjë edhe për zbritjen një kategori më poshtë. Në këtë mënyrë, skuadrat që mund të pozicionohen në mesin e tabelës dhe dalin nga objektivi, të mos bëjnë dhurata në fund”.

 

gjoka

GENTIAN GJOKA (president i Turbinës): “Ne si klub duam që të bëhet me një grup Kategoria e Parë, sepse e bën më të fortë garën dhe më cilësore e më serioze. Dy faza janë më se të mjaftueshme. Ku ka më mirë se me dy takime, me tri faza është shumë e lodhshme. Shpresojmë të bashkohen grupet, sepse gara bëhet edhe më interesante. Ne synojmë Superioren”.

mziu

FEHMI MZIU (drejtor sportiv i Korabit): “Ne duam që kampionati të luhet sipas formulës që ka qenë, pra me dy grupe dhe me tri faza”.

artur dadaj

ARTUR DADAJ (drejtori sportiv i Luftëtarit): “Kampionati duhet të luhet me grupe, pasi me një grup ka shpenzime financiare më shumë, ngaqë do të ketë udhëtime të largëta. Do të flemë në hotele dhe ‘COVID’-i kërkon masa të rrepta, që kanë kosto financiare”.

gjok noka

GJOK NOKA (president i Besëlidhjes): “Jam dakord për një kampionat me një grup me 16 skuadra, edhe pse në kushtet tona rrit koston financiare të klubeve”.

Egnatia

KLEVIS MURATI (drejtori sportiv i Egnatias): “Ne jemi parimisht pro të dyja opsioneve që përfliten nga federata. Kryesorja nuk është formula, por garancia e garës deri në javën e fundit të saj. Urojmë të gjendet zgjidhja më e mirë”.

bajram-ballabani

BAJRAM BALLABANI (administratori i Burrelit): “Dëshira jonë si klub është që kampionati i ardhshëm të jetë me një grup të vetëm”.

Elbasani goli logo

SABRI DALIPI (shef i klubit të Elbasanit): “Formula aktuale në kushtet ku jemi mendoj se është më e mira, ndaj nuk do preferonim një kampionat me vetëm një grup. E kemi parë që me dy grupe ka më shumë rivalitet dhe deri në javën e fundit pjesa më e madhe e ekipeve kanë pasur objektiva. Nuk duhet harruar as ana financiare për disa klube, ku nëse do luhej me një grup, do t’u duhej të udhëtonin nga njëri skaj në tjetrin. Besoj se kjo aktualja është e duhura”.

vllaznia veleciku

NURI REXHA (drejtor sportiv i Veleçikut): “Klubi ynë është për variantin me një grup për kampionatin e ardhshëm, sepse është në të mirë të futbollit”.

genc tomori

GENC TOMORI (drejtor i Partizanit B): “Jemi përgatitur për të dyja variantet, sepse në fillim na thanë se do të jetë një grup me 18 skuadra, pastaj u bënë dy grupe nga 9 skuadra. Jemi mësuar në të gjitha kategoritë që të kemi pak skuadra në grup dhe ndoshta zgjerimi do të jetë një risi. Për ne nuk është problem, por kjo me një grup është më atraktive, luan në gjithë Shqipërinë dhe të jep mundësi më shumë”.

Oriku-Flamurtari (1)

GËZIM ÇAPO (administrator i Orikut): “Gara bëhet më e bukur në një grup, pasi me 9 skuadra nuk merret edhe vesh. Me një grup edhe javët janë më të plota. Me 9 ekipe është edhe problemi se një duhet të rrijë pushim. Me një grup është më e mirë, jemi gati të fillojmë, por edhe futbolli duhet të futet në zgjidhje dhe në mbarëvajtje të gjërave. Nuk duhet hedhur në erë ajo që është bërë deri tani. Normal që do ketë ndryshime, por edhe kalimi duhet të bëhet me më pak dhimbje”.

Vora

EMILJANO GEGA (administrator i Vorës): “Varianti më i mirë i mundshëm është të bëhet një kampionat me një grup. Kështu, gara është më e fortë, më e bukur dhe shmangen edhe ‘dallaveret’ në fund”.

Erzeni

LUIS ÇULLHAJ (drejtues i klubit të Erzenit): “Jemi të mendimit se, nëse do të jenë 16 skuadra, kampionati të bëhet me një grup të vetëm. Nëse do të jenë 18 skuadra, atëherë të vazhdohet me dy grupe”.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"