Revolucioni i radhës, Kukësi duhet ribërë/ Ja situata te verilindorët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 20, 2022 | 20:08

Revolucioni i radhës, Kukësi duhet ribërë/ Ja situata te verilindorët

Duket se në Kukës çdo sezon përsëritet e njëjta histori, të paktën këto vitet e fundit. Skuadra do të duhet të riformatohet nga e para, me shumë lojtarë që largohen dhe nga ana tjetër pritet të ketë njëkohësisht edhe shumë afrime, për të kompensuar boshllëqet që kanë lënë të ikurit.

Kukesi

Një situatë që ia rëndon së tepërmi punën edhe stafit të ri, me Skënder Gegën, të cilit do t’i duhet ta rinisë thuajse gjithçka nga e para, për vetë faktin se me këto ritme largimesh do të ketë në dispozicion shumë pak lojtarë nga edicioni i sezonit të kaluar. Deri më tani klubit i kanë dhënë lamtumirën zyrtarisht shtatë lojtarë, Ardit Hila, Emiljano Musta, Pablo de Lukas, Dashamir Xhika, Kristi Marku, Vasil Shkurtaj dhe Vitor Feizhao.

Ndërkohë, janë plot shtatë të tjerë thuajse të larguar, sepse u mbaron kontrata dhe nuk pritet të vijojnë më me skuadrën, edhe pse ndonjë prej tyre mund të bëjë prapakthehu. Bëhet fjalë për Artium Puntus, Luka Milunoviç, Filip Gligorov, Jorgo Pëllumbi, Bruno Lulaj, ndërsa në mëdyshje janë edhe Alija Kërniç dhe Kreshnik Bahtiri.

Me pak fjalë, në total mund të shkojnë 14 lëvizje në dalje, pa llogaritur edhe të tjerë që ende janë në dilema, duke bërë që Kukësi të kthehet në një kantier ndërtimi. Nga të larguarit bëhet fjalë për dy tipe largimesh, ata që nuk patën dhe nuk priten të kenë hapësira dhe pjesa tjetër që konsiderohen si fajtorë për dështimin e këtij sezoni.

AFRIMET – Megjithatë, nëse largimet mund të shkojnë në 14, edhe afrimet do të jenë të shumta, por gjithsesi jo deri në këtë masë. Mësohet se të paktën shtatë afrime do të bëhen gjatë kësaj merkatoje, ku tri janë zyrtarizuar tanimë: Kristi Kote, Antonio Ilieski dhe Ante Zivkoviç. Të tjerët do të zyrtarizohen në ditët në vijim.

Burimet pohojnë se Gega i ka piketuar lojtarët që dëshiron të ketë në skuadër dhe ka marrë nga klubi dritën jeshile për të bërë afrimet që i duhen për të realizuar në fund edhe synimet, ku të paktën Kukësi synon rikthimin në Europë, aty ku mungon prej dy sezonesh radhazi. Ndërkohë, skuadra pritet të mbyllë pushimet në fund të këtij muaji dhe në 1 korrik të zbresë në fushë, për të nisur fazën përgatitore për sezonin e ardhshëm.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"