“Revolucioni” i Kombëtares, atdhetaria dhe “pseudoatdhetaria”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 4, 2015 | 11:49

“Revolucioni” i Kombëtares, atdhetaria dhe “pseudoatdhetaria”

Besnik DizdariNga BESNIK DIZDARI

“…Njerëzit jetonin keq, oh sa keq! Por gjaku i tyre i vjetër i mësuar me fatkeqësi të vazhdueshme, reagonte me shpresën e një përmirësimi të afërt. Ndërkaq, sporti i ndihmonte për të përballuar sakrifica të patregueshme dhe të ekzaltuar ata gjenin forcën për të tejkaluar – ose besonin se tejkalonin – çdo vështirësi të mundshme”. Këtë thënie emblematike (shembullore) nuk e kam thënë unë. E ka thënë Gianni Brera, shkrimtar, por dhe gazetari më i madh sportiv i Italisë. E kam vënë në hyrjen e librit “Kupa e Botës dhe Shqipëria” që del së shpejti dhe që gjysma e të cilit i kushtohet Kombëtares së Shqipërisë. Kam vepruar kështu, ngaqë besoj se kjo thënie e hershme e Brera-s së një fame ndërkombëtare, i përshtatet jo pak Shqipërisë sime. Për dje dhe për sot.

Sigurisht që kam qenë në Elbasan. Dhe ashtu si mijëra të tjerë kam përjetuar një ditë të bukur sportive, një gjallëri të pamatë të një qyteti dhe në fund kam përjetuar një nga fitoret më tërheqëse dhe ndër më të rëndë- sishmet e Kombëtares së Shqipërisë. E, ndërkaq, teksa më vjen në mend një gjykim i shpejtë teknik i ndeshjes, ai më flet për pjekuri taktike të skuadrës, kësaj here ndoshta një lloj 4-3-2-1, i cili nuk funksionoi në pjesën e parë, por shpërtheu në të dytën, me shtylla e gola, me përmbysje e kombinacione, me teknikë dhe, mbi të gjitha, me një këmbëngulje të pashoqe për të fituar. Ky qe “shpirti luftarak”, jo ai politik shqiptar i dikurshëm që mëkonte aq fort Partia e asokohe, por ai i një stili europian që e kanë skuadra të sprovuara. Dhe dy gola spektakolarë për kah pagabueshmëria e pasimeve (kalimeve), plot mend e kolektivitet, plot zgjuarsi e goditje befasuese, qoftë Mavraj, qoftë Gashi. Gola të rreptë që nuk lënë mëdyshje për shtjellime të zgjatura, rrjeta që tunden, shtylla që tronditen (Cikalleshi), gëzime të pashoqe, pjekuri, mbajtje e sigurt e topit, ndërrime të studiuara, forcë fizike, besim deri në fund.

Dhe Shqipëria-Armenia 2- 1! Ose ndryshe: mëtuesja më e re e Kampionatit Europian me emrin Shqipëri dhe një ish-sovjetike, e cila në futboll konsiderohet modeste, me emrin Armeni. E para e 61-ta e FIFA-s midis 209 shteteve dhe e dyta e 79-ta. Jo dhe aq larg njëratjetrës, megjithatë. Por, me një ndryshim historik. Shqipëria dihet se vjen vetëm nga Shqipëria. Ndërsa Armenia vjen edhe prej Ararat të Erevanit, i cili më 1973 pat tronditur Bashkimin Sovjetik, teksa i drejtuar prej armenit mitik, Nikita Simonian, i cili nën fanellën e Spartakut të Moskës ka luajtur 6 ndeshje dhe ka shënuar 4 gola kundër klubeve të Shqipërisë, ky Ararat i Erevanit pra, qe shpallë kampion i vendit të sovjetëve! Duke fituar madje dhe Kupën, e duke shtangur gjithë dikasterialët e mëdhenj të Moskës, CSKA e Dinamo. Pa shkuar te sporti në tanësi, ku pa e zgjatur po veçoj vetëm pak emra të hershëm të përmasave botërore: kampionët olimpik Faina Melnik në shtizë për femra, boksierin Vladimir Enigbarian, peshëngritësit Junik Vardanyan e Oksen Mirzoioan, por dhe basketbollistin Armenak Alachachan, i cili një herë mbeti i çuditur prej artit të Renato Radojës. Janë kolosë të sportit botëror.

Pa shkuar mandej tek e tashmja “e tashme”, që janë tri medaljet armene të Olimpiadës së Londrës 2012. Kur Shqipëria ende asnjë! Kemi mposhtur kështu kombëtaren e futbollit të një shteti të vogël, si dhe i yni, të vogël, por tejet sportiv, jorrallë në përmasa botërore. Në tanësinë e kulturës sportive fitorja armene, që më pëlqen ta quaj të madhe për kah vlerat renditëse, hyn te “revolucioni” që ka bërë Kombëtarja e Shqipërisë. Kur me “revolucion” nënkuptojmë përmbysje me forcë të një rendi politiko-shoqëror, që synon ndryshimin radikal të qeverisjes, të institucioneve, të marrëdhënieve ekonomiko-shoqërore, një lloj procesi radikal modernizimi, përtëritje kulturore, shkencore, artistike e natyrisht edhe sportive. Ky është “revolucioni” i Kombëtares modeste të Shqipërisë, e cila sot është e nënshtruara e një “qeverie” tjetër futbolli, e një përjetimi ekonomiko-financiar të papamë deri më sot (bie fjala, shpejt e shpejt 100.000 euro bonus për Armeninë) të një rendi tjetër “federal” (FSHF e sotme), drejt një modernizimi, ose më mirë me thënë drejt një europianizimi.

Do të ishte fatale, që mbas kësaj “tirade” të politikës së futbollit, të guxoj e të them se Kombëtarja dhe “revolucioni” i saj ndodhen në një udhëkryq. Do të ishte e tepërt. Ndonëse prapë guxoj e them se mund të ndodhet në një udhëkryq. Çka do të thotë që ose “revolucioni” do të ndalë me përmbysjen e bukur, ose skuadra do të shkojë prapë në identitetin (njipërnjisimin) e saj të vendeve të fundit apo të parafundit në grupet kualifikuese. Situata e tashme, kur në gjysmë të rrugës ndodhet vetëm 2 pikë larg vendit të parë (kaq e vogël largësia nuk ka qenë asnjëherë), të bën të besosh se ndoshta kësaj here rënia asisoj nuk ka për të ndodhë. Ndonëse kujtoj se edhe dy herë të tjera ka qenë thuajse kështu. Mbas gjysmës së ndeshjeve në Botërorin 1986 ishte: Belgjika 5 pikë, Polonia 3, Greqia 3, Shqipëria 3! Mbas më shumë se gjysmës së ndeshjeve në Botërorin 2014: Zvicra 14 pikë, Shqipëria 10, Islanda 9, Norvegjia 8, Sllovenia 6, Qipro 4! Dhe në përfundim – Shqipëria e parafundit në grup!… Kështu pra, ia kam frikën kësaj Kombëtare, siç kam titulluar një herë. Sepse qysh sot atë e quajnë mëtuese të fortë dhe pra askush nuk do t’ia falë rënien. Ka fatin “e mirë” se deri kah shtatori mund të ndihet “euforike” e pandreqshme, teksa sheh se “revolucioni” duket të jetë “permanent”.

Dhe të paktën për pesë muaj ajo do të ndihet rrëmbyese jo e një “pallati të dimrit”, por e shpirtit dhe e zemrës së shqiptarëve, njerëzve “të cilët jetonin keq, (oh sa keq!), por të cilët sporti i ndihmonte për të përballuar sakrificat”, siç thotë Brera. Në të vërtetë “revolucioni” është aty, në dukje më i fuqishëm se kurrë. Madje drastik. Në Elbasan 8 djem ishin shqiptarë të Kosovës dhe vetëm 4 djem prej të 14-ve ishin prodhim i tokës së 28.000 kilometrave katrorë dhe i kampionatit të saj, i cili në mënyrë galopante përditë e më fort po i shkëputet Kombëtares. Është një “revolucion” mbarëshqiptar që ka përmbysë përfaqësimin tonë republikan. “Revolucioni” është aty sepse të fitosh në Portugali, mbasi para do kohe ke fituar edhe në Norvegji, e mandej të barazosh edhe në Francë një miqësore të rangut, këto janë shenjat e qarta të largimit një herë e mirë të Kombëtares së Shqipërisë prej amatorizmit të saj, që ia ka zënë frymën për vite të tana, ndonëse talentet e saj, të cilët nuk shteruan kurrë, herë mbas here kanë shpalosur ndeshje disa herë më të mëdha se kjo e Armenisë. “Revolucioni” është aty, edhe pse në këtë kulm të tij, ai është shpalosur në stadiumin e parë modern që Shqipëria ka pasur ndonjëherë, teksa po bëhet gati tjetri: Stadiumi kombëtar “Loro Boriçi”, të cilit nuk ma merr mendja se ndokush mund të guxojë t’ia ndërrojë emrin e tij legjendë. “Revolucioni” është aty sepse, për herë të parë në histori, Shqipëria ka një trajner “pozitiv” në bilanc: 29 ndeshje, 11 fitore, 7 humbje, 11 humbje dhe golat 30-26!

Është Gianni de Biasi nga Italia! Në fund të fundit, “revolucioni” duket të jetë pranë triumfit, sepse ai ka me vete gjithë shqiptarët kudo qofshin. Pa harruar se, ashtu si të gjithë “revolucionet”, edhe ai e ka një armik. Ka pseudoatdhetarinë, që shpesh është më e fuqishme se vetë atdhetaria. Ky mund të jetë dhe rreziku i Kombëtares Shqiptare. Për fat, jorrallë e marramendun prej këngëve fluturake, përskuqjes gjigante të flamujve, euforisë së vetë Federatës Shqiptare të Futbollit, por më tepër se asaj, mbështetësve të saj të pakritikë edhe brenda shtypit apo medias në tërësi. E pra, them se kjo Kombëtare ka ende shumë për të bërë për ta ruajtur triumfin e “revolucionit” të saj modern. Do t’i duhet të qetë- sohet, të ndalë euforinë, të jetë televizive në masën e duhur. Shqipëria është vërtet unike (e vetme): ndeshjen e transmetojnë drejtpërsëdrejti dy emitente televizivë, njeri pa pagesë e tjetri me pagesë!? E ndoshta edhe ky fakt i “kalibrit europian” hyn te “revolucioni”. Do t’i duhet kështu, të qetësohet dhe flamurin kombëtar ta konsiderojë thjesht flamur kombëtar e jo të mbështjellë deri gojën me te.

E, mandej, të bindet se askush nuk do të mund të zëvendësojë në mjedise stadiumesh apo fusha të blerta emrin e saj etnik Shqipëri apo Albania, që për çudi gjithnjë e më rrallë po e shohim. Dhe të mos pranojë përvetësimin e famës së saj prej ndonjë grupi të vogël njerëzish, të cilët gati-gati, po na thonë se “ndeshja u fitua ngaqë e transmetojmë, e flasim apo e komentojmë ne”, siç ka thënë një kritik i mirënjohur i protagonizmit në gazetari. Kësisoj, kësaj Kombëtareje do t’i duhet t’i largohet një orë e më parë pseudoatdhetarisë dhe të vazhdojë të mbajë fort pranë vetes atdhetarinë. Pa harruar se, në fund të fundit, fjala është për sport, për futboll, i cili dihet që ndihmon fort për të qetësuar shpirtra e zemra, pra. Dhe, vetëm kaq. Pa harruar atë që me nënkuptimin e tij universal, e ka thënë Bertold Brecht: “Lumë ata popuj, të cilët nuk kanë nevojë për futbollin”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"