Revolucion tek akademitë, Tirana ka gati projektin e ri te “Skënder Halili”. Ja të gjitha detajet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 15, 2018 | 20:30

Revolucion tek akademitë, Tirana ka gati projektin e ri te “Skënder Halili”. Ja të gjitha detajet

Tirana mendon për akademinë dhe skuadrën e parë. Kështu, duke parë që fusha me bar natyror e “Skënder Halilit” është e konsumuar, pasi është viti i 12-të që reziston, nga ana e klubit po mendohet që ndoshta në dhjetor të ndryshohet tapeti i saj. Ka kohë që Tirana po mendon që të investojë në këtë drejtim dhe duke parë që klubit i duhet një fushë e re dhe atë e ka fituar me trofeun e Kategorisë së Parë, shumë shpejt investimin do ta vërë në jetë.

skender halili

Është menduar të rinovohet fusha e “Skënder Halilit”, së bashku me sistemin vaditës, që ekipi i parë, por edhe ekipet e moshave të stërviten normalisht në një fushë të standardeve më të larta futbollistike. Por, nuk mbaron këtu. Drejtori i ri i akademisë, Devi Muka, këto javë që është në krye të klubit, ka ndryshuar rrënjësisht ambientet e jashtme të kompleksit “Skënder Halili”. Pritet që shumë shpejt të investohet edhe në ambientet e brendshme ekzistuese të “Skënder Halilit”. Gjithsesi, projekti më i madh i Tiranës mbetet ndërtimi nga e para e akademisë bardheblu.

Në krah dhe në fundoren perëndimore të “Skënder Halilit” është gati projekti për ndërtimin e akademisë Tirana. Një projekt i kahershëm i presidentit Refik Halili, i cili pritet të vihet në jetë nga financat e klubit dhe ndoshta edhe ndihma e FSHF-së me fondet e solidaritetit. Nëse ndodh një gjë e tillë dhe që planifikohet të vihet në jetë shumë shpejt, për Tiranën do të mbylleshin shumë “vrima” dhe bardheblutë do të kthenin akademinë në standardet më të mira të mundshme në Shqipëri. Gjithsesi, shumë shpejt te bardheblutë pritet të ketë investime në infrastrukturë në të mirë të skuadrës dhe vetë klubit Tirana.

OLSI AVDIAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"