“Revolucion” te skuadra e Kategorisë së Parë, zbulohen 4 largimet e janarit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 1, 2023 | 19:46

“Revolucion” te skuadra e Kategorisë së Parë, zbulohen 4 largimet e janarit

Në klubin beratas ka nisur puna për merkaton menjëherë pas ndeshjes së fundit në kampionat, ku humbën 3-0 në Peshkopi. Drejtuesit e Tomorit kërkojnë të përforcojnë skuadrën me elementë cilësorë, që konsiderohen të domosdoshëm, sikurse është afrimi i dy sulmuesve. Por për afrimin e këtyre lojtarëve, klubit do t’i duhej më parë largimi i disa prej tyre për t’u hapur rrugën lëvizjeve në hyrje. Duket se mekanizmi i merkatos ka nisur të lëvizë dhe “Panorama Sport” ka zbuluar edhe katër largimet e para.

TOMORI KORABI

Prej tyre tre janë futbollistë të huaj, si mbrojtësi i qendrës, Kuaome, mesfushori anglez, Dejvid dhe sulmuesi kolumbian, Evarito. Këtyre të treve u është shtuar edhe portieri Fatjon Çollari, që do t’i bashkohet familjes në Gjermani.

Por ndryshe nga destinacioni i njohur i Çollarit, që në ndeshjen e fundit ndaj Korabit luajti si zëvendësues dhe e shprehu hapur dëshirën e tij për t’u larguar drejt Gjermanisë. E ardhmja e tre futbollistëve të tjerë ende nuk është mësuar. Evarito ka thënë për gazetën, se kërkon të rikthehet në Kolumbi. Ndërkohë, numri dy i pankinës së Tomorit, Polizoi Arbëri, ka folur për gazetën lidhur me këto lëvizje dhe zëvendësimin e tyre sa më të shpejtë.

“Gjithçka e kemi zgjidhur me mirëkuptim, kështu që prishja e kontratës është konsensuale. Dhe kjo, jo vetëm me tre të huajt, të cilët i falënderojmë për kontributin e tyre, por edhe për portierin Çollari, që kërkonte më shumë hapësira aktivizimi.

Këto largime kanë efekt pozitiv, pasi na krijuan hapësirën e nevojshme për afrimin e përforcimeve që kemi projektuar. Shumë shpejt do të finalizojmë marrëveshjen me dy sulmues”, konfirmoi numri dy i pankinës së Tomorit, i cili është krahu i djathtë i Klodian Arbrit.

EDI SPAHIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"