Revolucion te Bajerni, Nojer dhe Myler drejt largimit. Në listë tre lojtarë të tjerë

Panorama Sport | Gazeta me e madhe sportive ne vend

Postuar: Janar 24, 2020 | 11:53

Bota Bundesliga FB LAJMI KRYESOR Të fundit

Revolucion te Bajerni, Nojer dhe Myler drejt largimit. Në listë tre lojtarë të tjerë

Bajerni është duke menduar seriozisht për të bërë një revolucion në skuadër. Presidenti i ri Herbert Hainer, Karl Hainc Rumenige dhe Hasan Salihamixhiç po projektojnë skuadrën e së ardhmes në të cilën disa prej lojtarëve që luajnë tani nuk do të jenë më. “Tz” zbulon se filozofia e klubit është të rrisë talentet e saj në akademi dhe gjithashtu të afrojë lojtarë gjermanë. Por hapi i parë është të largohen të “tepërtit”, të cilët do t’ua lirojnë vendin të rinjve dhe sigurisht duke sjellë të ardhura të cilat do të garantonin një merkato të shëndoshë. 

bajerni i mynihut

TË SAKRIFIKUARIT

I pari në listë është Filipe Kutinjo. Braziliani edhe pse ka nisur t’i bindë drejtuesit, do ta ketë të vështirë qëndrimin në fund të sezonit. 120 milionë euro për pesë vite vështirë se do të paguhen nga gjermanët të cilët janë skeptikë për formën e lojtarit që shpeshherë ka qenë me ulje-ngritje. Ivan Perisiç është një tjetër lojtar i ardhur në formën e huazimit nga Interi për shumën e 5 milionë eurove.

kutinjoo

Zikaltrit kërkojnë 20 milionë euro në fund të sezonit, nëse Bajerni vendos ta mbajë në skuadër. Por duke parë që në pozicionin e 30-vjeçarit luan Kingslei Koman, bavarezët nuk duan të kenë lojtarë të tepërt. Manuel Nojer dhe Tomas Myler, të dy lojtarë që kanë qenë për shumë vite emblema e Bajernit.

Nojer

Portieri ka dy arsye për t’u larguar, divorci me bashkëshorten dhe ardhja e Aleksandër Nybelit nga Shalke. Nojer gjithashtu ka shfaqur një formë të dobët fizike në dy sezonet e fundit ku dëmtimet kanë ndodhur shpesh tek ai. Tomas Myler mund të largohet pa dëshirën e tij, për mesfushorin gjerman ndoshta ka ardhur dita që të largohet nga Mynihu, kartoni i 30- vjeçarit vlerësohet me 32 milionë euro nga “Transfermarkt”, para këto që do të përdoreshin për merkaton në hyrje.

Alkantara

Tiago Alkantara është një tjetër lojtar nga i cili mund të hiqet dorë. Mesfushori spanjoll erdhi me bujë të madhe në kohën kur trajneri ishte Pep Guardiola, ky i fundit ka shfaqur sërish interes për të duke e kërkuar edhe në Angli te Siti. Plot 60 milionë euro mund të arkëtojë Bajerni nga shitja e 28- vjeçarit në fund të sezonit. Në total, të tre lojtarët do të sillnin në arkat e klubit plot 110 milionë euro, pa llogaritur dhe kursimet nga mosblerja e Kutinjos dhe Perisiç.

E ARDHMJA

E ardhmja duket e shndritshme në Mynih. Objektivat janë të qartë: Leroi Sane dhe Kai Haverc. Të dy lojtarët do t’i kushtonin Bajernit plot 190 milionë euro duke bërë që nga portofoli të dilnin vetëm 90 milionë euro për dy nga lojtarët më të talentuar në botë. Kujtojmë se Bajerni bleu në verë Lukas Hernandez për 80 milionë euro, mbrojtësi francez u bë blerja më e shtrenjtë në historinë e klubit gjerman. Alvaro Odriozola që erdhi para dy ditësh nga Real Madridi në formën e huazimit në Mynih, do të ndiqet me kujdes nga drejtuesit gjermanë dhe nëse bind, me shumë mundësi do t’i bashkohet përfundimisht skuadrës në fund të sezonit.

/PANORAMASPORT.AL/




Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/

www.minuta90.com