Revolta e Takut, Josa: Do të ketë ndëshkim! Nuk pyes për individët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 15, 2017 | 9:49

Revolta e Takut, Josa: Do të ketë ndëshkim! Nuk pyes për individët

Tirana konfirmon për të disatën herë se është “minë me sahat”. Atëherë kur nuk pritej, një situatë aspak normale ndodh mes Mirel Josës dhe Afrim Takut. Lojtari kërkoi llogari për zëvendësimin në minutën e 89-të, gjë që trajneri e konsideroi si të tepërt. Për këtë motiv dhe për të shmangur precedentët, numri një i bardhebluve vendosi që ta përjashtonte nga stërvitja e së hënës.

josa

Lojtari dje nuk u paraqit në “Skënder Halili” dhe Josa nuk ka në plan që ta pranojë, derisa të merret një vendim nga ana e drejtuesve. Në mbyllje të seancës së të martës, në një bisedë me mediat, tekniku prerazi paralajmëroi se revolta e Takut nuk do të kalojë pa u ndëshkuar.

“Unë nuk pyes për individin, më intereson vetëm puna e skuadrës dhe kolektivi. Vetëm kaq! Se çfarë do të bëhet me të, janë probleme të klubit! Vendimi do merret nga drejtuesit dhe unë si trajner dhe bashkërisht do përcaktojmë se çfarë sanksionesh do të merren. Nuk e marr në stërvitje pa një vendim. Këtu janë të gjithë njësoj dhe të gjithë do t’u përgjigjen kërkesave të skuadrës”, tha shkurtimisht Mirel Josa, duke mos hedhur poshtë edhe ndonjë vendim drastik, që shkon deri në përjashtim.

ADELA MERKO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"