Resuli pret lojtarë që do të bëjnë diferencën te Flamurtari: Do jemi gati ditën e startit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 24, 2020 | 12:47

Resuli pret lojtarë që do të bëjnë diferencën te Flamurtari: Do jemi gati ditën e startit

Dritan Resuli kërkon përforcime në të gjitha repartet. Trajneri i Flamurtarit e ka të qartë planin dhe thotë se ka nevojë për disa lojtarë që të bëjnë diferencën. Për “Panorama Sport”, trajneri vlonjat thekson se ekipi është drejt kompletimit dhe se këto ditë do të jenë vendimtare.

Flamurtari Resuli

“Do të kemi disa afrime lojtarësh që do të bëjnë diferencën. Jemi duke punuar për të marrë lojtarë që kanë cilësi. Deri tani nuk kemi bërë prezantime zyrtare, por kjo do të ndodhë ndoshta këtë javë. Flamurtari i sezonit të ri do të jetë me lojtarë vendës, siç e kam thënë. Në ekip janë afruar shumë lojtarë nga akademia. Do jetë një Flamurtar me lojtarë shqiptarë, me ndonjë përjashtim për ndonjë të huaj. Me ne janë bashkuar Burak Menga dhe Alvi Ahmetaj, por presim të tjera prurje për ta kompletuar grupin. Kemi probleme pothuajse në të gjitha repartet, që nga porta e deri te sulmi, por jam i bindur se do t’i zgjidhim shpejt”, u shpreh trajneri Resuli.

GJENDJA – Trajneri Dritan Resuli pohon se Flamurtari ka dhënë sinjale pozitive, edhe pse përbëhet nga futbollistë të rinj në moshë. “Kam sinjale pozitive nga futbollistët, të cilët kuptohet që duan kohën e tyre të përmirësohen. Ata duhet të mësohen me ritmin e Kategorisë së Parë dhe për këtë gjë jam duke punuar fort në stërvitje bashkë me stafin tim. Patjetër që kemi edhe shumë për të bërë që të arrijmë aty ku duhet”, thotë me tej trajneri vlonjat.

flamurtari

KAMPIONATI – Vonesa e nisjes së kampionatit duket se i ka lënë kohën e mjaftueshme Flamurtarit për të punuar qetësisht për ekipin e ri. Trajneri Dritan Resuli siguron se ditën që do të startojë gara, vlonjatët do të jenë të kompletuar. “Nëse kampionati do të kishte nisur, këtu do të kishim edhe disa lojtarë të tjerë. Ditën që do të startojë kampionati, ne do të jemi të kompletuar në të gjitha repartet, do të kemi grupin që duam për pretendimet tona sezonale”, përfundon trajneri Resuli. Gjatë kësaj periudhe vlonjatët kanë luajtur disa ndeshje miqësore dhe do të luajnë të tjera në vazhdim për konsolidimin e formacionit dhe për të fituar gjendjen optimale para nisjes së kampionatit.

ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"