Resuli: Peng kam vetëm startin, i hapur për afrime cilësore te Flamurtari

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 25, 2021 | 11:33

Resuli: Peng kam vetëm startin, i hapur për afrime cilësore te Flamurtari

Dritan Resuli “skanon” fazën e parë. Ndihet mirë për ecurinë në Kategorinë e Dytë, e megjithatë objektiv për të është vetëm elita. Gjatë një interviste të dhënë për “Panorama Sport”, trajneri i Flamurtarit flet edhe për merkaton. Nuk ka frikë për ndonjë bllokim nga ana e FIFA-s dhe hapur thotë që mirëpret afrime cilësore në janar.

RESULI

Flamurtari e mbylli fazën e parë pa asnjë humbje dhe shpallet kampion dimri. Si ndihet Resuli?

Është përmbyllja e një pune serioze dhe një impenjimi të madh. Një ecuri, që nuk mund të vinte pa suportin e madh që kemi pasur nga të gjithë, duke filluar nga presidenca. Normalisht, ndihem mirë, ndonëse javët e para çeduam disi. Kjo ndodhi ama se kishim nevojë për kohë që të kolaudoheshim.

Ka pasur ndonjë anomali që keni hasur në këto 11 javë?

E nisëm me shumë pak kohë në dispozicion, por ekipi nga ndeshja në ndeshje e tregoi vetë karakterin dhe vlerësimin e punës. E vetmja gjë që nuk ka shkuar ishte nisja jo e mirë e fillimit të kampionatit për mungesë të kohës në dispozicion.

Cila ka qenë fusha më e vështirë ku keni luajtur?

Në të gjitha fushat që kemi luajtur, nuk cilësoj dot asnjërën që na ka bërë të vuajmë. Gjëja kryesore është që në fushën tonë, përveç maksimumit, jemi munduar për të nxjerrë një lojë sa më të bukur për të kënaqur edhe tifozët që na kanë ndjekur në stadium.

Çfarë kërkoni që ekipi të bëjë më mirë në fazën e dytë?

Përveçse të ruajmë këtë performacë, nuk kemi pse të bëjmë ndryshim tjetër. I referohem seriozitetit në punë dhe vlerësimit maksimal në çdo seancë dhe përgjegjësinë që marrin lojtarët për të respektuar ngjyrat që mbrojnë.

Do të hyni në merkato në janar?

Jemi të hapur për lojtarë që na ndihmojnë, por edhe ne kemi interesimet tona për elementë të veçantë.

Keni frikën e bllokimit të merkatos për ndonjë detyrim të prapambetur, sikundër ndodhi në nisje të kampionatit?

Nuk kemi frikë. Absolutisht jo. Gjërat janë më mirë se kurrë. Kemi mbështetje maksimale nga presidenti dhe kushtet optimale për vazhdimësinë. Kjo gjë është supermotivim i grupit për objektivin që kemi, ta mbyllim sa më shpejt ngjitjen.

E keni drejtuar Flamurtarin në të gjitha kategoritë. Si ju duket e Dyta?

Nëse nisemi nga liga apo emrat e kundërshtarëve që kemi përballë, mund të ketë një demotivim. Por, duke parë vështirësitë dhe nivelin që është në këtë kategori, detyrim është serioziteti në stërvitje dhe përgatitja. Nuk ka hapësirë për nënvlerësim për asnjë situatë. Duke iu referuar edhe Kategorisë së Parë, është një gjë komplet ndryshe për grupin. Këta lojtarë që kanë qenë shumë të vegjël në elitë, kanë ardhur duke u rritur e formuar. Sot kanë krijuar personalitetin e tyre dhe kanë më shumë eksperiencë.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"