Resuli “kërcënon” titullarët, Sinan Idrizi: Nuk keni parë gjë akoma

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 27, 2020 | 14:25

Resuli “kërcënon” titullarët, Sinan Idrizi: Nuk keni parë gjë akoma

Humbja në miqë soren e fundjavës që kaloi me Orikun nuk është kapërdirë lehtë në Vlorë. Që pas ndeshjes administratori Sinan Idrizi shpërtheu në kritika për ekipin dhe sidomos për repartin e mbrojtjes. Situata tashmë ka marrë një rrjedhë tjetër, ku asnjë nuk e ka vendin të sigurt as në formacion dhe as në stol te Flamurtari. Ky është apeli i prerë i administratorit të klubit, i cili ua ka përcjellë stafit teknik dhe vetë lojtarëve.

sinan idrizi

“Panorama Sport” kontaktoi dje me administratorin Sinan Idrizi, pasi ai reagoi shumë i irrituar pas humbjes me Orikun. Kreu i klubit vlonjat nuk ka preferuar të flasë gjatë, por mesazhin e tij e ka dhënë qartë dhe të prerë se nuk do të tolerojë më. “Ajo që keni dëgjuar se çfarë u thashë stafit teknik dhe lojtarëve pas ndeshjes nuk ishte asgjë përpara asaj që do të shikoni në ditët në vijim. Nuk keni parë gjë akoma”, është shprehur Idrizi. Administratori i klubit kuqezi më tej theksoi: “Respekt ndaj fanellës, asgjë më shumë!”

MBLEDHJA – Në seancën e djeshme stërvitore, që ishte e para pas “dushit të ftohtë” të administratorit Idrizi, trajneri Dritan Resuli ka kërkuar më tepër përgjegjësi nga lojtarët në fushë. Kreu i stolit vlonjat duket se e ka pasur më shumë me titullarët, ata lojtarë që kanë qenë edhe sezonin e shkuar në Vlorë. “Duhet të jeni më të përgjegjshëm në fushë, të shpalosni vlerat tuaja edhe në ndeshjet miqësore, pasi pikërisht këto ndeshje janë një test i vërtet përpara nisjes së kampionatit.

Presidenti kishte shumë të drejtë që foli ashtu. Të gjithë kërkojnë më shumë nga ne të gjithë dhe këtë duhet ta kuptojmë këtë gjë. Jeni të rritur dhe të pjekur, ndaj nuk ju falet ajo paraqitje. Tregoni dinjitet dhe respekt për fanellën në fushë! U jepni shembuj edhe lojtarëve të rij që të mësojnë nga ju”, mësohet se u ka thënë Resuli lojtarëve.

Flamurtari Resuli

ULJA NË STOL – Trajneri Dritan Resuli ka kërcënuar disa nga titullarët se i pret stoli pas paraqitjes së dobët dhe gabimeve në ndeshjen miqësore me Orikun. Në veçanti trajneri e ka pasur me mbrojtjen. “Asnjë nuk e ka vendin të sigurt në formacion. Pas paraqitjes në ndeshjen me Orikun, disa titullarë do të ulen në stol, ky është vendimi i klubit. Nuk e keni justifikuar. Mbrojtja ka bërë shumë gabime në atë ndeshje, por edhe repartet e tjera kanë gabimet e veta. Nga ndeshja e radhës, disa lojtarë do të ulen në stol. Merrni më shumë përgjegjësi përsipër”, u ka thënë trajneri Resuli të tijve.

ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"