Resuli drejt konfirmimit te Flamurtari, Idrizi: Dua projekt edhe nga lojtarët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 19, 2022 | 8:57

Resuli drejt konfirmimit te Flamurtari, Idrizi: Dua projekt edhe nga lojtarët

Flamurtari do të zgjidhë javën e ardhshme çështjen e stolit. Dritan Resuli duket më pranë rikonfirmimit. Me t’u kthyer nga Turqia, Sinan Idrizi do të takohet me trajnerin dhe japë drejtim kësaj historie. Një gjë të tillë e sqaron vetë administratori për “Panorama Sport”:

SINAN IDRIZI

“Ju kam thënë që Vlora nuk pret dhe se është zjarr kur flitet për Flamurtarin. Trajneri erdhi, e takova. I thashë ato që kisha për t’i thënë. E pres tani të vijë të më kthejë përgjigje.

Me t’u kthyer nga Turqia, do të zgjidhim çështjen e trajnerit. Besoj se ka punuar, me sa kam marrë vesh, në drejtim të atyre që i kam kërkuar. Dua një projekt të qartë dhe të më sigurojë ngjitjen në Superiore.

Do takohemi sërish sapo unë të vij në Vlorë”.

MERKATO – I pari i klubit nuk ka në plan që të kursehet në merkato dhe qartazi e thotë se po punon fort. Ai po merret me mbylljen e vizave të dy lojtarëve afrikanë, që janë pjesë edhe e kombëtares U21.

Nuk do ta lërë me kaq, pasi do të vijnë edhe tre brazilianë.

“Ne jemi në kontakt me disa lojtarë. Do të afrojmë nga ata që janë në Superiore dhe kanë bërë mirë te skuadrat e tyre.

Mund të mos jenë emra të mëdhenj, por janë punëtorë. Kemi mbyllur marrëveshje edhe me lojtarë të huaj.

Do të kemi pesë të tillë. Dy janë afrikanë. Po u mbyll vizat këtu në Turqi. Janë lojtarë të kombëtares U-21.

Tre janë brazilianë. Unë po ndërtoj një skuadër me objektiv të qartë, ndaj duhet ta ketë parasysh këtë kushdo që të na vijë”, u shpreh administratori, që po planifikon të ketë 5 të huaj në ekip.

GRUPI – Sinan Idrizi shton edhe më shumë ethet në Vlorë. Ai kërkon edhe nga futbollistët një projekt të qartë për të ardhmen, si do të kontribuojnë ata për ngjitjen e skuadrës në elitë.

Megjithatë, ka respekt për çfarë kanë bërë këtë sezon. Idrizi tha se lojtarët që do të jenë pjesë e Flamurtarit sezonin e ri, duhet që ta marrin përgjegjësinë e objektivit.

“Asnjë nuk është i sigurt. Nuk mund të them se kush qëndron e kush jo, megjithatë kam respekt për çfarë kanë bërë te ne. Besoj se mund të konfirmohet pjesa më e madhe, pasi e kanë treguar veten e tyre.

Kategoria e Parë këtë vit do të ketë një marsh tjetër, nuk është më si Kategoria e Dytë. Cili nga lojtarët do të qëndrojë, të më vijë me një projekt konkret: çfarë do bëjë ai për plotësimin e objektivit.

Si mendon ai që duhet të jetë skuadra, me qëllim që të shkojë atje ku e ka vendin. Pra, dua një plan të detajuar edhe nga ata”, përfundon kreu i klubit.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"