“Respekt të gjithëve, Dinamo në elitë”, trajneri Kamarata: Kam shumë lojtarë të gatshëm për të luajtur

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 31, 2020 | 16:42

“Respekt të gjithëve, Dinamo në elitë”, trajneri Kamarata: Kam shumë lojtarë të gatshëm për të luajtur

Dinamo e këtij sezoni vjen me një organizim të ri në çdo drejtim, por kuptohet që e gjithë vëmendja është tek ekipi i parë, pasi tifozët blu dhe gjithë opinioni sportiv në vend pret rikthimin e “nëndetëses” në elitën e futbollit shqiptar. Ai që duhet ta udhëheqë ekipin drejt realizimit të këtij objektivi është trajneri Fabricio Kamarata, një ish-lojtar i njohur i Veronës dhe Juventusit. Në një intervistë për “Panorama Sport”, trajneri i Dinamos tregohet shumë i matur, teksa flet për gjendjen e skuadrës, objektivat dhe rivalitetin në Grupin A.
Fabricio-Kamarata-300x298
Mister, më në fund fillon sezoni. Si është gjendja e skuadrës?
Nuk ka qenë një periudhë e lehtë, kemi pritur shumë. Më në fund fillojmë të dielën dhe jam i kënaqur me skuadrën që kam në dispozicion, edhe pse kam ndonjë lojtar të dëmtuar. Kemi një organikë të pasur dhe shpresoj ta nisim mirë, të bëjmë një ndeshje të mirë dhe të ecim përpara me objektivat tona.

Dinamo ka ndryshuar shumë, me shumë lojtarë të ardhur. A është konsoliduar grupi?
Klubi, duke përfshirë presidentin, administratorin dhe mua bashkë me stafin, ka bërë një punë të mirë. Kanë ardhur shumë lojtarë të rinj dhe objektivi ynë është që ta çojmë Dinamon në kategorinë që meriton. Sigurisht, nuk është e lehtë sepse do të ndeshemi me skuadra të forta, por sigurisht që kemi grupin e duhur për objektivin që kemi.
Dinamo
Dhe pritshmëritë janë të mëdha nga kjo Dinamo, si nga tifozët, ashtu edhe nga opinioni…
Dhe është krejt normale sepse Dinamo ka vite që nuk është në Superiore. Një emër kaq i rëndësishëm i futbollit shqiptar si Dinamo është e drejtë të jetë në Superiore, por duhet të kuptojmë se është fusha ajo që vendos dhe ne duhet të mendojmë për të dhënë maksimumin. Është e rëndësishme që në maj të jemi aty ku duam, të parët.

Ju pak a shumë e njihni Grupin A, ku bëni pjesë. Si e shihni garën?
Do të jetë një grup i luftuar sepse janë skuadra të forta, janë Besëlidhja, Korabi dhe Burreli. Për ne nuk është e lehtë dhe duhet të respektojmë çdo kundërshtar, duke menduar ndeshje pas ndeshjeje.

Nëse Dinamo kthehet në elitë, do ishte sukses edhe nga pikëpamja personale ajo?
Sigurisht. Erdha vitin e kaluar, kur skuadra nuk ishte mirë. Arritëm ta shpëtonim dhe tani do të përpiqemi ta çojmë në elitë. Nëse ia dalim, edhe për mua personalisht do të jetë diçka shumë e bukur.

Fushat do të jenë një problem…
Duhet të adoptohemi me çdo fushë, ku do të luajmë. Nëse luajmë në fushë të mirë, jam i bindur se do të shprehemi më mirë sepse kemi një skuadër teknike.

Pika më e fortë e kësaj skuadre?
Grupi, të gjithë lojtarët duhet të na japin një dorë sepse do të ketë momente të mira dhe jo të mira. Nuk ka lojtarë të veçantë, të gjithë duhet të ndihmojnë njëri-tjetrin në fushë. Kam shumë lojtarë të gatshëm për të luajtur.
flamurtari
Filloni me Kupën, ndaj një kundërshtari në krizë…
Krizë apo jo, është një skuadër e rënë nga Superiorja dhe duhet respektuar. Ndeshja e parë është gjithmonë më e vështira. Luhet një ndeshje teke në Kupë dhe ne duam të fitojmë, ashtu si dhe Flamurtari. Shpresoj të kalojmë ne.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"