“Respekt për Vllazninë por është koha për tre pikët”, Shkëmbi: Duhet vetëm pak fat para portës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 29, 2022 | 17:29


“Respekt për Vllazninë por është koha për tre pikët”, Shkëmbi: Duhet vetëm pak fat para portës

Bledi Shkëmbi mendon se Teuta është gati për të siguruar tri pikët në ndeshjen ndaj Vllaznisë në këtë fundjavë. Trajneri i durrsakëve theksoi në konferencë për shtyp se situata në mbrojtje ishte shqetësuese, por besonte se nëse ekipi tregohej më i saktë para portës, do të regjistronte fitoren që i mungonte.

bledi shkembi

“Na ka shërbyer pauza, mendoj që kemi punuar mirë disa ditë me sy seanca, me lojtarët që kanë ardhur vonë me ekipin dhe ka ndihmuar nga ana fizike. Na ka shërbyer edhe taktikisht e teknikisht, shpresojmë që ne në ditën e ndeshjes të bëjmë po aq mirë sa kemi bërë në stërvitje këto ditë.

Ideja ishte ndaj Luzit që të fitonim ndeshjen dhe bënim ndeshje të mirë. Mendoj se pavarësisht se nuk fituam bëmë një ndeshje deri diku të mirë me kushtet atmosferike që kishte. Patjetër që mora sinjale pozitive, por disa gjëra duhet t’i ndryshojmë e bëjmë ndryshe.

Çdo javë mendoj se do të jetë e vështirë. Respekt për Vllazninë, ka ekip të mirë me cilësi që në një ditë të mirë të hapin probleme. Por ne kemi mënyrën tonë, egon tonë, karakterin tonë për të luajtur, për të bërë më të mirën pavarësisht kundërshtarit.

Presion për pikët? Nuk duhet të mendojmë dhe nuk duhet të jetë kështu. Ekipi duhet të bëjë më të mirën e mundshme, çdo lojtar në funksion të skuadrës, të bëjë atë që ne kërkojmë dhe presioni duhet të jetë pozitiv, jo negativi. Duhet të na japë shtysë dhe forcë për të arritur tre pikët dhe jo të na vendosë në presion psikologjik. Nuk duhet të kemi presion se jemi ende në fillim, ka shumë ndeshje dhe jam i bindur që kjo skuadër me këto emra do të jetë më lart.

Koha për tre pikët? Mendoj që po dhe të gjithë, unë, klubi, tifozët, skuadra e lojtarët, nëse do të bëjmë mirë, patjetër. Në këtë ndeshje të kemi edhe pak fat me vete që ato raste që shfaqen të shënojmë se mendoj se në ndeshjet e fundit kemi pasur momentet tona për të shënuar te porta kundërshtare dhe nuk kemi arritur ta bëjmë. Nëse do të bëjmë këtë mendoj që do ta kemi pak më të thjeshtë nga ana psikologjike.

Do të doja të kisha të gjithë lojtarët, nuk kemi përsëri qendërmbrojtësat Qaqi, Jazexhi, mungon Çyrbja disa janë disa probleme fizike. Por një skuadër e kam thënë gjithmonë që kam respekt për të gjithë që stërviten dhe ata që futen të luajnë të shohin pozitivisht shansin e mirë për të luajtur dhe për të qëndruar në 11-shen e parë”, tha Shkëmbi.

PANORAMASPORT.AL