“Respekt për të rinjtë”, ish-mbrojtësi Dealiaj: Ja si ia del Flamurtari ndaj Tiranës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 16, 2020 | 22:15

“Respekt për të rinjtë”, ish-mbrojtësi Dealiaj: Ja si ia del Flamurtari ndaj Tiranës

Fjoralb Deliaj beson se Flamurtari do të rikthehet shpejt në elitën e futbollit shqiptar. Në një intervistë për “Panorama Sport”, mbrojtësi vlonjat vlerëson lojën e kuqezinjve në ndeshjet e fundit.

deliajaaaa

Në prag të ndeshjes me Tiranën, Deliaj e shikon të vështirë për Flamurtarin dhe si “ish” analizon të dyja skuadrat. Për Tiranën thotë se suksesi vjen nga besimi që u ka dhënë të rinjve dhe nga merkatoja e mirë, ndërsa në një të ardhme beson se mund të rikthehet te Flamurtari.

Fjoralb, si e komenton ecurinë e Flamurtarit në këto javë?

Në këto javë të fundit Flamurtari ka bërë ndeshje pozitive dhe lojë të bukur. Shoh që të rinjtë vlonjatë i kanë dhënë ekipit një frymë tjetër. Ata luajnë me shpirt për fanellën dhe për të treguar veten e tyre. Dua të vlerësoj mentalitetin që ka ekipi në këto ndeshje, si dhe dëshirën për të marrë pikë. Mendoj se e meritonin barazimin në javën e fundit me Bylisin. Po shikoj një Flamurtar luftarak dhe më me dëshirë për të bërë mirë, si dhe për të mos toleruar asnjë kundërshtar.

Sipas jush, çfarë ndodhi që nuk morën asnjë pikë ndaj Bylisit?

Duke parë lojën dhe gabimin e arbitrit te penalltia e Bylisit, mendoj se gjykimi ndikoi në atë ndeshje. Me sa kam parë në këto javë, arbitrat kanë ndikuar me vendimet e tyre kundër Flamurtarit. Mua më vjen keq, pasi kjo moskorrektesë e gjyqtarëve ndaj ekipit ka ndodhur edhe më parë kur unë kam qenë te Flamurtari. Ka pasur gjithmonë një tendencë negative kundër nesh nga faktorë të jashtëm. Kjo nuk është aspak korrekte. Këta djem duhet që të vlerësohen për atë që po japin në fushën e lojës dhe jo të ndëshkohen në këtë mënyrë.

Të vjen keq që Flamurtari ka rënë nga kategoria?

Normalisht që po. Kam kaluar një periudhë të gjatë te Flamurtari, jam rritur si futbollist dhe sezonin e shkuar kam qenë titullar. Duhet të harrohet se çfarë ka ndodhur, dhe drejtuesit e klubit të mendojnë për rikthimin e ekipit në Superiore me një projekt konkret. Unë kam bindjen se do të ringrihen dhe së shpejti do të rikthehen në elitë.

Ndeshja e radhës luhet me Tiranën, si e shikon këtë takim?

Do të jetë një takim shumë i vështirë. Tirana tani është drejt shpalljes kampion. Por Flamurtari nuk ka çfarë të humbasë, edhe nëse rezultati nuk do të flasë për ata. Lojtarët të bëjnë një lojë dinjitoze, siç kanë bërë deri tani dhe të futen në fushë pa presion.

Ke qenë pjesë e Tiranës, çfarë kanë bërë ndryshe bardheblutë në këtë sezon ku janë pranë titullit?

U kanë besuar më shumë të rinjve, duke i ndërthur me disa nga lojtarët më të mirë të Superiores. Kanë realizuar një merkato të mirë. Ky është çelësi i suksesit.

Deliaj Tirana

Me cilët nga lojtarët e Flamurtarit dhe Tiranës i ruan kontaktet?

Me Erjon Hoxhallarin nga Tirana dhe me Ardit Hoxhajn nga Flamurtari.

E mendon një rikthim të mundshëm te Flamurtari?

Në të ardhmen nuk i dihet. Pse jo.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"