Reportazhi/ Stërvitje si “komandantë”, Kolela ka ende klas në këmbë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 27, 2023 | 21:42

Reportazhi/ Stërvitje si “komandantë”, Kolela ka ende klas në këmbë

Ora 11:00, të gjithë janë në fushë dhe trajneri Kolela jep vërshëllimën e parë për të nisur seancën e radhës në shërbim të ndeshjes ndaj Teutës më 1 prill në orën 15:00, e vlefshme për ndeshjen e fundit të fazës së tretë të kampionatit.

kolela

Të gjithë janë të çelur në fytyrë, ndikuar nga moti i bukur me diell, por edhe fakti se po shijojnë këto “pushime” si “komandantë” të renditjes dhe tashmë kanë gjithçka në dorën e tyre. Një element që i jep një “hijeshi” fëmijërore stërvitjes së mbi 20 burrave, është djali i Alban Hoxhës. Kapiteni ka vendosur ta marrë të voglin me vete.

Pa shqetësuar askënd, Hoxha “junior” luan i vetëm në një hapësirë pas portave, ku stërvitej edhe babai i tij. Valentino Murataj, i cili është kthyer i fundit nga pushimet dje, u stërvit me ekipin. Fieraku ka arritur ta kapë shpejt ritmin e pjesës tjetër të skuadrës. Në pjesën e parë të stërvitjes, trajneri Kolela vendos ta vërë skuadrën në situata të ndryshme pasimesh, duke tentuar ta automatizojë këtë element të rëndësishëm të lojës.

Në gjysmën e parë të seancës është zëvendëstrajneri Fatjon Tafaj, i cili jep urdhra dhe herë pas here u tërheq vëmendjen lojtarëve që të jenë më të përfshirë dhe më me grintë në lëvizjet e tyre. Stërvitja vijon me vrapime të shkurtra, teksa skuadra ndahet në dy pjesë. Trajneri Kolela qëndron kryesisht pranë pankinës, teksa herë pas here bisedon me përgatitësin atletik, Marko Korali, për gjendjen fizike të lojtarëve dhe atë çfarë duhet të bëjnë.

Kolela

Më pas trajneri organizon disa lojëra të tjera me pasime, teksa në fund e mbyll me disa vrapime të gjata, për t’i dhënë skuadrës akoma më shumë ngarkesë. Seanca e djeshme nuk zgjati sa të tjerat për shkak se sot luhet miqësore dhe është e rëndësishme të menaxhohet gjendja fizike.

Në një moment Kolela tregoi edhe aftësitë e tij me topin, duke bërë disa prekje të ëmbla dhe kontrolluar topin plot klas. Ai bëri disa xhonglime, që tregojnë se në këmbët e italianit 56-vjeçar ka ende futboll. Për t’u shënuar është fakti se në pjesën më të madhe të stërvitjes mbizotëroi një qetësi absolute.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"