Reportazh/ Sporti shkodran, në mbështetje të fëmijëve që u dëmtuan nga tërmeti

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 2, 2019 | 23:41

Reportazh/ Sporti shkodran, në mbështetje të fëmijëve që u dëmtuan nga tërmeti

Një lodër është e vetmja gjë që Ema e vogël 6-vjeçare nga Durrësi ka marrë me vete në shtëpinë e saj pas tërmetit tragjik. Familja e Emës bashkë me disa familje të tjera janë strehuar në një hotel në hyrje të Shkodrës, sepse shtëpitë e tyre në Durrës tashmë janë të pabanueshme. 

TERMET

Ajo është motra e Enes Baçit, 11-vjeçarit tifoz të sportit, i cili thotë se vendosën të vijnë në Shkodër për të hequr frikën nga tërmetet që në Durrës nuk pushuan për disa ditë me radhë, dridhje që kanë krijuar frikë të madhe te 11- vjeçari. “Unë jam Enes Baçi nga Durrësi. Kam ardhur në Shkodër pas tërmetit sepse ishte tërmet i fortë dhe ne u trembëm. Shtëpia jonë është e pabanueshme dhe gati po shembet dhe momentalisht nuk kemi se ku të jetojmë. Kemi jetuar pak te gjyshja por vendosëm që të vijmë në Shkodër që të hiqnim mendjen dhe frikën nga tërmetet.

Jam një nxënës i mirë dhe më pëlqen shkolla, sepse aty marrim dije dhe mund të bëhem i njohur në të ardhmen. Mua më pëlqen edhe sporti shumë, futbolli, basketbolli dhe kam ëndërr që të bëhem futbollist ose basketbollist. Jam tifoz i Barcelonës dhe Spanjën sepse që i vogël kam bërë tifo për këto ekipe”. Enesi është një tifoz i basketbollit dhe ka shkuar në pallatin e sportit në Shkodër, ku pasi ka parë një ndeshje kontrolli ka takuar basketbollistët e Vllaznisë, ndërsa është surprizuar kur presidenti Alban Xhaferri e ka marrë në një darkë bashkë me lojtarët dhe djalin e tij.

“Kam shkuar në pallatin e sportit ‘Qazim Dervishi’. Hera e parë që po shihja një stërvitje të Vllaznisë, e cila kishte një ndeshje kontrolli dhe e pashë. Takova 3-4 lojtarë të Vllaznisë që kanë qenë me Teutën që i njihja. Babi erdhi të më merrte por presidenti i Vllaznisë i tha që donte të më mbante për të ngrënë një darkë bashkë me lojtarët e Vllaznisë dhe djalin e tij.

Shkuam në një restorant, kemi ngrënë darkë dhe pastaj presidenti me solli në hotel ku jemi strehuar. E kalova shumë, janë djem shumë të mirë dhe luajnë basketboll shumë mirë që nga amerikanët edhe shqiptarët e Vllaznisë. Kam parë disa ndeshje të tyre”. Rrëfimi i adoleshentes Serena Mexhidi Serena Mexhidi, nxënëse në vitin e parë në shkollë të mesme është kushërira e Enes Baçit ndërsa edhe ajo ka ardhur në Shkodër për t’u strehuar.

vllaznia termeti

Serena thotë se eksperienca nga tërmeti është tejet e frikshme ndërsa ato përjetime janë ngulitur në mendjen e saj. Serena tregon se si ka parë shtëpinë e saj të dëmtuar.

“Unë jam Serena nga Durrësi. Kam ardhur në Shkodër pas tërmetit të madh që ishte. Shtëpia është shkatërruar, kishte dëme të mëdha dhe nga frika erdhëm këtu që të kalojmë panikun sepse tërmetet nuk kanë pushuar. Ishte eksperiencë e frikshme dhe mos e provoftë askush. Pas tërmetit kemi dalë menjëherë jashtë dhe nuk jemi kthyer akoma te banesa dhe jemi këtu në Shkodër për momentin. Qëndruam pak te gjyshja se e kishte më pak të dëmtuar dhe më pas lëvizëm. Jam në vit të parë në shkollë të mesme dhe jam një nxënëse e mirë.

Më pëlqen kimia dhe në të ardhmen mund të bëhem një kimiste e mirë sepse i përkushtohem. Ëndrra ime është ndryshe nga lëndët shkollore, sepse unë merrem me volejbollin dhe kam ëndërr që të bëhem volejbolliste e ekipit të parë të Teutës sepse tani jam me të rejat”. Në këto ditë të pazakonta kur rrugëtimi i të ardhmes duke i vështirë për këta fëmijë, ata nuk mposhten.

Ëndrrat e tyre janë të pamasa e po ashtu edhe emocionet që përcjellin 11-vjeçari Enes, 15-vjeçarja Serena dhe 6-vjeçarja e vogël Ema. Sapo kanë dëgjuar për historinë e Serenës, volejbollistes 15- vjeçare nga Durrësi e strehuar në Shkodër, banesa e së cilës është dëmtuar nga tërmeti, skuadra e Vllaznisë në volejboll për femra me të rriturat, të rejat dhe paratërejat i kanë bërë një surprizë Serena Mexhidit duke e vizituar në hotelin në hyrje të Shkodrës ku është strehuar bashkë me familjen.

Një moment emocionues për Serenën dhe familjarët e saj. Në shenjë simbolike vajzat shkodrane i dhuruan një bluzë të Vllaznisë Serenës dhe një top volejbolli bashkë me emrat e tyre duke i treguar se 15-vjeçarja dhe gjithë bashkëmoshatarët e tjerë janë në zemrat e tyre në këto ditë ku dhimbja është kryefjalë.

Ajo që hyri e para ishte kapitenia e Vllaznisë Flavia Petëza dhe më pas gjithë vajzat e tjera dhe stafet përkatëse. Bluza dhe topi nuk ishin të vetmet surpriza për Serenën volejbolliste. Trajneri Mark Kroqi Trajneri i Vllaznisë në volejboll për femra Mark Kroqi, njëkohësisht edhe drejtor i “Sport Klub Vllaznia” përveç ngrohtësisë dhe momenteve me 15-vjeçaren Serena Mexhidi, shprehet se do të ndërmarrë një nismë që shumësportëshi në Shkodër të kontribuojë me vlera monetare për familjet e prekura nga tërmeti.

Vllaznia logo

“Një moment ky shumë i bukur dhe shumë emocionues pas gjithë asaj vështirësie që ka kaluar Serena dhe të tjerë në zonat e prekura nga tërmeti ku po përballen me një tragjedi të jashtëzakonshme. Është një moment që gjithsecilin prej nesh na ka bërë të reflektojmë. Gjithë njerëzit e prekur kanë shumë nevojë për solidaritet, për mbështetje”, u shpreh Kroqi.

Sporti nuk është thjesht një garë, thjeshtë një rivalitet apo një lojë që mbetet brenda fushave në godinat sportive. Është shumë më shumë, një armë e fortë solidariteti, përkrahje e një force të papërshkrueshme që nuk e dridh as tërmeti 6.4 ballë. Në një rast si ky, me mijëra familje të prekura nga tërmeti, sporti bashkon, jep një mesazh, e përcjell emocione prekëse për mbarë shoqërinë.

Senad Nikshiqi – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"