REPORTAZH/ Partizani, kryesuesi pa shtëpi i Superiores. Kompleksi i “demave” ka ndalur prej 16 muajsh

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 11, 2018 | 23:41

REPORTAZH/ Partizani, kryesuesi pa shtëpi i Superiores. Kompleksi i “demave” ka ndalur prej 16 muajsh

Një klub legjendë që kërkon të rikthejë titullin pas 25 vitesh, por vazhdon të degdiset për të bërë stërvitje sa në Pezë, sa në Kamëz dhe sa në Elbasan. Premtimet kanë qenë të shumta, madje pompoze nga vetë drejtuesit e Partizanit, por shtëpia e re e të kuqve nuk po duket. “Panorama Sport” bëri dje një vëzhgim në atë që ende nuk dihet se kur do të quhet kompleksi i ri i Partizanit. Por, çfarë të shikoje?!

partizani kompleksi

Një ndërtim i nisur dy vite më parë dhe i lënë në harresë, a thua se plani ka ndryshuar dhe është e kotë të pyesësh se çfarë do të ndodhë. Barishte pa fund dhe godina katërkatëshe që të krijon përshtypjen e një belikeje, ku tashmë mund të strehohet ndonjë endacak i zonës. Për një njeri që nuk ia ka idenë se çfarë do të bëhet në këtë territor, përshtypja që krijohet është se dikush ka dashur të ndërtojë një hotel, por punimet kanë ngecur.

kompleksi partizani 1

Nga burime të sigurta të gazetës, mësohet se që prej qershorit të vitit 2017 nuk ka pasur më punime në kompleks. E njëjta gjë konfirmohet edhe nga banorët e zonës, të cilët kur i pyet se kur kanë parë për herë të fundit një makinë të tonazhit të rëndë që të futet në kompleks ngrenë supet. Madje, ata tregojnë se për sigurinë klubi ka vendosur që të lërë gjithçka në dorë të një prej banorëve që ka shtëpinë më afër kompleksit.

kompleksi partizani

Aktualisht, nuk ka ende një arsye konkrete nga klubi se kur do të rinisin punimet, ndërkohë që leksioni për Partizanin erdhi pikërisht nga një ish-futbollist i të kuqve. Bëhet fjalë për Redi Jupin, i cili vetëm një muaj më parë inauguroi një kompleks me tri fusha, disa dhoma zhveshjesh etj., pak kilometra larg Tiranës. Atë që një klub si Partizani kërkon ta bëjë prej katër vitesh, Jupi e realizoi në një kohë rekord.

Një situatë e çuditshme për më tepër që skuadra vazhdon të degdiset sa në një fushë në tjetrën. Vetëm pak ditë më parë, ka qenë ish-kapiteni i Partizanit, Adnan Ocelli, i cili për “Panorama Sport” prekte këtë shqetësim, duke iu referuar edhe faktit se skuadra i ka bërë një nisje të mirë sezonit dhe do të luftojë për titull. “Partizani do të fitojë trofe kur të ndërtojë klub për trofe. Kur të ketë ambientet e tij, kur të miradministrojë akademinë dhe të funksionojnë të gjitha në sinkron”, deklaronte ndër të tjera ish-lojtari që ka fituar trofe me të kuqtë.

JORGIS MEMO

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"