REPORTAZH/ Nga veshja te komunikimi, Mema rikthen harmoninë te Tirana

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 16, 2018 | 16:36

REPORTAZH/ Nga veshja te komunikimi, Mema rikthen harmoninë te Tirana

“Tiranasit janë njerëz babaxhanë. Të butë, harmonikë dhe që nuk prishin qejf me njeri”. Kush më mirë se një tiranas si Mema i përçon këto virtyte në skuadrën ku është lindur, prej traditës, rritur dhe formuar. “Panorama Sport” sjell një reportazh nga seanca e djeshme stërvitore.

Ardi Mema vjen në qendrën stërvitore të Tiranës i buzëqeshur, korrekt dhe dashamirës edhe me mediat që i kishin zaptuar fushën në pritje të konferencës së tij të parë për shtyp. Klubi, stafi, mbase edhe ai vetë kishin vendosur që në vend të tavolinës në “Selman Stërmasi”, ku pak ditë më parë u zyrtarizua divorci me Ze Marian, trajneri nga familja e famshme bardheblu të flasë aty ku ia diktojnë gjenet dhe gjaku… nga fusha.

ardi mema tirana

KONFERENCA – I veshur me kostum, si për të respektuar veten, por mbi të gjitha vendin e punës, Mema paraqitet në “Skënder Halili”. I pari që takon është Blazhevski, i gjendur pranë parkingut. Disa minuta bisedë me të, duke qenë se është lojtari që po kalon një dëmtim. Në fund, një përqafim dhe motivim për sulmuesin. Përshëndetje me gazetarët dhe korrektësi ndaj tyre. Batuta, seriozitet dhe fjalë të mira nga fusha. Jo për mediat, por për çfarë përmirësimi duhet në skuadër. Më tej, koha që kamerat dhe mediat të dalin jashtë, pasi në fushë “kërcet topi” dhe nis stërvitja.

STËRVITJA – Ora shënon 16:00 dhe skuadra bashkë me Memën zbret në fushë. Pak fjalë. Vetëm shpjegime të ushtrimeve dhe… stërvitje. Trajneri, momentalisht pa staf, ka edhe nevojë për ndihmë. Kapiteni Karabeci merr kronometrin dhe drejton disa ushtrime nxehjeje izometrike, në tokë. Profesionalizëm, bashkëpunim dhe mbështetje nga kapiteni për trajnerin dhe grupin e lojtarëve. Jo vetëm ai, por edhe Daja, Turtulli, Kërçiku apo gjithkush është bashkëpunues. Greca apo Ilion Lika gjithashtu. Askush nuk e ka problem të mbledhë një piketë në fund të ushtrimit për ta vendosur në qendër të fushës apo as që të kalojë një jelek të stërvitjes nga njëri te tjetri. Bashkëpunim dhe frymë grupi! Kjo që ka munguar së fundmi shfaqet në momentin më të vështirë. Gjithkush do të uronte që të zgjaste…

LIDERËT – Sigurisht që trajneri kërkon pika mbështetjeje në ekip, jo vetëm për të përçuar më shpejt filozofinë e tij, por edhe në mënyrë që ta ketë më të thjeshtë punën. Karabeci e Daja duken qartë që janë jo vetëm profesionistë, jo vetëm bashkëpunues me të gjithë pjesën tjetër të grupit, por edhe të palodhur për të shpjeguar edhe në gjuhë të huaj ushtrimet për pjesën joshqiptare. Indirekt apo taktikë, trajneri lë të shfaqen liderët e skuadrës. Egbo, krahas detyrës si përgatitës i portierëve, e bën edhe mbështetësin e Memës dhe “de facto” trajnerin e dytë në stërvitje. “Do fus frymën e duhur, atë të bashkëpunimit”, tha Mema dhe lojtarët ende pa e parë në media e vunë në zbatim. Me sa duket, ambienti i ndikuar nga “filozofia bardheblu” ka marrë drejtimin e duhur. Të paktën në kompleksin stërvitor…

OLSI TUJANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"