Reportazh/ “A gjeti Tirana trajner?” dhe ulërima Çinarit, Lerda shou te Partizani (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga bota e sportit

Postuar: Dhjetor 12, 2019 | 23:55


Reportazh/ “A gjeti Tirana trajner?” dhe ulërima Çinarit, Lerda shou te Partizani (E PLOTË)

Partizani është në humor para derbit. Nëse ndjek stërvitjen e të kuqve, të krijohet përshtypja se Lerda dhe grupi që ai drejton i kanë punët në terezi. Vijnë pas një humbjeje në Ballsh, por duket sikur nuk ka ndodhur asgjë. Presioni thuajse është i padukshëm te lojtarët dhe ndoshta kjo është arma më e fortë e përgatitjes që i bën Partizani ndeshjes kundër Tiranës. Lojtarët dhe pjesëtarët e stafit e kuptojnë shumë mirë se deri ku mund të mbërrijë shakaja. 

logo 2

Në momentin kur gjërat bëhen serioze, trajneri italian nuk të fal. Këtë e tregoi edhe dje, kur nga rreth 50 metra i bërtiti Çinarit. Për të shkuar deri në Pezë, aty ku është shtëpia e përkohshme e të kuqve (kompleksi “Internacional”), nuk të bien në sy vetëm gropat gjatë rrugës, por ironia e fatit të përball edhe në të njëjtën kohë me… Dinamon. Klubi 18 herë kampion i vendit bën njëkohësisht stërvitje në orarin e Partizanit (10:30).

Nga një anë dëgjohen britmat e Lerdës dhe nga fusha tjetër, vetëm 10 metra ngjitur, italiani Kamarata. Në dy fusha ngjitur stërviten as më pak e as më shumë, por 34 tituj kampionë (Partizani 16 herë dhe Dinamo 18 herë). Shumica e lojtarëve të kuq mbërrijnë në kompleks me autobusin e vënë në dispozicion nga klubi, ndërsa një pjesë e vogël me makina private.

Kemisha e grisur, Lerda

PYETJA E TRAJNERIT

Lerda është një trajner i fiksuar pas detajeve. Kërkon që ta ketë gjithçka nën kontroll, ndërsa përfaqësuesit e medias janë një bezdi për italianin. Megjithatë, dje përpara se stërvitja të fillonte, trajneri ndau një pyetje “1 milionë dollarëshe” me gazetarët. “E gjeti trajnerin Tirana apo do ta drejtojë Egbo derbin?” pyeti Lerda.

Natyrisht që i intereson shumë ta dijë se kush do të drejtojë te rivalët, pasi e ka të qartë se me një trajner të ri, gjërat ndryshojnë jo pak psikologjiksht. Pa shkuar ende ora 10:30, lojtarët dhe stafi janë të gjithë në fushë. Trajneri konsumon një bisedë me Telushin për më shumë se 5 minuta. Mesfushori ka humbur derbin, por është nga ata që ka peshë në skuadër dhe prania e tij duhet.

stervitja logo

STARTI I SEANCËS

Për të shmangur zhurmat dhe bisedën me skuadrën, Lerda i grumbullon të gjithë në pjesën tjetër të fushës dhe nis të mbajë një fjalim. “Këto dy ditë që na mbeten duhet të bëjmë një stërvitje në maksimumin tonë. Përqendrimi në fushë duhet të jetë kryesori për të gjithë. Duhet të jemi një ekip i kujdesshëm.

Nuk duhet të neglizhojmë asgjë. Lëvizjet në mbrojtje i dua perfekte, duhet të jeni të përqendruar maksimalisht në rivëniet anësore. Asgjë nuk duhet t’ia lëmë rastësisë”, thotë fillimisht Lerda, i përkthyer nga ndihmësi i tij, Kalari. Më pas situatën e merr në dorë përgatitësi atletik.

FIKSOHEN TITULLARËT 

Lerda i kthehet skemës së tij të preferuar, 3-5-2. Edhe dje u konfirmua ajo që kishte paralajmëruar “Panorama Sport”. Dy sulmuesit e krahut, Eraldo Çinari dhe Jasir Asani do ta nisin nga stoli. Risia e madhe është Alesio Hyseni, i cili debuton me fanellën e kuqe në derbi.

aLESIO HYSENI

Me Hoxhën në portë, Lerda rreshtoi në mbrojtje treshen Bitri, Boldor dhe Belica. Në mesfushë nga krahët vepronin Idrizaj dhe Trashi, ndërsa treshja Melo, Hyseni dhe Romero ishin në qendër. Sulmi përbëhej nga Bardhi dhe Solomon. Italiani kërkon një ekip të shkurtër në fushë. “Duhet t’i presojmë lart. Sapo të shikoni që topin e ka portieri, e keni të qartë se çfarë duhet të bëni. Melo, Melo! Dua presion maksimal, sa me fort!” janë këto udhëzimet e Lerdës.

pARTIZANI5

TËRBIMI ME MEDIAT 

Stërvitja befas ndërpritet. Kalari kupton që gazetarët nuk janë larguar nga qendra stërvitore dhe sinjalizon Lerdën. Ky i fundit tërbohet. “Ikni, ikni. Jashtë menjëherë, ju lutem na lini të punojmë!” është kërkesa e trajnerit për përfaqësuesit e medias. Por, në këtë moment ndërprerjeje të stërvitjes ka një keqkuptim. Venezueliani Romero shikon që nga tribuna e vogël largohet edhe një miku i tij, i cili është futbollist dhe stërvitet me Partizanin B.

“Jo, jo çfarë bëni. Është miku im ai mister, pse duhet të largohet…”, i thotë Romero Lerdës. Një lëmsh i vërtetë, derisa zyrtari i Partizanit, Gjergji Xharo, i jep zgjidhje situatës, duke kërkuar mirëkuptimin e mediave. Gazetarët largohen, ndërsa Lerda vijon punën me goditjet standarde në portën që është më larg pjesës hyrëse të kompleksit.

DEBATI ME ÇINARIN 

Italiani i pankinës së kuqe do shumë përqendrim nga lojtarët në momentin që punon taktikisht me skuadrën. Ai vendos të bëjë skemë nga goditjet standarde, ku kërkon që të marrin pjesë vetëm titullarët, ndërsa pjesa tjetër, të spostohet, por gjithashtu duhet që me detyrim të shikojë ushtrimin. Duke kaluar në pjesën tjetër të fushës, lojtarët që nuk janë projektuar titullarë, nisin të bisedojnë. Por, Çinari ka afër një top dhe duke parë që aty ishin portierët rezervë, Malaj dhe Zaimi, që po stërviteshin nga përgatitësi Kapeçe, kërkon t’i vendosë në provë.

cinari

Goditjen që bën Çinari, Lerda e pikas nga mbi 50 metra distancë dhe aty “çmendet”. “Çinari, Çinari! Mos bëj goditje në portë, kush të tha ty, shiko çfarë bëhet këtu, jo atje”, ishte britma e Lerdës. Shkodrani këshillohet menjëherë edhe nga zv.trajneri Kalari. “Profesor, ju po bëni ushtrimin, çfarë duhet të bëj unë…”, i kthehet Çinari. Është Kalari më pas që i kërkon lojtarit të afrohet dhe të shikojë me kujdes goditjen standarde, pasi mund të jetë ai në një pozicion të tillë gjatë lojës dhe duhet ta dijë shumë mirë skemën.

JORGIS MEMO – PANORAMASPORT.AL

 




Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/

www.minuta90.com