Replikon ish-presidenti Gjoza: Statuti po shkelet nga federata, KOKSH s’ka të drejtë të ndërhyjë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 19, 2020 | 23:35

Replikon ish-presidenti Gjoza: Statuti po shkelet nga federata, KOKSH s’ka të drejtë të ndërhyjë

Pas dështimit të asamblesë zgjedhore dhe caktimit të datës 14 dhjetor për asamblenë e jashtëzakonshme, komuniteti i shtangës vijon me replikat dhe kundër-replikat.

Elez gjoza

Dy ditë më parë, madje ishte kreu i KOKSH-it, Viron Bezhani që u prononcua për situatën kaotike të peshëngritjes, teksa bëri të ditur se mund të merren masa nga Komiteti Olimpik, nëse presidenti i ri zgjidhjet në kundërshtim me statutin e FSHP-së, Bezhani njoftoi edhe disa shkelje statutore që FSHP i ka dërguar KOKSH-it, ku federata argumentonte përjashtmin e kandidaturës së Elez Gjozës.

Ndërkohë është sërish Gjoza që replikon për këtë situatë. Ai thekson se statuti është shkelur nga federata, ndërsa gjithashtu i përgjigjet edhe Bezhanit. Gjoza nuk lë pa komentuar edhe mospjesëmarrjen në asamble të Ministrisë së Sporteve.

STATUTI

Edhe një herë tjetër, ish-presidenti sulmon federatën për përjashtimin e kandidaturës së tij, duke quajtur një veprim të jashtëligjshëm:

“Shkeljet e statutit kanë filluar me përjashtimin e ekipeve nga asambleja dhe kandidaturave nga gara. Federata nuk i referohet statutit por projektstatutit. Pra federata bazohet te statuti i vitin 2019, i cili nuk është i miratuar në gjykatë dhe kjo është një shkelje e rëndë. Ndërsa ne kemi ecur me statutin e vjetër që është ai i ligjshmi.

Megjithatë, pavarësisht kësaj, si te statuti i ligjshëm ashtu edhe te projektstatuti gjithçka shprehet qartë, ku vetëm asambleja është organi më i lartë i federatës që me votën e anëtarëve zgjedh organet e saj drejtuese.

Vetëm asambleja shkarkon presidentin dhe organet e tjera drejtuese me 2/3 e votave. Asnjë komision nuk ka të drejtë që të përjashtojë anëtarët e kryesisë apo kandidaturën e presidentit. Kur unë them që federata është marrë peng i referohem faktin që ata nuk pyesin asnjë institucion dhe veprojnë vetëm sipas interesave të tyre. Por në Shqipëri s’ke ku të ankohesh pasi nuk ka ende gjykatë kushtetuese, apo KAS”, thotë Gjoza. KOKSH Gjoza i përgjigjet gjithashtu edhe kreut të KOKSH-it:

“Bezhani nuk ka si të flasë për statutin sepse nuk është në dijeni të tij. Megjithatë, unë kam respekt për të pasi ka qenë një nga më të mëdhenjtë e sportit shqiptar, si dhe është president i KOKSH. Bezhani madje mbajti një qëndrim shumë të mirë në asamble. Është një njeri të cilin e vlerësoj, por duhet të jetë më i kujdesshëm në artikulim.

Komiteti Olimpik nuk ka të drejtë të ndërhyjë në asnjë federatë, ata vetëm mund të sugjerojnë. Në momentin që statuti shkelet asambleja e federatës e çon paligjshmërinë në ligjshmëri. Kohë më parë është abuzuar kur thuhej se KOKSH ka përjashtuar anëtarët e kryesisë së federatës, pasi kjo është e pavërtetë, e paligjshme dhe në shkelje me statutin”.

MINISTRIA

Në fund ishpresidenti i FSHP-së flet edhe për mospjesëmarrjen në asamblenë zgjedhore të përfaqësuesve të Ministrisë së Sporteve dhe rëndësinë që ka ky institucion: “Unë kam zhvilluar një takim edhe me ministren dhe jam ndarë nga me vlerësimet maksimale, pasi ministrja e ndonëse është e re në detyrë është shumë e përkushtuar edhe për sportin.

Duhet patjetër që në asamble të jenë edhe përfaqësuesit e ministrisë. Pjesëmarrja e tyre është tepër e rëndësishme sepse është ministria ajo që ka të drejtën e certifikimit të zgjedhjeve. Por vetëm kaq sepse si ministrisë ashtu edhe KOKSH-it nuk u lejohet të ndërhyjnë në asamble”, përfundoi Gjoza.

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"