Replika e Martinit: Edhe 10 Bakaj të bashkohen, s’vlejnë sa unë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 7, 2017 | 22:12

Replika e Martinit: Edhe 10 Bakaj të bashkohen, s’vlejnë sa unë

Edi Martini i përgjigjet Elis Bakajt. Replikat e ish-sulmuesit të njohur dhe më pas ish-trajnerit të Vllaznisë me fantazistin që mbylli sezonin si kuqeblu kanë vijuar edhe dje, kur Bakaj, në një intervistë për “Panorama Sport”, theksoi se Martini e ka sulmuar, pasi ka qejf të dalë në gazetë.

Martini

Kundërpërgjigjja e 42-vjeçarit shkodran ka qenë e ashpër. “Sikur dhjetë Bakaj të bashkohen me njëri-tjetrin, prapë nuk munden dot të vlejnë sa emri im në futboll.

bakaj

Nuk kam nevojë unë të dal në gazeta, pasi e dinë të gjithë kush është Edi Martini. Sa kanë shkruar për mua, atij djalit i duhet të luajë 100 vite dhe prapë nuk më kap dot. Mjerë futbolli shqiptar me lojtarë si puna e Bakajt!”, thotë fillimisht Martini, i cili që përpara ardhjes te Vllaznia të fantazistit bëri të ditur se një lojtar si ai më shumë do t’i prishë punë, sesa do t’i ndreqë skuadrës.

edi martini

“Unë e kam paralajmëruar atë që do të ndodhte dhe u vulos në ndeshjen ndaj Tiranës, kur ai e braktisi Vllazninë. Më vjen keq që emrin tim e përmendin futbollistë të tillë”, deklaron ish-sulmuesi shkodran.

SITUATA TE VLLAZNIA

Martini ndalet edhe te situata aktuale e Vllaznisë. Sipas tij, i vetmi lajm i mirë është rikthimi i shkodranëve Edon Hasani dhe Gilman Lika. “Në Shkodër presioni është shumë i madh për Vllazninë. Mbaj mend shumë vite më parë kur kemi qenë në vend të tretë dhe pranë nuk na vinin tifozë në stadium. Kërkesat e sportdashësve shkodranë janë të larta dhe kjo është e kuptueshme, pasi ata e dashurojnë futbollin dhe duan ta shohin Vllazninë gjithnjë pretendente, jo për mbijetesë.

Vllaznia festa

Tashmë tifozët janë bërë pesimistë dhe natyrshëm ajo që është shfaqur sezonin e shkuar me praninë e paktë të tyre në stadium. Presioni rreth skuadrës sa vjen e shtohet, pasi ka ndikim të madh edhe fakti që në rrjetet sociale flitet shumë rreth Vllaznisë. Bashkia po mundohet të mbajë këtë presion, por natyrisht Vllaznia ka më shumë nevojë se kurrë për një dorë të fortë.

Pra, për një njeri që ta trajtojë klubin sikur ka shtëpinë e tij. Klubi duhet parë si biznes dhe deri në momentin që bashkia do të vazhdojë ta administrojë, gjërat kështu do të vazhdojnë. Nuk shoh dritë jeshile nëse nuk ka privatizim të klubit. Edhe pse bashkia ka investuar shumë, prapë milionat e hedhura nuk janë justifikuar në sezonet e fundit. Nuk e di pse ka ndodhur kështu, por të paktën në pesë vitet e fundit, me atë buxhet që ka pasur Vllaznia, duhet të ishte më dinjitoze.

Vllaznia festa

Gjithsesi, unë nuk njoh ndonjë punëtor shteti apo bashkie që e bën punën me qejf. Nëse klubi do të mbetet në dorën e një ndërmarrjeje të shtetit, kurrë nuk do të ketë atë kërkesë llogarie që mund të ketë te privati. Kjo është arsyeja kryesore që klubi ka pasur keqmenaxhim këtë periudhë”, është shprehur Martini. Për ishbomberin kuqeblu, Vllaznia nuk shkon më shumë se vendi i pestë në sezonin e ri.

Martini ne Luftetari-Skenderbeu 0-1

“Unë kam besim se mund të bëhet diçka e mirë për sezonin e ri. Një sinjal u dha me rikthimin e Hasanit dhe Likës, por duhet parë edhe ndonjë shkodran tjetër që është në treg. Me dy-tre përforcime cilësore, mendoj se do të jetë një skuadër që do të renditet në vendin e pestë.

E them këtë sepse i shikoj disi më të shkëputura skuadra si Partizani, Skënderbeu, Kukësi dhe Flamurtari. E rëndësishme është që skuadra të mos ketë telashet e viteve të fundit. Më shumë se vendi i pestë nuk mundet, të paktën ky është mendimi im”.

JORGIS MEMO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"