“Rënia nuk është fundi i botës”, ish-drejtori i Flamurtarit: Ngjitja në Superiore nuk do të jetë e lehtë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 15, 2020 | 12:33

“Rënia nuk është fundi i botës”, ish-drejtori i Flamurtarit: Ngjitja në Superiore nuk do të jetë e lehtë

Për Flamurtarin do të jetë e vështirë ngjitja në Superiore. Në këtë linjë qëndron edhe ish-drejtori i klubit vlonjat, Vangjel Laluci. Gjatë një interviste për “Panorama Sport”, ai thekson se nuk duhet nxituar me objektivin e kthimit në Superiore, më i rëndësishëm është projekti i rikthimit në nivelin që kërkon Flamurtari. Këshilla e ish-drejtuesit është që të rinjtë të ndiejnë peshën e fanellës dhe të japin gjithçka për të. Laluci nuk e shikon si dramë rënien nga elita.
vangjel-laluci-e1481535848941
Laluci, e mendonit se do te binte Flamurtari nga Superiorja?
Në futboll të gjitha mund të ndodhin, edhe rënia nga Superiorja. Të mos harrojmë se futbolli është një garë dhe jo një luftë. (qesh).

A mund të ngjitet ky ekip brenda një sezoni në elitë?
Nuk do të jetë aspak e lehtë ngjitja në Superiore. Është një kategori që në vetvete përmban sfida të shumta, si nga pikëpamja teknike dhe nga ajo psikologjike, ku përvoja jonë në këtë kompeticion është inekzistente. Kjo mendoj do jetë vështirësia më e madhe, duke qenë se përbërja e ekipit është e re në moshë. Përshtatja do të ishte instrumenti më i rëndësishëm për përballimin e sfidave të së Parës dhe mendoj se trajneri dhe stafi duhet të fokusohen më së shumti këtu.

Mund të përballohet gara vetëm me elementë të akademisë?
Gëzohem që në ekip qëndruan Ribaj dhe Moçka. Ata duhet të luajnë një rol shumë të madh në ekip, falë eksperiencës së tyre, por do të ishte pak nëse nuk mbështeten nga stafi. Elementët e ardhur nga akademia duhet të kuptojnë peshën që kanë. Të dëgjojnë shumë dhe të përpiqen maksimalisht për t’u afirmuar, të mendojnë për vazhdimësinë e karrierës së tyre, duke shfrytëzuar mundësitë që u jepen.
flamurtari
Mos ndoshta ndodh që Flamurtari të “harrohet” në të Parën?
Nuk e besoj. Flamurtari nuk rrezikon si disa ekipe të traditës, por do të preferoja të mos nxitoheshim në ngjitje. Nuk është “fundi i botës” rënia, mua më intereson projekti që do të kemi për t’u kthyer ashtu siç duhet dhe siç i takon Flamurtarit.

Ju keni qenë drejtues te Flamurtari, e njihni ambientin mirë. Pse mendon se ka ardhur kjo situatë dhe si duhet të zgjidhet?
Mendoj se sot nuk ka rëndësi të flitet për “koka turku”. Le të shohim të ardhmen që t’i bëjmë gjërat më mirë. Zgjidhje magjike nuk mund të ketë, por vetëm përkushtim dhe respekt për fanellën e Flamurtarit.

Ndeshja e parë e sezonit me Turbinën. Si e shikoni?
Besoj se thënia “fillimi i mbarë është gjysma e punës” në këtë rast ka vend. Turbina po bën një investim serioz, me një trajtim financiar të admirueshëm, ndaj mendoj se do na vërë në vështirësi. Dua të them që duhet vlerësuar maksimalisht çdo kundërshtar, duke i marrë ndeshjet me radhë dhe shumë seriozisht. Në grupin tonë janë të gjithë ekipe të traditës dhe kjo e bën atraktiv kompeticionin, por edhe shumë të vështirë ngjitjen në Superiore. Uroj që gjërat të shkojnë mirë.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"