Rënia e Elbasanit në të Dytën nuk shqetëson asnjë në klub, zbulohen prapaskenat e takimit me Dukën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 18, 2020 | 10:40

Rënia e Elbasanit në të Dytën nuk shqetëson asnjë në klub, zbulohen prapaskenat e takimit me Dukën

Në Elbasan duket sikur nuk u intereson shumë rënia e ekipit në Kategorinë e Dytë për mungesë licencimi, duke harruar sakrificat e sezonit të kaluar, kur mes shumë peripecish verdheblutë mbijetuan.

Elbasani-Shenkolli

“Panorama Sport” u mundua të merrte një reagim nga drejtuesit elbasanas, por nuk pati asnjë reagim në lidhje me këtë çështje. Bëhet fjalë për një “rrufe në qiell të hapur”, por që, me sa duket, nuk ka shqetësuar askënd në klub, madje nuk dihet nëse do të apelojnë apo jo.

Burime të sigurta në klub pohojnë për gazetën se këto ditët e fundit para licencimit të klubeve, presidenti Arben Laze ka zhvilluar takime me kryebashkiakun Gledian Llatja dhe me presidentin e FSHF-së, Armand Duka. Fillimisht Laze është takuar me Llatjen dhe tema e diskutimit ka qenë sigurisht klubi dhe e ardhmja e tij, me aksionet që janë ende në gjyq.

Mister mbetet takimi me Dukën gjatë kohës që diskutohej për licencimin e klubeve në Kategorinë e Parë. Nuk mund të thuhet se këto bisedime dhe takime kanë lidhje me moslicencimin e Elbasanit për këtë sezon apo kanë qenë thjesht rastësore.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"