Rendimenti i Hysajt “çmend” agjentin e Maskeranos: Është i saktë në çdo ndeshje

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 9, 2017 | 12:50

Rendimenti i Hysajt “çmend” agjentin e Maskeranos: Është i saktë në çdo ndeshje

Majtas apo djathtas nuk ka shumë rëndësi për të. Elseid Hysaj përshtatet në mënyrë fantastike dhe jep gjithçka nga vetja e tij për të ndihmuar Napolin që të fitojë. Dëmtimet që ka pasur reparti i mbrojtjes së skuadrës së Sarrit kanë bërë që mbrojtësi i Kombëtares shqiptare të mos ketë luksin të pushojë, por të luajë thuajse çdo ndeshje.

hysaj

Dhe, për më tepër, me një ritëm të njëjtë dhe të pëlqyeshëm. Nëse nuk e besoni këtë të mësipërmen, mjafton të shihni deklaratën që ka bërë përfaqësuesi i menaxherit të Maskeranos për Italinë. Bernardo Brovarone thotë se është surprizuar nga mënyra se si luan mbrojtësi shqiptar dhe e dallon mbi të tjerët për vazhdimësinë që ka në fushën e lojës.

“Napoli është duke bërë diçka të jashtëzakonshme dhe kjo gjë duhet t’i kujtohet në përjetësi. Por, përveç lëvdatave për gjithë skuadrën dua të veçoj dikë. Është një lojtar që më çmend. Flitet shumë pak për të, por Elseid Hysaj ka një rendiment të pabesueshëm. Është gjithmonë i njëjtë dhe i saktë në ndeshjet që bën.

Edhe ai në ndeshjet e fundit ka pasur një rënie të vogël, por duke qenë se i gjithë Napoli nuk është mirë, më bën të mendoj se është problem i skuadrës dhe jo i lojtarit. Ndoshta është prej lodhjes dhe ndeshjeve të shumta”, ka thënë Brovarone.

Menaxheri – Për mbrojtësin e Kombëtares shqiptare ka folur edhe menaxheri i tij, Mario Xhufredi.

Ai ka thënë se media dhe tifozët duhet t’i mbrojnë lojtarët në momente të vështira. “Te Juventusi nuk ndodhte e njëjta gjë kur skuadra ishte në moment të vështirë. Hysaj dhe Mario Rui e dinë situatën në të cilën ndodhen dhe po bëjnë më të mirën për ta ndihmuar Napolin në këto çaste.

Merkato? Të dy lojtarët e mi kanë kontrata të gjata me drejtuesit e Napolit dhe nuk më tremb aspak fakti që mund të kenë rivalitet në skuadër. Drejtuesit duhet t’i bëjnë llogaritë me ata të dy”, tha menaxheri i Hysajt.

GENTJAN ALINANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"