“Rëndësi ka të marrim 3 pikët”, flet Dejvi Bregu në prag të ndeshjes me Partizanin: E kemi potencialin për dy trofetë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 20, 2021 | 19:18

“Rëndësi ka të marrim 3 pikët”, flet Dejvi Bregu në prag të ndeshjes me Partizanin: E kemi potencialin për dy trofetë

Nesër luhet sfida më e rëndësishme e javës se 25-të në Superligën shqiptare, Partizani-Teuta e cila është një ndeshje vendimtare sa i përket vazhdimësisë së kampionatit.

Dejvi Bregu Teuta

Në prag të sfidës së nesërme, pas prononcimit të trajnerit të durrsakëve Edi Martini, ka folur dhe sulmuesi i Teutës, Dejvi Bregu teksa preku pika më të rëndësishme si sfida ndaj Partizanit dhe objektivat momentale të ekipit.

Ndeshja me Partizanin: “Pak rëndësi ka kush shënon dhe e zgjidh ndeshjen. Rëndësi ka të marrim tre pikët dhe të shkojmë të gjithë të lumtur në shtëpi. Nuk diskutohet që me Partizanin është një ndeshje shumë e vështirë. Janë rival direkt i yni dhe i respektojmë, siç edhe na respektojnë. Do jetë një ndeshje e luftuar nga të dyja këmbët dhe do të zgjidhet nga episodet”.

Atmosfera në ekip: “Besoj se atmosfera në ekip është e mirë, pasi kemi zgjidhur çështjen e kualifikimit në kupë. I gjithë përqendrimi ynë është te ndeshja me Partizanin, për Laçin do mendojmë më pas. Partizanin e kemi vlerësuar maksimalisht dhe shpresoj të jemi ne fitimtarët”.

Drejtuesit: “Diskutimi është gjithmonë i njëjti, që të jemi të përqendruar maksimalisht në çdo ndeshje. E dimë edhe vetë që kemi bërë hapa të gabuar gjatë këtij kampionati, por edhe të tjerët kanë gabuar. Sa i përket drejtuesve, ata kanë qenë afër ekipit dhe na kanë mbështetur. Të gjithë së bashku jemi për një qëllim”.

Përshtatja në ekip: “Varet si e shihni ju. Te Skënderbeu luanim me tjetër modul, ishin të tjerë lojtarë, këtu jemi përshtatur ne me ekipin. Vinim në ekip të ri, është tjetër skuadër. Shpresoj që si unë, si Krasniqi, si Daja, që jemi lojtarët të ardhur, t’i japim një ndihmë ekipit dhe ta mbyllim me titullin kampion.

Objektivat: “E kemi të gjithë potencialin për të luftuar për të dy trofetë. Objektiva e klubit janë maksimale, pavarësisht se unë apo edhe të tjerë këtu përqendrimin më të madh e kanë te kampionati. Jo duke e nënvlerësuar kupën, por kampionati është diçka e madhe. Mund t’ia dalim, por kjo tregohet hap pas hapi dhe ndeshje pas ndeshje”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"