“Rëndësi ka ruajtja e grupit, morëm lojtarët e duhur”, Memelli: Me VAR-in, meritokracia do të jetë në nivelet më të larta

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 11, 2021 | 10:12

“Rëndësi ka ruajtja e grupit, morëm lojtarët e duhur”, Memelli: Me VAR-in, meritokracia do të jetë në nivelet më të larta

Migen Memelli ndez “motorët” e Skënderbeut në prag të ndeshjes së parë të kampionatit. Në konferencën e parë sezonale para mediave, trajneri i ekipit korçar ka uruar fillimisht të gjithë aktorët e futbollit në vend për një kampionat sa më të qetë dhe cilësor. “Së pari dua të uroj lojtarët e Skënderbeut për një kampionat sa më të suksesshëm dhe dinjitoz. Gjithashtu uroj edhe lojtarët e tjerë në të gjitha kategoritë e futbollit në vend. Së dyti, uroj kolegët e mi, tifozeritë, gjyqtarët, për të pasur një sezon të mirë dhe pa presione, ku edhe sistemi VAR do të japë një ndihmë të jashtëzakonshme. Në fund, por jo nga rëndësia, uroj edhe mediat”, u shpreh trajneri Memelli. Më tej, trajneri ka karikuar të tijtë për të marrë më të mirën në ndeshjen e parë në kryeqytet përballë Tiranës. Pavarësisht forcës së rivalit, Memelli ka kërkuar ndeshjen perfekte për të nisur sezonin në mënyrën më të mirë të mundshme. Kryepankina korçare u ndal edhe tek analiza e ekipit dhe e merkatos duke u shprehur relativisht i kënaqur për faktin se është ruajtur boshti i sezonit të kaluar dhe janë bërë përforcimet e duhura duke dubluar çdo pozicion në skuadrës.

Memelli

Keni pasur një fazë të gjatë përgatitore. A ishte e nevojshme dhe e mjaftueshme për ju si trajner i Skënderbeut?

Po e drejtë, kemi nisur në 15 korrik dhe pa diskutim që nuk është e lehtë, pasi lojtarët kalojnë lodhjen fizike dhe vuajtjen e pritjes. Kur kampionati fillon gjërat bëhen më të thjeshta. Gjithsesi, e rëndësishme është që kemi kaluar një periudhë shumë të mirë, pa dëmtime dhe gjendja e lojtarëve është shumë e mirë.

Mënyra se si klubi ka vepruar në merkato ju ka lënë të kënaqur?

Kryesorja e kësaj skuadre ishte ruajtja e grupit nga sezoni i kaluar. Kjo ishte ajo që kam kërkuar, si dhe për të bërë disa përforcime më pas atje ku ishte e nevojshme. Besoj se kërkuam dhe morëm lojtarët më të mirë të mundshëm për skuadrën tonë dhe që na përshtaten me lojën. Në këtë pikë besoj se jemi të kompletuar.

A ka ndonjë peng Memelli nga afrimet dhe largimet e kësaj merkatoje?

Nuk kam asnjë lloj pengu. Me lojtarët e larguar kemi folur hapur dhe u kemi bërë të qartë se nëse do të qëndronin, minutazhi për ta do të ishte i pakët. Nga ana tjetër, kemi kërkuar dhe afruar futbollistë me një nivel të përafërt me titullarët që do të na ndihmojnë, pasi sezoni do të jetë i gjatë dhe do të kemi nevojë për të gjithë.

Sezonin e kaluar keni vuajtur shumë edhe psikologjikisht…

Derisa të gjitha rezultatet nga 3 shkurti, kur unë mora drejtimin e ekipit dhe deri në fund të majit ne u përballëm si të barabartë me të gjithë të mëdhatë, besoj se edhe lojtarët e kuptuan se diferencat janë të vogla kur gjërat bëhen siç duhet dhe jepet maksimumi në fushë.

Ky do të jetë objektivi i Skënderbeut edhe këtë sezon?

Objektivi i Skënderbeut do të jetë ndeshja e parë me Tiranën, ku duhet të hyjnë në fushë dhe të japin maksimumin pa menduar se çfarë vjen më pas. Ata duhet të bëjnë gjërat e duhura në fushë dhe të fillojnë kampionatin në mënyrën më të mirë të mundshme.

Sa e vështirë do të jetë ndeshja ndaj Tiranës?

E vështirë është pasi luhet në kryeqytet. Tirana kërkon ta fillojë mirë kampionatin, por edhe ne po ashtu. Tirana është një ekip cilësor që ka pretendime madhore, por ne shkojmë atje me bindjen se do të bëjmë mirë dhe do të nisim sezonin në mënyrën më të mirë të mundshme.

Prisni një sezon më të qetë këtë vit?

Më i qetë në aspektin psikologjik, pasi skuadrat nisen të barabarta në fillim të kampionatit. Por ndeshje pas ndeshjeje tensioni në punën tonë ndihet, pasi varet çdo gjë nga rezultatet. Pikësynimi jonë është të bëjmë më të mirën, hap pas hapi dhe të marrim atë që na takon.

Sistemi VAR çfarë risie do të sjellë?

Është një sistem që na ndihmon të gjithëve. Mund të ketë gabime, por që mendoj se gjyqtarët me koshiencë të plotë, duke parë edhe filmimet nuk do të kenë mundësi të gabojnë aq shumë sa më parë. Kam përshtypjen se meritokracia në këtë kampionat do të jetë në nivelet më të larta.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"