Arapi do arratinë: S’jemi të qetë me 4 pikë para Partizanit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 19, 2016 | 16:01

Arapi do arratinë: S’jemi të qetë me 4 pikë para Partizanit

arapiRenato Arapi mendon se Skënderbeu nuk mund të jetë i qetë në garën me Partizanin, edhe pse është katër pikë më shumë në krye të renditjes. Mbrojtësi me shumë eksperiencë i kampionëve në fuqi, dje, gjatë një interviste për “Panorama Sport”, foli për ndeshjen ndaj Partizanit, atë të radhës kundër Flamurtarit, si dhe shanset e titullit.

Renato, ndeshja me Partizanin ka ditë që është mbyllur, por përplasjet vijojnë jashtë fushe. Si i komentoni deklaratat e të kuqve?

Unë nuk dua të shkëputem nga linja e klubit, që kërkon të mos bëhet objekt i polemikave të kota. Dervishi është një person me post te Partizani dhe e ka për detyrë të mbrojë klubin e tij në çdo situatë, ndërsa ne e kemi hedhur pas shpine atë takim. Mendoj se barazimi ishte një rezultat i merituar dhe askush nuk ndikoi në këtë rezultat.

Diferenca ka mbetur katër pikë ndaj të kuqve, tani titulli më pranë?

Katër pikë ndaj një rivali nuk janë asnjëherë pak, por edhe shumë sa për të qenë të qetë nuk janë. Ka edhe 10 takime deri në fund të kampionatit dhe besoj se asgjë nuk është e vendosur. Prandaj duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë dhe të mendojmë për ndeshjen e radhës.

Nga 10 ndeshje të mbetura, 6 do t’i luani në shtëpi. Është ky një favor më shumë?

Është një plus i madh për ne, pasi do të luajmë përballë tifozërisë, që do të na mbështesë më shumë. Megjithatë, ne nuk është se e kemi problem të luajmë në transfertë.

Në Korçë vjen Flamurtari, si e mendoni këtë takim?

Do të jetë një ndeshje shumë e fortë, për vetë faktin se Flamurtari ka një ekip të mirë dhe luan denjësisht, sidomos përballë skuadrave të kreut. Mendoj se vlonjatët nuk hyjnë në listën e ekipeve të vogla dhe kjo është një arsye më shumë që ne duhet të jemi më të motivuar. Pra, duhet të vlerësojmë në maksimum kundërshtarin për të marrë fitoren.

Vlonjatët luftojnë për mbijetesë dhe duan me çdo kusht pikë, mos ndoshta kjo e bën më të vështirë takimin?

Normalisht që po. Flamurtari është një ekip që kërkon pikë në këto momente të kampionatit, ashtu sikur do të jenë edhe ekipet e tjera që janë në ato pozicione. Prandaj, ndeshjet tani në fazën e katërt do të bëhen akoma edhe më të vështira. Ne do të mundohemi të mos kemi parasysh renditjen në këto takime, por të shohim se çfarë është i aftë të bëjë kundërshtari. Flamurtari është një ekip që të hap probleme, por Skënderbeu fitoren e ka gjithmonë detyrim.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"