Rekordmeni Flik: Bajerni ia del edhe në Rusi, kjo skuadër më zbavit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 27, 2020 | 15:30

Rekordmeni Flik: Bajerni ia del edhe në Rusi, kjo skuadër më zbavit

Hansi Flik, trajneri i Ba jernit të Mynihut, është i bindur se skuadra e tij do të kthehet nga Moska me tri pikë, nëse luan si në ndeshjet e fundit. 55-vjeçari konfirmon se skuadra e tij po kalon një formë të shkëlqyer dhe kjo do të shihet edhe sot në fushën e lojës. Shifrat flasin vetë për teknikun bavarez, i cili nuk njeh humbje në Champions që nga koha kur mori drejtimin e skuadrës. Numri i shumtë i golave të shënuar janë një tjetër tregues se skuadra e tij është një makineri perfekte. 45 ndeshje, 150 gola të shënuar në total me një mesatare prej 3.3 golash për ndeshje. Në 21 ndeshje, skuadra gjermane ka shënuar gjithmonë më shumë se katër gola, por nuk është vetëm sulmi arma kryesore e skuadrës gjermane që në 23 sfida ka mbajtur portën e saj të paprekur. E gjithë kjo ka sjellë atë që në botën e futbollit quhet dominim absolut. Pesë trofe në gati 11 muaj nga dita e parë kur Flik mori drejtimin e skuadrës. Shifra të frikshme!

flik

Ndeshjet e fundit kemi parë një super Bajern, do të jetë edhe ndaj Lokomotivës kështu?

Kohët e fundit kemi folur shumë për ngarkesën e mungesat dhe pak për mënyrën se si luan skuadra. Më pëlqen që kam parë djem që japin 101% në fushën e lojës. Është edhe çështje mentaliteti, skuadra gëzon një shëndet të plotë edhe në këtë aspekt. Nuk mund të ndodhë ndryshe kur ke fituar kaq shumë në pak kohë. Ndaj Lokomotivës pres të njëjtin angazhim si në ndeshjet e fundit, besoj se do të dalim me kokën lart.

Si është gjendja e skuadrës, do të ketë ndryshime?

Do të shohim në orët në vazhdim. Në stërvitjen e fundit gjithçka shkoi sipas planit dhe nëse nuk do të kemi surpriza të këqija, atëherë skuadra do të mbesë e pandryshuar. Roka? Është duke bërë një punë të mirë dhe deri tani jam i kënaqur me të, nuk e di nëse do të luajë nesër (sot). Nëse je pjesë e skuadrës, je gjithmonë një mundësi zgjedhjeje, të shohim.

Ndaj Frankfurtit pamë një Leroi Sane në formë të mirë. Do të jetë nga minuta e parë në Moskë?

Nuk e di, por i sigurt është fakti që Leroi është rikthyer si më parë. Ndaj Frankfurtit nuk kishte shqetësime në gju dhe të gjithë e pamë se çfarë goli shënoi. Gnabri është gjithashtu një mundësi. Në sulm kam disa mundësi zgjedhjeje dhe kjo është diçka pozitive.

flik

Si është gjendja e Dejvisit?

Mjekët më komunikuan se nuk është një dëmtim edhe aq serioz sa u duk në fillim. Në ditët e sotme, nëse trajtohet mirë, mund të shërohet shpejt, por, gjithsesi, ai do të jetë të paktën 6 javë larg skuadrës. Jam i bindur që do të kthehet më i fortë se ç’ishte në sezonin e kaluar. Alfonso është një luftëtar. Ne do ta ndihmojmë atë për ta kaluar sa më lehtë këtë dëmtim.

Prisni surpriza nesër (sot)?

Në futboll është mirë të mendosh edhe për gjërat që mund të shkojnë keq. Nuk më pëlqen ta bëj, por është e domosdoshme. Kundërshtari ka ambicie dhe do të kërkojë të na ndalë me çdo kusht. Në Champions nuk ka asnjëherë ndeshje të lehta, por ne do të jemi aty, të fokusuar dhe gati për të dalë me fitore nga fusha e lojës. Një trepikësh në ndeshjen e dytë do të na jepte siguri për vazhdimësinë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"