Rekordi me trajnerët, Elbasani nuk të shkarkon. Presidenti Laze ka hequr vetëm 1

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 17, 2019 | 23:25

Rekordi me trajnerët, Elbasani nuk të shkarkon. Presidenti Laze ka hequr vetëm 1

Prej afro një dekade Elbasani është ka pluar nga një krizë ekonomike dhe rezultatesh, teksa gjatë këtij 10-vjeçari i ka provuar të tria nivelet e futbollit shqiptar, Superioren, Kategorinë e Parë dhe të Dytën. Duke qenë gjithnjë në nivele të dobëta dhe në mungesë rezultatesh, i pari që e pëson, të paktën sipas një rregulli të futbollit, aq më shumë me presidentët shqiptarë, është pa dyshim trajneri.

laze

Mjaftojnë disa rezultate negative dhe trajneri largohet, por në Elbasan kurrsesi nuk ka ndodhur kjo gjë. “Panorama Sport” i ka bërë një vëzhgim situatës me trajnerët që ka pasur klubi verdheblu gjatë këtyre 10 viteve të fundit dhe konkluzioni është i qartë, presidenti Arben Laze ka shkarkuar vetëm një trajner, Krenar Alimehmetin, konkretisht në sezonin 2010- 2011.

alimehmeti

Nga ajo kohë kanë kaluar 10 vjet dhe fjala “shkarkim” është hequr nga fjalori në Elbasan, kështu që Shkëlqim Lleshanaku mund të punojë i qetë. Elbasani mund të konsiderohet një klub për t’u marrë shembull në këtë drejtim, edhe pse problemet financiare e kanë dërguar në këto nivele. Gjatë këtij 10-vjeçari janë 8 trajnerët që e kanë drejtuar skuadrën elbasanase.

DORËHEQJET – Nëse për shkarkime duhet të kthehemi 10 vite pas, e njëjta nuk mund të thuhet për dorëheqjet në klubin e Elbasanit, edhe pse ato janë me pikatore. Bëhet fjalë vetëm për tre trajnerë që kanë dhënë dorëheqjen, duke marrë përgjegjësinë për rezultatet e dobëta të skuadrës.

laze-duka-sejdini

Presidenca u ka kërkuar qëndrimin, por dorëheqjet kanë qenë të parevokueshme. Ilirjan File në sezonin 2014-2015 në Superiore, pas rezultateve të dobëta dha dorëheqjen dhe u zëvendësua nga ndihmësi i tij, Muharrem Dosti. Sezonin e kaluar, Eriol Merxha dha dorëheqjen pas tri ndeshjesh dhe u zëvendësua nga ndihmësi i tij, Elvis Kotorri, i cili gjithashtu u largua pak javë para mbylljes së kampionatit dhe në ndeshjen e fundit skuadrën e drejtoi Marsid Dushku.

PËRFUNDIM KONTRATE – Vetëm dy trajnerëve u ka përfunduar kontrata në fund të sezonit dhe nuk e kanë vazhduar bashkëpunimin. Muharrem Dosti e drejtoi skuadrën verdheblu për 3 sezone radhazi, nga 2014-ta deri në 2017-ën dhe pas përfundimit të kontratës ia la vendin Eriol Merxhës.

Trajneret

Marsid Dushku i mundësoi sezonin e kaluar qëndrimin në kategori Elbasanit, por nuk rinovoi dhe këtë sezon është në rolin e zv/trajnerit. Përpos këtyre rasteve, ka edhe një largim me marrëveshje nga të dyja palët, pra as dorëheqje dhe as shkarkim. Bëhet fjalë për boshnjakun Esad Karishik, i cili në sezonin 2010- 2011 mori vendin e të shkarkuarit Alimehmeti, por kur skuadra doli nga objektivat, me marrëveshje u ndërpre kontrata në mes.

VLADIMIR MEMA  – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"