Rekordi me 100 pikë, Barça do historinë/ Vetëm katalanasit dhe Reali i Madridit kanë arritur të…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 3, 2023 | 22:15

Rekordi me 100 pikë, Barça do historinë/ Vetëm katalanasit dhe Reali i Madridit kanë arritur të…

Barcelona është drejt rrugës për të shkruar historinë në La Liga. Me fitoren e vuajtur kundër Betisit të mërkurën në mbrëmje (1-2), katalanasit kanë mbyllur xhiron e parë në La Liga (19 ndeshje) në kuotën e 50 pikëve.

Barcelona

Një shifër të tillë “Blaugranat” e kanë arritur edhe në 5 raste të tjera. Por kjo është vetëm gjysma e punës, sepse ajo që vlen më shumë është fakti se nëse Barcelona vazhdon me këto ritme, në fund të sezonit, skuadra e drejtuar nga Ksavi Hernandez do të thyejë barrierën e 100 pikëve. Në historinë e La Ligës, vetëm në dy raste është arritur vlera me tri shifra dhe protagonistët janë Reali i Madridit dhe Barcelona. Për të gjetur një rekord të ngjashëm, duhet t’i kthehemi sezonit 2017- 2018 kur në krye të katalanasve ishte Ernesto Valverde.

Në atë rast, “Blaugranat” arritën 51 pikë në gjysmë të rrugës, teksa do ta përfundonin kampionatin në krye me 93 pikë. Në sezonin 2013- 2014, Barcelona arriti 50 pikët në mesin e sezonit kur në krye të saj ishte Tata Martino. Më parë, në sezonin 2012-2013, katalanasit arritën në mes të kompeticionit me 55. Atë sezon, me Tito Vilanovën në pankinë, skuadra “cule” arriti të fitonte titullin në La Liga duke thyer për herë të parë në historinë e saj kufirin e 100 pikëve.

Trajneri aktual i Barcelonës, Ksavi Hernandez, e di fare mirë një gjë të tillë, sepse ishte protagonist në fushë, duke luajtur 30 ndeshje të atij sezoni. Në sezonin 2010-2011, katalanasit arritën gjithashtu 52 pikë me Guardiolën në stol dhe me të njëjtin trajner në sezonin 2008-2009, arritën 50 pikë në gjysmën e sezonit.

Në katër nga pesë rastet në të cilat Barcelona ka arritur 50 pikët në 19 takimet e para në La Liga, Barcelona ka arritur ta mbyllë sezonin si kampione. Vetëm në sezonin 2013-2014 ajo e humbi titullin në favor të Atletikos së Madridit.

PRECEDENTËT – Përpara se Barcelona në sezonin 2012-2013 të arrinte 100 pikët në La Liga, para saj e kishte bërë Reali një gjë të tillë. Në sezonin 2011-2012 kur Murinjo ishte në krye të Realit të Madridit, “Los Blancos” fitonin titullin në La Liga duke thyer barrierën e 100 pikëve.

Ishte e para herë në historinë e La Ligës, që një skuadër fitonte titullin me 100 pikë. Tani mbetet për t’u parë nëse Ksavi do t’ia arrijë dhe ai të shënojë emrin e tij krahas Murinjos dhe Vilanovës.

Përgatiti: LEDJO SEFERKOLLI – PANORAMASPORT.AL