Rekordi i zi i Besës me 11 ndeshje pa fitore, ja çuditë në Kavajë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 20, 2018 | 10:31

Rekordi i zi i Besës me 11 ndeshje pa fitore, ja çuditë në Kavajë

Ky sezon do të mbahet mënd si sezoni i rekordeve të zeza për Besën. Janë rezultatet më negativet në 95 vite histori të klubit verdhezi. Kështu, ekipi, me barazimin e së shtunës me Vllazninë B, shënoi rekordin më negativ duke mos fituar asnjë ndeshje për 11 javë rresht. Suksesi i fundit daton më 21 tetor në Burrel dhe më pas dy barazime e 9 humbje radhazi.

Besa

Jo vetëm kaq, por Besa ka një tjetër rekord të zi, atë të golave të shënuar. Kështu, ka realizuar vetëm dy gola në 11 javë dhe ato në dy humbjet turpëruese, në Kavajë me Egnatian 1-5 dhe Besëlidhjen 1-4.

Falë kësaj, Besa mbetet ekipi me golavarazhin më negativ në grup. Mjaftojnë këta tregues për të konkluduar se sezoni 2017-2018 do të mbetet si sezoni më i zi në historinë e Besës, të paktën deri tani. Këto rezultate negative kanë brenda tyre edhe të tjera çudi.

besa-470x262-470x262

ÇUDITË – Besa ishte ekipi i vetëm që në janar largoi 11 futbollistë ose thënë ndryshe një ekip të tërë. Konkretisht, u larguan si “fajtorë” portierët Kaloshi e Rexhepaj dhe më pas me radhë Hoxha, Kaja, Dervishi, Morina, Isufi, Ngjela, Shabani dhe Emrush Kaloshi i dëmtuar.

Vendin e tyre e zunë lojtarë me përvojë si Miraka, Deliallisi, Pasha, Onuh, Thaçi, Bushati, Brahimaj e Naçi. Shto këtu edhe lojtarët vendës me përvojë Superlige si Mihani, Perja, Duka, Biba, Cara apo i riu Oshafi. Në letër duken të gjithë emra të rëndësishëm, por në 4 takimet e para të vitit 2018, ky grup ka marrë 3 humbje dhe vetëm një barazim javën e shkuar në Rrogozhinë.

Një tjetër paradoks është edhe fakti se Besa e nisi sezonin me objektivin për t’u rikthyer në Superiore, ndërsa tani, kur duhen edhe dy takime që të mbyllet faza e dytë, rrezikon mbijetesën. Pjesa më komike e gjithë kësaj ka të bëjë me faktin se disa futbollistë, duke nisur nga Morina, krahas pagës mjaft të mirë, mësohet se kanë marrë para kesh në dorë në janar.

Të paktën deri më sot askush nuk ka mbajtur përgjegjësi duke reaguar në një formë a formë tjetër. Në të tilla raste, gjobat, penalizimet apo masa të tjera aplikohen në çdo klub, madje edhe kur pëson 3 humbje rresht e jo më kur ekipi ka 11 takime pa fituar.

Bashkia Kavajë ka vijuar t’i paguajë lojtarët në mënyrë korrekte, edhe pse siç cituam më lart, vijojnë të mos fitojnë prej 11 javësh. Për ironi të faktit, një ditë përpara humbjes me Burrelin, futbollistët ngrohën xhepat, por sërish nuk ia dolën. Ka ardhur momenti që dikush duhet të kërkojë llogari e dikush duhet të japë llogari, tashmë që Besa ndodhet në luftën për të mos pësuar fatin e Elbasanit. Ekipi aktualisht renditet në vendin e fundit.

FERIZ FERIZAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"