Rekordi i tmerrshëm i Guardiolës, vetëm 5 fitore në 24 transfertat europiane
Për ata që studiojnë statistikat, humbja e Mançester Sitit ndaj Liverpulit në çerekfinalen e vajtjes në “Anfield”, mund të ketë qenë një surprizë për rezultatin e thellë 3-0, por kurrsesi për fitoren e “reds”- ave. Sepse në 24 transfertat e karrierës së trajnerit katalanas në ndeshjet me eliminim direkt në Ligën e Kampioneve, Guardiola ka fituar vetëm 5 herë në 10 vite.
Është një bilanc i pabesueshëm për një trajner që e ka fituar kompeticionin dy herë me Barcelonën dhe Bajernin e ka dërguar tri herë radhazi në gjysmëfinale gjatë viteve që i drejtoi. Golat e Salahut, Çembërleinit dhe Manesë i vendosin kryesuesit e Premier Ligës përpara një misioni shumë të vështirë të martën në “Etihad”.
Tekniku 47- vjeçar, i cili është mundur 9 herë dhe ka barazuar në 10 raste gjatë kësaj serie, ka shënuar vetëm 27 gola dhe pësuar 32. Atij iu desh të priste ndeshjen e tij të tetë për të arritur fitoren e parë: kundër Shahtjorit në prill 2011. Më vonë atë muaj, ai ndoshta arriti fitoren më të famshme në transfertë në Europë, një sukses 2-0 ndaj Realit të Murinjos në “Bernabeu”.
Ai pësoi një humbje 3-1 ndaj Interit në 2010, ndërsa Mou i udhëhoqi zikaltrit drejt suksesit të tyre të dytë në Champions. Në stolin e Bajernit, Guardiola vuajti humbje sizmike ndaj Realit në 2014 dhe Barçës një vit më vonë.
Fitorja 4- 0 ndaj Bazelit, në 1/8-at në muajin shkurt, u duk se do sillte kohë më të bukura për spanjollin, pasi Siti u mund 3-1 nga Monako një vit më parë. Por ngjarjet e së mërkurës në “Anfield”, lënë pak shpresë, që libri i rekordeve të Pepit të ndryshojë për mirë në ndeshjet jashtë fushe me eliminim direkt.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"