Rekordet historike të Kupës së Botës/ Maldini me minutazhin më të lartë, kush mund të thyhet dhe jo

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 17, 2022 | 23:56

Rekordet historike të Kupës së Botës/ Maldini me minutazhin më të lartë, kush mund të thyhet dhe jo

Botërori i Katarit ësh të në prag dhe do të jetë një edicion unik në llojin e tij, sidomos për periudhën në të cilën zhvillohet. Bëhet fjalë për të parën Kupë Bote në dimër, por edhe i pari në një vend të Lindjes së Mesme. Për herë të dytë trofeu do të udhëtojë në Azi, pas edicionit të 2002-shit në Kore të Jugut/Japoni, por për herë të parë do të “laget” nga Oqeani Indian.

Boterori-2022

Pastaj është klima, me temperatura mesatare që prekin dhe kalojnë 30 gradë celsius, por ky do të jetë gjithashtu Botërori i parë që do të luhet në stadiume me ajër të kondicionuar, në të cilat do të luhet mes 23 dhe 25 gradë celsius. Gjithsesi, gjeografia, sezoni dhe moti janë disa gjëra më vete, pasi Botërorët janë rasti për të thyer apo vendosur rekorde dhe deri më sot, ka disa që pritet të mbeten ende të pathyeshëm, ndërsa disa të tjerë janë lehtësisht të arritshëm.

KOMANDON BRAZILI

Rekordi më i lehtë (një mënyrë të thëni) është edhe ai më i famshmi. Kombëtarja që ka fituar më shumë edicione të Kupës së Botës është Brazili. “Seleçao” ka çuar trofeun në shtëpi në 5 raste, i fundit në vitin 2002, 4 edicione më parë.

Ndërkohë, Italia me suksesin e fundit në 2006-ën dhe Gjermania në 2014-ën janë në kuotën 4 Botërorë, por duke qenë se “Axurrët” vetëvriten për të dytin edicion me radhë, të vetmit që mund të shqetësojnë Brazilin janë gjermanët. Për sa i përket listës së triumfeve, ajo vazhdon me Argjentinën, Francën e Uruguaian në kuotën 3 trofe, përveç Anglisë e Spanjës me nga një Kupë Bote.

GJERMANËT, MË KONSTANTËT

Brazili, përveç titujve, komandon edhe dy renditje të tjera, atë të numrit të pjesëmarrjeve, 21, ashtu sikurse atë të ndeshjeve të fituara (73 nga 109). Dhe pikërisht shifra 109 përfaqëson edhe një tjetër primat: verdhegjelbrit janë lojtarët që kanë zhvilluar më shumë ndeshje në Botëror, por këtë herë në kuotë të barabartë me gjermanët.

Këta të fundit kanë marrë pjesë 19 herë dhe janë të dytë, përpara Italisë me 18 përfaqësime, ndonëse sivjet që nuk marrin pjesë do të kapen në vend të tretë nga Argjentina. Gjithsesi, të marrësh pjesë nuk mjafton, të paktën në futboll, prandaj nëse ka një skuadër që ka dy rekorde të rëndësishme, ajo është Gjermania, e cila mbron me krenari dy rekorde:

Numrin e finaleve të luajtura (8) dhe të gjysmëfinaleve të arritura (13). Shkurt, një kombëtare me konstante se “Pancerat” historia nuk e ka. Brazili dhe Gjermania ndajnë gjithashtu edhe sulmin më të mirë dhe mbrojtjen më të dobët: “Seleçao” numëron 229 gola të shënuar në historinë e Kupës së Botës, ndërsa Gjermania ka pësuar “vetëm” 125 gola. Duke mbetur te rekordet, përfaqësuesja që ka grumbulluar më shumë humbje është Meksika (27 disfata).

SHI GOLASH

Nëse sivjet ka një kombëtare që kërkon një stimul për të promovuar spektaklin, atëherë shembullin e ka dhe më shumë se gjysmëshekullor madje. Hungaria është kombëtarja e cila ka mundur të shënojë më shumë se kushdo tjetër në histori, brenda një turneu, e thënë ndryshe, 27 gola në 5 takime, aq sa përmbante formati i Kupës së Botës 1954.

Mesatarja është e frikshme, 5.4 gola për ndeshje dhe vetëm kur e mendon, është e vështirë që dikush në futbollin e sotëm të bëjë të njëjtën kryevepër. Gjithsesi, edicioni i vitit 1954 do të mbetet i papërsëritshëm, duke qenë se në atë turne u regjistruan edhe ndeshjet me rezultatet më të thella të një Kupe Botë, apo edhe takimi me golavarazhin më të gjerë.

Në Austri-Zvicër (7-5) u shënuan 12 gola, por gjithashtu u shënua edhe humbja e parë më e thellë në diferencë golash: Hungari-Kore 9-0. Ky rezultat më pas u barazua nga dueli Jugosllavi-Zaire 9-0 në edicionin e vitit 1974, apo edhe në 1982, kur Hungaria mundi El Salvadorin 10-1.

DEBUTUESIT

Katari do të jetë e vetmja kombëtare debutuese në një Botëror në këtë edicion, ndërsa në “Rusi 2018” ato ishin dy, Islanda dhe Panamaja. Për më shumë, ky do të jetë Botërori i fundit me 32 ekipe, duke qenë se nga edicioni i vitit 2026, i cili do të zhvillohet mes datave 25 maj-5 korrik në të gjithë Amerikën e Jugut (SHBA, Kanada e Meksikë), pjesëmarrëse do të jenë plot 48 skuadra.

EUROPA E PAKAPSHME

Mes konfederatave që kanë bërë ligjin botëror në futboll, ajo që kryeson është Europa, pra UEFA, me 12 trofe nga 21: 4 Italia, 4 Gjermania, 2 Franca dhe me nga 1 Anglia e Spanja. Këtë renditje e ndjek “CONMEBOL”, konfederata Amerikano-jugore me 9 trofe: 5 Brazili, 2 Argjentina dhe 2 Uruguai. Ndërkohë, të gjithë të tjerat nuk kanë triumfuar asnjëherë. “CONCACAF” konfederata që mbulon Amerikën Veriore dhe atë qendrore, pozicionin më të mirë ka vendin e tretë të SHBA-së në edicionin e parë, 1930.

Për Azinë (konfederata AFC), rezultati më i mirë është vendi i katërt i Koresë së Jugut në edicionin e 2002-shit, ndërsa Afrika (CAF), nuk ka shkuar kurrë përtej çerekfinaleve, të cilat i kanë arritur Kameruani, Senegali dhe Gana, respektivisht në vitet 1990, 2002 dhe 2010. Në fund, maksimumi deri në 1/8-at për Konfederatën e Oqeanisë (OFC), ku krenaria mban emrin e Australisë në vitin 2006, e eliminuar nga Italia, e cila më pas do të shpallej edhe kampione bote, falë një penalltie të Françesko Totit në minutën 94.

LOJTARËT REKORDMENË

Duke kaluar te futbollistët, Kristiano Ronaldo dhe Lionel Mesi, vetëm me pjesëmarrjen e tyre do të vendosin primatin e radhës. Ata, së bashku me meksikanët Karbajal e Markez, plus kolosin gjerman Lotar Mateus dhe portierin më të mirë të historisë së Italisë, Xhaluixhi Bufon, do të jenë të vetmit që kanë mundur të luajnë 5 Kupa Bote në karrierë.

Por mes emrave të mësipërm, Lotar Mateus është edhe ai që ka mundur të luajë më shumë ndeshje se kushdo në historinë e botërorëve, 25, një më shumë se Miroslav Klose, i ndalur në 24 dhe dy më shumë sesa Paolo Maldini (23 takime në 4 kompeticione).

Gjithsesi, legjenda italiane dhe milaniste e mbrojtjes është futbollisti që ka grumbulluar më shumë minuta se kushdo tjetër, 2216. Ndërkohë, ka vetëm një futbollist në histori që ka mundur të fitojë 3 tituj botëror dhe ai është Pele: 1958, 1962 dhe 1970.

Asnjë prej lojtarëve pjesëmarrës në këtë edicion nuk ka mundur që të arrijë në dy Kupa Bote, kështu që rekordi i Pelesë për këtë edicion është i paarritshëm. Dhe nëse thellohemi edhe më shumë, ka një tjetër brazilian që mban një rekord fenomenal: Markos Kafu është futbollisti që ka fituar më shumë ndeshje në një Botëror, 16, përveç se i vetmi që ka mundur të luajë edhe tri finale të Kupës së Botës radhazi: 1994, 1998 dhe 2002.

KRYEGOLASHËNUESI

Duke qenë se Gjermania ishte skuadra më konstante e historisë së Botërorëve duket normale që edhe golashënuesi më i mirë të jetë një “Pancer” dhe Miroslav Klose ishte vërtet një tank, që me 16 gola në 4 edicione mbron këtë kurorë për momentin. I vetmi në aktivitet që mund ta shqetësojë rekordin e tij është një tjetër gjerman, Tomas Myler, në kuotën 10 gola.

Në pamje duket larg, por nga një “dhelpër” si Myler mund të pritet çfarëdo, duke qenë se ai mbron rekordin e golashënuesit më të ri në moshë, në një edicion Kupe Bote (5 gola në 2010-ën).

Ndërkohë, shumë larg mundësisë për të trembur Klosen duken Kristiano Ronaldo dhe Luis Suarez me nga 7 gola. Duke mbetur sërish te mbretërit e realizimeve, i përket Zhys Fonteinit rekordi i njeriut që ka shënuar më shumë gola në një edicion të vetëm, 13 në 6 ndeshje në 1958-ën. Francezi është golashënuesi i katërt më i mirë në renditjen e përgjithshme pas Ronaldo “Fenomenit” dhe Gerd Mylerit, respektivisht me 15 dhe 14 gola.

Për sa i përket njeriut që ka shënuar numrin më të madh të golave në një ndeshje të vetme, ai është Oleg Salenko, rusi i cili në “USA ’94″ i realizoi 5 herë Kamerunit. Akoma më shumë se kaq… Është anglez ai që ka shënuar më shumë gola në një finale: Xhef Harst, i cili në 1966, përpara tifozërisë vendëse, i realizoi një tripletë Gjermanisë përpara se të ngrinte Kupën e Botës, të parën dhe të vetme për “Tre Luanët”.

Ndërsa për sa i përket golit më të shpejtë në një Botëror, ai i përket turkut Hakan Shukur, i cili në edicionin 2002, i realizoi Koresë së Jugut (3-2) pas vetëm 11 sekondash lojë. Ana tjetër e monedhës… Është një italian portieri që e ka mbajtur portën më gjatë të paprekur në një Kupë Bote. Bëhet fjalë për Valter Zengën në Botërorin e shtëpisë, “Italia ‘90″ dhe ndoshta edhe ky është një rekord që vështirë se mendohet të thyhet në Katar, por edhe për shumë edicione të tjera në vazhdim.

TË PADISIPLINUARIT

Goditja me kokë e Zinedin Zidanit, në finalen e Botërorit 2006, ndaj Marko Materacit përfaqëson një rekord absolut. Po, pikërisht kështu, sepse falë atij gjesti antisportiv të dënuar normalisht me karton të kuq, ish-fantazisti u bë futbollisti më i përjashtuar në historinë e botërorëve, dy herë, ashtu sikurse kamerunasi Robert Song.

Për sa i përket koleksionuesit më të madh të kartonit të verdhë, edhe mund të pritej që të ishte argjentinasi, Havier Maskerano, i cili në 4 edicione (nga 2006 në 2018) numëron 7 të tillë. Por si Hezus Gajardo dhe Hoze Batista. I pari, meksikan, u ndëshkua pas vetëm 13 sekondash në ndeshjen me Suedinë, në edicionin e kaluar. Ndërsa i dyti, uruguaian, në Botërorin e 1986-ës u përjashtua ndaj Skocisë në më pak se një minutë (56 sekonda).

MË PLAKUSHËT

Kuriozitetet më të mëdha shpesh i gjeneron mosha e futbollistëve. Më i riu që ka luajtur ndonjëherë një Botëror është irlandezo-veriori Norman Uajtsajd, me vetëm 17 vjeç e 42 ditë, kundër Jugosllavisë. Ndërkohë që më i moshuari u regjistrua në “Rusi 2018”.

Ai ishte egjiptiani Esam El-Hadari, i cili zbriti në fushë ndaj Arabisë, teksa ishte 45 vjeç e 161 ditë. Nëse shohim vetëm finalet, janë dy legjendat që mbajnë rekordin e më të riut dhe më të vjetrit: Pele në 1958-ën kundër Suedisë, teksa ishte vetëm 17 vjeç e 249 ditë (dhe madje e fitoi Botërorin për herë të parë), ndërsa Dino Xof në 1982-shin kundër Gjermanisë ishte 40 vjeç e 133 ditë (edhe ai e fitoi atë edicion Kupën e Botës).

TRAJNERËT

Italia, e cila sivjet nuk merr pjesë, mund të ngushëllohet me rekordin e titujve të fituar nga një trajner. Krenaria “Axurre” mban emrin e Vitorio Pocos, me dy Botërorë të fituar (1934 dhe 1938), i vetmi dhe absoluti.

Në anën tjetër, gjermani Helmut Shën, mbron dy primatë: ai është trajneri me më shumë ndeshje në stol në një Kupë Bote (25), ashtu sikurse ai ka fituar më shumë ndeshje nga stoli (16). Ndërkohë, Hose Tramutola, vetëm 27 vjeç e 267 ditë, ishte tekniku më i ri i Kupës së Botës, nën drejtimin e Argjentinës në Botërorin e parë (1930). Për sa i përket më të moshuarit, ai i takon Oto Rehagelit në 2010-ën, nën drejtimin e Greqisë, në moshën 71 vjeç e 317 ditë.

Përgatiti: JETON STAMOLLA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"