Rekord mbi rekorde, Ronaldo: Isha unë lideri ndaj PSG-së

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 16, 2018 | 22:37

Rekord mbi rekorde, Ronaldo: Isha unë lideri ndaj PSG-së

I kishte nisur llogaritë me një dopietë dhe të mërkurën e finalizoi ndeshjen me të njëjtin “hap” që pati filluar: nga 15 shtatori 2009 (Zyrih-Real 2-5) kanë kaluar tetë vite e gjysmë (9 sezone futbollistike), gjatë të cilave Kristiano Ronaldo ka festuar 101 gola në Ligën e Kampioneve, me fanellën e Realit të Madridit. Së bashku me 15 “firmat” për ngjyrat e Mançester Junajtid, totali shkon në 116 gola.

rONALDO VS PSG

Kjo shifër përbën një rekord më vete deri tani, por një tjetër rekord absolut është edhe fakti se asnjë tjetër lojtar në histori nuk kishte arritur që të kalonte në triplo shifër (101 gola), me të njëjtën fanellë, në turneun më të rëndësishëm për klube. Me pak fjalë, po flasim për një futbollist monstruoz, i frikshëm, në mbrëmjen ku dueli direkt me Nejmarin (të dy kanë lindur në të njëjtën ditë, 5 shkurt, por me brazilianin që është 7 vite më i ri sesa portugezi) u fitua bindshëm nga “Topi i Artë” në fuqi. Suksesi 3-1 kundër PSG-së azhornon shumë statistika të tjera fenomenale, që lidhen me Kristianon.

Nga 101 golat me Realin dhe 116 totalët në Champions, mund të flasim edhe për 7 ndeshje radhazi në gol, për një total prej 11 realizimesh në total ose 1 gol çdo 57 minuta, e cila thyen kështu rekordin e Burak Jilmazit në sezonin 2012-2013 me bluzën e Gallatasarajit. Nëse fusim pjesë të llogarive pastaj, edhe finalen e vjetshme të Kardifit, ndeshjet radhazi në të cilat portugezi ka shënuar bëhen 8, për 13 gola në total.

rONALDO

E thënë shkurt, fenomenal… Fenomenal, por edhe pak e kuptueshme sepse presidenti Florentino Perez, ka vendosur që Reali i Madridit mund të bëjë edhe pa “CR7”-ën në të ardhmen. Sepse portugezi, edhe pse 33 vjeç tashmë, është “vrasësi” më i rrezikshëm në botë, madje ai nuk nguron që ta pranojë këtë me modesti, pas suksesit me PSG-në, ndoshta për të thumbuar disi edhe presidentin e tij, i cili vazhdon t’i mohojë rinovimin e kërkuar prej të paktën 30 milionë eurosh në vit.

“Kundër PSG-së ishte një ndeshje e madhe, por në fund isha unë ai që e mora dhe e tërhoqa skuadrën me vete te fitorja duke shënuar dy gola. Kushdo që nuk beson tek unë e mori përgjigjen në fushë sepse unë gjithmonë kam folur dhe do të vazhdoj të flas në fushën e lojës.

Çerekfinalet më pranë? Ka ende lojë për të luajtur, por unë jam në formë dhe nuk i trembemi askujt. Champions-i të jep të tjerë stimuj dhe unë me shokët e mi jemi gati që t’i shkojmë deri në fund këtij turneu”, deklaroi portugezi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"