“Reja zgjodhi ndeshjet e gabuara për eksperiment”, Ervin Fakaj: Duheshin ekspertë, nuk më pëlqen ndërrimi i portierëve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 17, 2019 | 23:48

“Reja zgjodhi ndeshjet e gabuara për eksperiment”, Ervin Fakaj: Duheshin ekspertë, nuk më pëlqen ndërrimi i portierëve

Ish-mbrojtësi i Kombëtares, Ervin Fakaj, analizoi në “Supersport” humbjen me Francën, ndërsa foli edhe për eksperimentet e Rejës me formacionin.

ervin fakaj

Fakaj është i mendimit se Reja duhej t’i provonte disa lojtarë të rinj në ndeshje me një nivel vështirësie më të lehtë, dhe jo atë me Francën, ndërkohë nuk i pëlqen edhe ndërrimi i portierëve në ndeshje të ndryshme.

NDAJ FRANCËS – Këto ndeshje kërkojnë lojtarë me eksperiencë, dhe ekspertë në fushë. Luan ndaj një ekipi me cilësi, dhe një lojtar që ishte minus, i krijon skuadrës një boshllëk të madh në mesin e fushës. Me një lojtar më pak ndaj këtyre me cilësi të lartë, është shumë e vështirë, edhe për Gjasulën, të përballojë gjithë atë volum. Aty patëm probleme në pjesën e parë, dhe ia lehtësuam Francës në goditje standarde. Duhet të jemi më të kujdesshëm në disa detaje. Nëse të mund Franca me sulme të rrjedhshme, është OK, por nëse të rrezikon në çdo goditje, nuk shkon.

EKSPERIMENTE – Ka të drejtën e tij për t’i parë të gjithë në aksion, por për mua gaboi në përzgjedhjen e ndeshjes, ku do i shohë këta lojtarë. Normale që të gjithë duhet të jenë të aftë për të luajtur në Kombëtare, në çdo ndeshje, pavarësisht kë ke përpara, por lojtarët janë më të rinj, duhet t’u japësh shansin me kundërshtarë më të lehtë. T’i japësh shansin ndaj Francës, çdo lojtar i ri do e mirëpriste, por shkalla e vështirësisë është shumë e madhe, dhe rreziku për të gabuar gjithashtu. Gjasula ka pasur një moshë tjetër, eksperienca, aktivizimi i tij në Bundesligë, ia dha mundësinë të shkrihej me grupin. Por, për lojtarë më të rinj, është më e vështirë.

REJA – Pas Panuçit, çdo trajner do bënte më mirë se ai. Është për t’u analizuar fakti se a bëri Reja aq sa duhet mirë? Tashmë ai e njeh gjithë ambientin plotësisht. Ai erdhi në një moment kur njihte shumë pak, dhe i duhej një kohë përshtatje. U takon palëve nëse do flasin për rinovimin, dhe të bëjnë kalkulimet e veta.

PORTIERËT – Ndryshimi i portierëve nuk ka dhënë efekt në asnjë lloj ekipi. Zakonisht trajnerët janë të vendosur për njërin nga portierët. Gjithmonë i ngelen besnikë një portieri. Po të fillojmë me rotacion, do jetë problematike. Çdo trajner në fund, i merr vetë faturat e çdo veprimi që bën.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"