Reja kontradiktor, italiani “bën autogol” me lojtarët. Çudira te moshat, a mban Duka përgjegjësi?

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 11, 2019 | 22:38

Reja kontradiktor, italiani “bën autogol” me lojtarët. Çudira te moshat, a mban Duka përgjegjësi?

Së fundmi, në ambientet e FSHF-së, presidenti Armand Duka ka zhvilluar analizën me të gjithë trajnerët e ekipeve kombëtare, të të gjitha niveleve si edhe të ekipeve të femrave. 

reja duka

Nga ajo që në orët e vona bëri me dije zyrtarisht institucioni i futbollit, me një komunikatë afër mesnatës për mbledhjen e paradites, u tha se Dede e Beqiri rrezikonin. Po drejtori i ekipeve kombëtare? Po trajneri i Kombëtares A? Po trajneri i Kombëtares U-21? Po vetë Duka, si përzgjedhës për secilin a mban përgjegjësi? Situata me Kombëtaret e moshave dhe ekipin kombëtar A ka shumëçka që lë shije të keqe dhe nuk po shkon aspak siç duhet në të vërtetë.

KOMBËTARJA A 

Edi Reja bëri një rezyme të të gjithë paraqitjes së kuqezinjve dhe duket sikur jep “detyra shtëpie” për Çekiçin, i cili deri më tani është ndër të vetmit lojtarë të Kombëtares që po shënon rregullisht nga goditjet e dënimit. Italiani shprehet se atij i duhet ende që të presë, të forcohet dhe se e ka në plane. Po cilin duhet të presë, ndërsa është në superformë?

Taulant Seferin (i cili edhe pse ftohet nuk merr aspak vëmendje dhe hapësira nga trajneri)? Apo të presë burokracitë e FIFA-s, mendjemadhësinë e federatës helvete që bllokon Kamberin, ndërkohë që vetë në fushë po kalon një edicion fantastik? Lojtari është gati, por trajneri e harron atë që thotë se Shqipëria do të luajë me më të mirët dhe sërish nuk e fton…

Së dyti, ajo që ndodh me hierarkinë në skuadër po prish në të vërtetë të gjithë ekuilibrat. Nëse Taulant Xhaka është në planet e trajnerit, siç edhe deklaroi italiani, atëherë pse lojtari nuk kontaktohet as prej tij dhe as nga stafi për t’ia shpjeguar planin teknik se në cilën pjesë përfshihet lojtari që po luan në Europë rregullisht me Bazelin, përveçse në Superligën zvicerane edhe me shirit kapiteni, herë pas here… Kontradiktë e plotë e 74-vjeçarit.

Së treti, skuadra e Rejas, me gjithë edicionin eksperimental që mbylli, nuk ka ende një mbrojtës të majtë. Janë testuar shumë të tillë, por ende nuk thuhet se kush është titullari i linjës së majtë. Handikap i rëndësishëm për një ekip me strategji dhe plan të qartë teknik.

Së katërti, italiani ndër të tjera citon se Roshi me cilësitë e një lojtari të rëndësishëm duhet të përshtatet në cilindo rol që ka nevojë ekipi. Po, në raste emergjente po. Është e drejtë, për pak minuta. Ama, nëse asistmeni më i mirë i ekipit, me statistikat më të mira nuk e gjen veten titullar, çfarë duhet të mendojnë të tjerët që ende s’e kanë arritur këtë rendiment? Çfarë shembulli jep trajneri me lojtarin më në formë, që e djeg dhe më pas fajëson se nuk mund të bëjë rolin e… mbrojtësit të majtë. Shpikje shqiptare prej një italiani. Odise Roshi është një mesfushor anësor i shkëlqyer për nivelin e Shqipërisë që e bën fazën ofensive me notën dhjetë në metrat e fundit të fushës. Aty ku ka vendin të luajë.

KOMBËTARET 

Nëse shohim rezultatet, absolutisht të gjithë trajnerët e ekipeve të moshave kanë bërë paraqitje skandaloze. Në zinxhirin e ekipeve kombëtare, është një drejtor që me një pagë mujore prej 5 mijë eurosh në muaj, nuk del në skenë për asgjë, veçse për të deklaruar që Shqipëria ka brez të artë… Trajnerët nuk kanë arritur rezultate dhe kjo është për t’u kritikuar. Por, ajo që nuk shkon në këtë rast, është së pari që nuk barazohen të gjithë edhe pse rezultatet janë të njëllojta dhe së dyti fakti se secili e nis vitin pa objektiva dhe në fund e përfundojnë me një mbledhje ku presidenti Duka u kujton dështimin.

Po ky i fundit, si përzgjedhës i të gjithë zinxhirit nuk ka përgjegjësi? Çuditë shqiptare te moshat shkojnë deri atje sa tre futbollistë të Kombëtares U-21 (Ndrecka, Broja, Bullari) zbresin edhe një herë në ekipin U-19. Po në këtë rast, çfarë shërben kjo gjë? Për të demoralizuar ata të 19- vjeçarëve, apo vetë këta 3 futbollistë në fjalë? Në krahasim me Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, Shqipëria është shumë hapa pas. Teksa secila prej tyre ka shijuar “Elite Round” me U-17 dhe U-19 në vitet e fundit, ndërsa kuqezinjtë nuk kanë as më të voglin shans për t’ia dalë…

OLSI TUJANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"