Rei Manaj, shanse si titullar me Specian/ Juventusi i ka makth shqiptarët!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 22, 2021 | 11:34


Rei Manaj, shanse si titullar me Specian/ Juventusi i ka makth shqiptarët!

Juventusi kërkon ende fitoren e parë në Serinë A, por në javën e pestë do të jetë Rei Manaj dhe Specia e tij, skuadra që do të kërkojë t’i zhysë edhe më shumë në krizë bardhezinjtë. Për sa i përket bomberit shqiptar, të rikthyer në Serinë A pas 4 vitesh, në formë huazimi nga Barcelona, 24-vjeçari është në balotazh me Janis Antisten.

manaj 1

19-vjeçari francez ka probleme muskulore dhe nëse nuk ia del, atëherë mund të ketë hapësirë nga minuta e parë për Manajn.

Trajneri Tiago Mota ishte ai që e kërkoi shqiptarin në skuadër dhe besimin ndaj cilësive të Reit ish-interisti e tregoi duke e hedhur në fushë që në ndeshjen e kaluar ndaj Venecias (luajti 25 minuta), ndonëse sulmuesi kuqezi kishte vetëm pak stërvitje në këmbët e tij, si rrjedhojë edhe e ndeshjeve të kombëtareve.

SHQIPTARËT, NJË MAKTH – Për Juventusin, të ketë përballë futbollistë shqiptarë nuk është se i ka ecur shumë mbarë. Në vitet e fundit, Berat Gjimshiti dhe Atalanta i janë shndërruar në një makth me gjigantin e prapavijës që ka ditur të shkëlqejë për tri sezone me radhë për ballë Ronaldos me shokë, duke kujtuar mbi të gjitha eliminimin e Juves nga kupa 3 sezone më parë, kur Gjimshiti e anuloi totalisht nga fusha asin portugez, i cili tashmë është transferuar te Mançester Junajtidi. Por shqiptarët kanë qenë edhe protagonistë të konferencave për shtyp të Masimiliano Alegrit.

Në vitin 2017 Tomas Strakosha ndalte Paulo Dibalën nga pika e penalltisë në Torino, në sekondat finale, ndërkohë që pas ndeshjes, Alegri bënte shaka përpara gazetarëve: “Paulo nuk do të gjuajë më asnjë penallti, nëse përballë do të ketë një portier shqiptar.

Nëse ai do të jetë i një kombësie tjetër, pa dyshim që po”. Me këtë deklaratë, “Konti Maks” i referohej edhe faktit se dy javë përpara ndeshjes me Lacion, Dibalës i priste penallti edhe Etrit Berisha, në ndeshjen me Atalantën. Tani, duhet të presim vetëm se si do të përfundojë dueli i sotëm i Rei Manajt me Juventusin. A do të vazhdojë mallkimi shqiptar për “Zonjën e Vjetër”?

Përgatiti: JETON STAMOLLA