Rehagel: Humbja me Shqipërinë djeg ende

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 23, 2013 | 13:00

Rehagel: Humbja me Shqipërinë djeg ende

RehagelIsh-trajneri i famshëm gjerman, Oto Rehagel, vizitoi dje Prizrenin për të motivuar ushtarët e shtetit të tij që të angazhohen me KFOR-in. Këtë e ka bërë me kërkesë të presidencës gjermane. Autoritetet kishin rënë dakord mes tyre që të zhvillohej një miqësore mes forcave gjermane të KFOR-it dhe skuadrës vendëse, Lirisë. Pas ndeshjes, duke folur për mediat, ai ka përmendur edhe Shqipërinë. Ai ka pranuar se humbja 2-1 në shtator të vitit 2004 i ka dhembur shumë. “Humbja me Shqipërinë më dhembi shumë. Ka qenë një sensacion i madh ndërkombëtar, sepse ne sapo ishim shpallur kampionë të Europës”, – ka theksuar ai. Ish-trajneri i Kaizerslauternit ka bërë të ditur se ekipet e vogla mund të shkaktojnë sensacione të tilla. “Në rastin e Greqisë unë jam gëzuar shumë, sepse një ekip aq i vogël arriti të dalë kampion i Europës. Prandaj u gëzohem fitoreve të ekipeve të vogla”, – ka thënë Rehagel për “Kohën Ditore”. Ndonëse është mik i vjetër me Igli Taren, Oto Rehagel e ka hedhur poshtë mundësinë që të marrë ndonjë ditë drejtimin e përfaqësueses së Shqipërisë. “Në jetën time kam punuar shumë. Tani kohën ua dedikoj aktiviteteve sociale dhe përkrah Federatën e Futbollit të Personave me Nevoja të Veçanta, respektivisht të verbrit. Nuk do të punoj më si trajner, përveç nëse marr oferta nga klubet e mëdha si Real Madridi apo Barcelona”, – është shprehur Rehagel me humor. Në Kosovë ai do të qëndrojë me trupat gjermane deri të martën.
Ndeshja Këshillat e trajnerit legjendar gjerman, Oto Rehagel, e kanë ndihmuar përfaqësuesen e kontingjentit gjerman të KFORit që të dielën të barazojë 3- 3 në miqësoren me Lirinë e Prizrenit. Në pjesën e parë, ekipi i përbërë nga paqeruajtësit gjermanë ka qenë duke humbur 2-1, ndërkohë që pjesën e dytë e ka fituar me të njëjtin rezultat, për ta mbyllur ndeshjen me shifrat 3-3. “Forconi mbrojtjen, duke i ndihmuar më shumë njëri-tjetrit në duele. Ndërsa në sulm hapeni lojën nga krahët. Gjithashtu duhet të bllokoni më mirë 10-shin e ekipit kundërshtar, i cili po e organizon lojën e vet. Dhe mos harroni, duhet të luani më afër lojtarëve kundërshtarë. Mos u lini shumë hapësirë”, – i ka këshilluar të tijtë Rehagel në pushimin 15-minutësh të ndeshjes, që është zhvilluar në stadiumin ndihmës të Lirisë. Vetëm katër minuta pas fillimit të pjesës së dytë, ushtarët gjermanë barazuan 2-2, përmes Christian Soikas. Në pjesën e parë për Lirinë patën shënuar Alsen Rama (27′) dhe Qëndrim Gashi (34′), derisa Flath uli epërsinë e vendësve në minutën e 39-të. Pas minutës së 50-të loja vazhdoi me dominimin e Lirisë, gjë që solli edhe golin e epërsisë në minutën e 65-të përmes Lekë Vulës. Mirëpo paqeruajtësit edhe njëherë dëshmuan përkushtimin gjerman, teksa në minutën e 86-të barazuan me golin e Ben-it. Madje në minutën e fundit të ndeshjes Voitçoh humbi një rast ideal, që do mund t’i sillte fitoren KFOR-it gjerman. Pas ndeshjes, Rehagel ka pranuar se Liria ka qenë ekip më i mirë, porse dëshira dhe angazhimi i paqeruajtësve ka bërë që ata në minutat e fundit të shënojnë golin e barazimit. “Kjo tregon se në futboll angazhimi shpaguhet”. Ish-trajneri i Greqisë, që fitoi Kampionatin Europian në vitin 2004, ka pranuar se nuk është në dijeni të arsyeve pse Kosova nuk mund të luajë në arenën ndërkombëtare dhe ka kërkuar që këto pyetje t’i shtrohen UEFA-s dhe FIFAs. “Nuk jam politikan, jam sportist. Dhe konsideroj se po të luhej në botë vetëm muzika dhe futbolli, atëherë nuk do të kishte as luftëra”, – ka shprehur bindjen ai.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"