Regjim kazerme, Panuçi ndal edhe pëshpërimat: Qepe!

Panorama Sport | Gazeta me e shitur sportive ne vend

Postuar: Shtator 4, 2018 | 11:39

Regjim kazerme, Panuçi ndal edhe pëshpërimat: Qepe!

Ekipi ynë Kombëtar ka nisur përgatitjet për dy ndeshjet zyrtare të vlefshme për turneun e Ligës së Kombeve, kundër Izraelit në 7 shtator dhe Skocisë në 10 shtator. Seanca e parë stërvitore u karakterizua nga një atmosferë e vakët me trajnerin Panuçi që dëgjohej në qendrën stërvitore, ku skuadra po përgatitet për këto dy sfida mjaft të rëndësishme. Janë gjithsej 25 futbollistë të grumbulluar nga Panuçi për këto dy takime. Krahas këtyre dy përballjeve, Panuçi po pretendon të konsolidojë skuadrën për eliminatoret e kampionatit Europian, e kjo vihet re edhe prej faktit se janë thërritur në këtë grumbullim edhe tre lojtarë të rinj si: Mihaj, Prenga e Demiri.

Stervitja

FJALIMI – Menjëherë sapo grupi i lojtarëve doli në ambientet stërvitore, trajneri Panuçi i mblodhi pranë vetes dhe ashtu me një fytyrë të vrenjtur mbajti fjalimin e radhës. Pasi u prezantua me lojtarët që ishin grumbulluar rishtas, italiani kërkoi informacion nga lojtarët e grumbulluar për gjendjen e tyre fizike. “Jemi mbledhur për këto dy ndeshje. Nuk kemi shumë kohë në dispozicion, vetëm katër-pesë ditë. Pres prej gjithsecilit të japë maksimumin dhe të tregojë vlerat e veta.

Panuci22

Ndaj, duhet të punojmë me seriozitet dhe intensitet të lartë. Ju lutem të jeni të vëmendshëm, në mënyrë që të mos i përsërisim gjërat apo ushtrimet nga dy apo tri herë. Qartë?!” tha shkurtimisht Panuçi para lojtarëve, duke kërkuar me shpejtësi nga asistenti i tij përgatitës atletik të startonte me nxehmjen e zakonshme.

DIKTATI – Ndryshe nga çka jemi mësuar të shikonim gjatë grumbullimeve të ekipit Kombëtar, tashmë ka rregulla të reja ose të paktën lojtarët nuk e kanë më atë harmoninë e dikurshme për shkak edhe të rrotacioneve të herëpashershme. Mavraj, Basha dhe Lila përpiqen të inkurajojnë të rinjtë. Gjatë grumbullimit apo edhe gjatë përgatitjeve, shumë rëndësi për Panuçin ka sjellja e lojtarëve. Ai kërkon me rigorozitet që lojtarët të jenë të përqendruar vetëm te puna.

Jo vetëm lojtarët e rinj që kanë emocionet e grumbullimit, por edhe veteranët duket sikur kanë dhënë dorëheqje nga batutat që më herët i sh këmbenin pa teklif. Edhe gjatë seancës së djeshme përgatitore, në kohën kur lojtarët pëshpëritnin me njëri-tjetrin, dëgjohej “sta cito!” (qepe!) e Panuçit. “Veloce-veloce-veloce!” dëgjoheshin britmat e italianit duke kërkuar ritëm dhe saktësi gjatë kryerjes së ushtrimeve.

Kristian Panuci

SEANCA E PARË – Seanca e parë stërvitore, e cila është ndjekur edhe nga presidenti i FSHF-së, Armand Duka, dhe zëvendëspresidenti Lutfi Nuri, u karakterizua nga ushtrimet atletike. Panuçi më shumë interes tregoi për të konstatuar formën fizike të lojtarëve që kishte grumbulluar, paçka se i pyeti në fillim të seancës stërvitore.

Starvitja

Vrapime të lehta, kërcime dhe shtensionim muskujsh. Këto ishin disa nga ushtrimet fillestare, ndërsa më pas përgatitjet vijuan me lojë në kuadrat dhe disa skema nga goditjet standarde. Dje ka munguar vetëm Elseid Hysaj, i cili ka mbërritur në mbrëmje në skuadrën përfaqësuese dhe pritet që sot të jetë në dispozicion të trajnerit.

Bala

PLANI – Nga sa mësohet, trajneri ka përgatitur edhe strategjinë për të neutralizuar pikën e fortë të kundërshtarëve. Si Izraeli ashtu edhe Skocia njihen për lojën e tyre në ajër që e kanë pikën më të fortë. Për këtë arsye, me Mavrajn dhe Gjimshitin në qendër dhe Agollin e Hysaj nga krahët, Panuçi pretendon të bllokojë sulmet dhe tentativat e tyre. Kjo ka dhënë edhe një sinjal paraprak për katërshen që do të formojë prapavijën.

Nga Durrësi: LEONIDHA MUSAJ






www.minuta90.com