“Refuzuam 1 milion marka publicitet nga gjermanët”, rrëfehet Fatmir Vrana: Foton e Enverit e bëmë si të Mao Ce Dunit, por kolltuku i tij…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 27, 2021 | 22:30

“Refuzuam 1 milion marka publicitet nga gjermanët”, rrëfehet Fatmir Vrana: Foton e Enverit e bëmë si të Mao Ce Dunit, por kolltuku i tij…

Nga UVIL ZAJMI

Është mjeshtri që për më shumë se dy dekada ka punuar në realizimin dhe vendosjen e tyre. “Një imitim nga vendet e kampit socialist, shoqëruar me thirrjet për ndërtimin e socializmit, mbrojtjen e fitoreve etj. e që vazhdoi për vite”, shprehet Vrana për “Panorama Sport”.

FATMIR VRANA

Ju kujtohet si nisët punë në stadium?

Unë kam qenë i angazhuar në Teatrin e Operës, Pallatin e Kulturës ku ushtroja detyrën e dekoristit në shfaqje, evenimente artistike etj. Pra, do të vazhdoja thuajse të njëjtin proces, por në mjedise sportive. Këtë detyrë e kryente më parë Orhan Bega, piktor. Ai u largua në një punë tjetër, ndërsa Ferik Ferra shkoi në klubin 17 Nëntori. Nga fillimi i viteve ‘70, e kam drejtuar atë sektor. Konsiderohej i propagandës dhe kishte rëndësi e përgjegjësi.

Nga varej dhe si funksiononte?

Varej nga Ndërmarrja e Administrimit të Objekteve Sportive. Drejtor ishte Oman Palushi. Gjithashtu varej edhe nga Komiteti Ekzekutiv, Lame Konomi, si dhe Komiteti Shtetëror i Sporteve. Kujtoj Veiz Lelon, Aziz Tahirin, Mehdi Bushatin, por miratimin e fundit e jepte Komiteti i Partisë.

Mund të na thoni diçka për organizimin. Si vendoseshin banerat?

Stadiumi shfrytëzohej në tërë mjedisin e brendshëm të tij. Kryesisht baza, 365 metra lineare, ajo e ulët, ishte ku vendoseshin banerat. Kjo punë bëhej paraprakisht. Përgatiteshin bocetet, duke filluar nga çfarë do të shkruhej, karakteri i shkronjës, ngjyrat, telajoja etj. I dërgohej drejtorisë, pastaj në Komitetin e Partisë ishte Xhelil Gjoni që i miratonte. Ai vinte dhe i kontrollonte edhe kur vendoseshin. Rëndësi kishin ato në tribunën qendrore dhe sektorin përballë, që dukeshin nga TV, fotografët, sidomos kur këndohej himni kombëtar etj.

Punë dhe përgjegjësi e madhe, apo jo?

Reparti ku ishte sektori i dizenjos, dekorit, telajove, marangozëve, magazinat, ndodhej poshtë tribunës jugore, tek ora. Aty vendoseshin banerat e mëdhenj, fotot gjigante, objektet sportive para se të instaloheshin në “Qemal Stafa”, “Dinamo”, në pallatin e sportit “Partizani” atë të Lojërave me dorë, por edhe të lagjeve, deri në Laprakë, Kombinat, fusha “Ali Demi” etj. Punë, natë e ditë, sidomos në prag të kongreseve, votimeve, përvjetorëve, festave kombëtare etj. Propaganda në stadium, mjedise sportive ishte pasqyra me të huajt, ku demonstrohej politika që ndiqej, kështu konsiderohej.

Banerat dhe parullat ishin të karaktereve të ndryshme, apo jo?

Çdo pjesë e stadiumit “Qemal Stafa” ose “Dinamo” shfrytëzohej. Deri edhe hyrje-daljet e spektatorëve në ato të sektorëve përballë dhe anësorë. Edhe ajo hapësirë e vogël përdorej për të vendosur një baner. Ato ishin të dy karaktereve: politike dhe sportive. Pjesa në brendësi, rreth e qark stadiumeve, shërbente për ato me përmbajtje sportive, ndërsa ato politike vendoseshin në sipërfaqe të dukshme. Në “Qemal Stafa” përdoreshin shufra hekuri dhe në disa pika të tyre lidhej baneri. Varej edhe nga gjatësia.

FOTOT

Ju kujtohen ato me motive politike?

Kanë qenë disa, që u referoheshin edhe situatave, ngjarjeve të rëndësishme të kohës. “Uniteti i çeliktë Parti-Popull”; “Fitore e shkëlqyer e Frontit Demokratik”; “Në njërën dorë kazmën në tjetrën pushkën”; “Të vëmë në jetë vendimet historike të Kongresit të 8 të PPSH”; “Mbrojtja e atdheut detyrë mbi detyrat”;

FOTOT3

“Mbrojtja e atdheut detyrë patriotike”; “Gati për punë, gati për mbrojtje”; “Të gjitha votat për kandidatët e Frontit”; “Rroftë PPSH dhe KQ me shokun Enver Hoxha në krye”; “Rroftë Republika Popullore e Shqipërisë”; “Rroftë Marksizëm-Leninizmi ngadhënjimtar”; “Të shkojmë të gjithë në votime”; “Vigjilencë revolucionare”, “Lavdi PPSh” etj.

Po ato me përmbajtje sportive?

Ishin disa shabllon, që i mbanim për një kohë të gjatë në stadiume apo mjedise sportive, si: “Sport, Kalitje, Shëndet”; “Edukimit fizik, pjesë e edukimit dhe moralit komunist” etj.

Po me fotot e mëdha si veprohej?

Që nga vitet e para pas çlirimit, kryesisht spikatin fotot e udhëheqësve, që vendoseshin në sektorin qendror përballë, në “Qemal Stafa”. Por, edhe të udhëheqësve komunistë të tjerë të shteteve lindore. Sidomos në veprimtari, në ndeshje kur luanin skuadrat e tyre. Fotot e Stalinit, Hoxhës në “Qemal Stafa” janë një dëshmi. Edhe kur Enver Hoxha kishte ditëlindjen dhe për vendosjen e tyre tregohej mjaft kujdes. Ishin telajo fikse ku montoheshin fotot, veçanërisht ajo e Enver Hoxhës. Portreti gjigant i Enver Hoxhës punohej në Ndërmarrjen e Dekorit në Tiranë, nga specialistë. Vetëm ai sektor ishte i autorizuar të realizonte figurën e tij në përmasa gjigande.

Jemi në tribunën presidenciale, cili ishte baneri kryesor?

Për atë sektor tregohej kujdes i veçantë. Në mes të tribunës presidenciale, siç quhej, vendosej stema e Republikës. Banerat ishin ata tradicionalë, si: “Lavdi PPSH” apo “Lavdi Marksizëm-Leninizmit”. Deri edhe kolltukët kur vinte Enver Hoxha, merreshin ata që mbaheshin në një magazinë.

666

Madje, ai i tij ishte ngjyrë jeshile, pak më i lartë se të tjerat, që ai të shihte deri këndet poshtë portativeve. Ata kontrolloheshin si dhe gjithçka që i servirej atij. Deri edhe biletat e radhëve ngjitur me tribunën presidenciale ishin për punonjës, njerëz të garantuar. Më pas, kolltukët i hiqnim, i çonim sërish në magazinë dhe rivendosnim të zakonshmet.

Në periudhën e marrëdhënieve me Kinën, shohim mjaft parulla të miqësisë Shqipëri-Kinë…

Ishte stili kinez që na detyronte dhe që duhet ta imitonim. “Rroftë miqësia revolucionare dhe solidariteti luftarak midis dy partive, dy popujve dhe dy ushtrive të Kinës dhe Shqipërisë” ose “Rroftë miqësia luftarake shqiptaro-kineze”, ishin ato më kryesoret në Shqipëri, por edhe në Kinë, bashkë me fotot e udhëheqësve që shoqëronin çdo veprimtari sportive.

MAO CE DUNI

Kujtoj se, për Spartakiadën Kombëtare të vitit 1974, nga Kina, bashkë me blloqet për manifestim, sollën një portret të Mao Ce Dunit e punuar shumë mirë me bojëra vaji. U detyruam që edhe atë të Enver Hoxhës ta realizonim në atë stil, si ajo e Mao Ce Dunit, që të mos kishte ndryshim kur të vendoseshin bashkë.

Më folët për një refuzim të pabesueshëm. Për çfarë bëhej fjalë?

Në vitin 1983 vjen në Shqipëri skuadra kombëtare e Gjermanisë. Ka qenë takimi i fundit deri më 1990. Ata vinin 3-4 ditë përpara, kryesisht për të vendosur reklamat, të cilat i sillnin vetë. Shihnin banerat tanë, ndonëse nuk e kuptonin çfarë shkruhej në to, por i konsideronin si publicitet dhe, sipas tyre, lejohej. Kërkuan të montonin një të tyren në “Qemal Stafa”, propozuan 1 milion marka, por u habitën kur ne refuzuam dhe prerazi iu tha se nuk i pranojmë, nuk lejohet. Ekzistonte njëfarë frike nga FIFA, UEFA, ku skuadrat mund të ankoheshin, por nuk ka pasur asnjë reagim.

Ku i mbanit banerat dhe fotot si i ruanit?

Kishte një magazinë ku i futnim. Aty i mbanim të gjitha: banera, foto. Kishte raste që i rinovonim, kryesisht portretet, gati dy herë në vit. Ishin shpenzime të mëdha për një publicitet të tillë, jo vetëm për stadiumin, por edhe për teatrot për të cilat jepeshin fonde të mëdha.

Po shpalljet e ndeshjeve, si realizoheshin, ku vendoseshin?

Edhe ato i realizonim ne, në repartin tonë. Përveç meje si drejtues, kishte edhe disa punëtorë. Tirana kishte disa pika brenda saj ku afishonim ndeshjet e javës në futboll, basketboll e volejboll. Një afishohej te stendat e reklamave pas Komitetit Ekzekutiv, një tjetër te Rruga e Dibrës dhe një te Rruga e Barrikadave, “21 Dhjetori” dhe Tirana e Re.

Në prag të takimit Partizani-Malmo, në shtator të vitit 1980, realizuam një reklamë të madhe dhe e vendosëm në Rrugën e Dibrës, ku në mes ishin dy futbollistë të skuadrave. Ishte e veçantë, aq sa tërhoqi dhe habiti edhe fotografët suedezë që e fotografonin, e filmonin, por këto ishin raste të rralla.

Po në pallate sporti, si realizohej montimi i banerave?

Shfrytëzoheshin zonat dhe hapësirat me sipërfaqe të mëdha, kryesisht pjesët ballore, që shërbenin për ato me përmbajtje politike, por edhe ato nga dilnin sportistët ose ato poshtë vendqëndrimit të spektatorëve. Këto shfrytëzoheshin për parullat sportive. Në pallatin e sportit “Partizani”, kur vinin të huajt, i bënim të reja dhe i montonim në faqet e mureve anësore. Kujtoj gjithashtu se në stadiume, mjedise sportive, pas 1985-ës, pas portave u lejuan të vendoseshin edhe trekëndësha, shoqëruar me shprehje e fraza vetëm me motive sportive.

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.

 

LEXO EDHE: 

“Elektrifikimi i plotë i fshatit”, kur marketingun e bënte vetëm… partia

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"