“Refuzova edhe Luftëtarin”, nuk u federua kurrë me Flamurtarin, mesfushori mendon largimin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 15, 2021 | 10:32

“Refuzova edhe Luftëtarin”, nuk u federua kurrë me Flamurtarin, mesfushori mendon largimin

Të tre lojtarët e ardhur në merkaton e verës dhe të dimrit te Flamurtari nuk u federuan kurrë. Prej borxheve të shumta, klubi nuk mundi t’i regjistronte. Pati nga ata që u dorëzuan dhe larguan, si Stiven Puci. E megjithatë, Alvi Ahmetaj dhe Paulo Rikardo vazhdojnë të stërviten në Vlorë. Gjirokastriti për “Panorama Sport” thotë se, nëse gjërat nuk do të rregullohen, edhe ai do të largohet.

flamurtari

22-vjeçari ndien keqardhje për këtë situatë, ndërsa thotë se pavarësisht ofertave, preferoi të qëndronte në Vlorë me shpresën se gjërat do të rregulloheshin. “Nuk mund të them se po ndihem shumë mirë. Por, gjithsesi nuk demoralizohem pasi i di aftësitë e mia. Nuk do doja të largohesha pas këtij sezoni nga Flamurtari pa dhënë kontributin tim për ekipin. Por, me keqardhje mund të them se, nëse gjërat nuk rregullohen shpejt, normal që do të largohem. Në fakt, kam pasur oferta si në merkaton e verës së kaluar, po ashtu dhe në merkaton e dimrit. Por, dëshira ime ishte të luaja për Flamurtarin. Edhe Luftëtari më kontaktoi. Unë për atë ekip kam një ndjesi të veçantë. Luftëtari është ekipi ku unë u rrita, por me gjithë respektin që kam për bluzinjtë dhe tifozët, mendoj se nuk është momenti i duhur të shkoj aty”, shprehet mesfushori.

FINALET – Alvi Ahmetaj e shikon çdo ndeshje të Flamurtarit si finale. Ai thotë se nga transferta e Cërrikut me Turbinën, ekipi duhet të dalë me fitore. “Për mua do doja shumë që Flamurtari ta shmangte ndeshjen finale të ‘play out’-it, megjithatë kjo mendoj se është e vështirë, por jo e pamundur. Skuadra ka ardhur në rritje. Besoj se do të jetë shumë e luftuar deri në fund. Ndeshja e radhës me Cërrikun dhe jo vetëm, por të gjitha ndeshjet që kanë ngelur për Flamurtarin janë si finale. Do jetë një ndeshje shumë e fortë por në fund trepikëshi i takon Vlorës”, përfundon Ahmetaj.

ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"