“Refuzova disa oferta për Vllazninë”, Shehi: Nuk kemi presion për titullin, objektivi është…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 15, 2021 | 20:42

“Refuzova disa oferta për Vllazninë”, Shehi: Nuk kemi presion për titullin, objektivi është…

Dajan Shehi ishte heroi i Vllaznisë në takimin e së shtunës ndaj Apolonisë. Goli me vlerën e tri pikëve, i shënuar nga Shehi, ka treguar edhe një herë se te Vllaznia niveli i lojtarëve është thuajse i njëjtë. Edhe pse ka pasur pak minuta në dispozicion në këtë sezon, mbrojtësi 23-vjeçar diti ta rrëmbente skenën sapo iu dha rasti. I thirrur në apel nga trajneri Brdariç, Shehi ka ditur ta justifikojë plotësisht besimin e dhënë. Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport” pas ndeshjes, Shehi foli për ndjesinë e golit dhe fitores, konkurrencën në ekip, presionin dhe objektivat e skuadrës, si dhe tregoi edhe për vendimin e marrë për të vijuar punën me Vllazninë, pavarësisht ofertave të mbërritura në merkaton e janarit.

dajan shehi

Sapo ju është dhënë mundësia, treguat vlerat jo vetëm në mbrojtje, por edhe në sulm ku shënuat golin e fitores. Si ndihet Shehi pas suksesit?

Jam shumë i kënaqur, natyrisht që shënova ndaj Apolonisë, por më tepër ishte një gol me vlerë trepikëshi. Kam pritur me padurim momentin e golit, pasi vija nga një pauzë e madhe, pasi jam stërvitur fort dhe jam i lumtur.

Keni pranuar edhe stolin te Vllaznia…

Adili dhe Imami kanë bërë një paraqitje të mirë dhe kjo ka sjellë që edhe konkurrenca në ekip të jetë e madhe. Ky është viti im i dytë te Vllaznia dhe ndihem jashtëzakonisht mirë.

Në janar keni pasur disa oferta. Pse zgjodhët të rrini në Shkodër?

Po, është e vërtetë që kam pasur oferta nga skuadra të mira, por zgjodha të vijoj punën te Vllaznia dhe e thashë, ndihem shumë mirë. Kam besimin se do të kem hapësirën time dhe të bëj natyrisht më të mirën për ekipin. Te Vllaznia është një grup i mirë lojtarësh.

Do të kërkoni më shumë minuta?

Normalisht që po, por është në dorën e trajnerit. Ndërsa unë do të kërkoj që të rris sa më shumë paraqitjen time dhe të jem i gatshëm kur të më kërkohet nga stafi.

Një ndeshje tjetër e vështirë ju pret, ndaj Skënderbeut, në transfertë…

Do të jetë një ndeshje tjetër e vështirë dhe e fortë, por ne, si në çdo takim edhe në atë përballje do të shkojmë për të kërkuar maksimumin.

Prisni që të jetë ky viti i Vllaznisë?

Ky vit shpresoj të jetë i duhuri, ka ardhur një donator që është korrekt dhe shpresoj të bëjmë më të mirën dhe të ruajmë këtë vend në të cilin jemi. Megjithatë, dua të them se objektivi janë Kupat e Europës. Kontigjentin e kemi dhe paraqitjet e mira i kemi bërë, pse jo, mos të pretendojmë për titull kampion. Ka skuadra të mira si Partizani dhe Laçi, por edhe ne jemi gati për një gjë të tillë. Megjithatë, duhet që ndeshjet t’i marrim një e nga një.

vllaznia

Mos ndoshta paraqitja me luhatje në këto takimet e fundit ka ardhur si shkak i rritjes së presionit ndaj jush për titull?

Te ne nuk ka presion për titull. Drejtuesit na e kanë shprehur se objektivi është pjesëmarrja në Kupat e Europës. Por, ne jemi në rrugën e duhur, si për objektivin minimal, Kupat e Europës, por edhe për atë maksimal, për titull.

Pse Vllaznia tërhiqet, siç bëri në përballjen ndaj Apolonisë në momentet e fundit, ku edhe mund të ndëshkohej?

Ne në këtë takim vinim pas një minikrize në tri ndeshjet e shkuara ku na mungonte fitorja. Na duhej medoemos fitorja ndaj Apolonisë dhe kjo mund të them se ishte edhe arsyeja.

ADMIR URUÇI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"