Refuzon ofertat nga Superiorja, futbollisti i Flamurtarit nuk largohet nga vlonjatët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 9, 2020 | 23:12

Refuzon ofertat nga Superiorja, futbollisti i Flamurtarit nuk largohet nga vlonjatët

Shpëtim Moçka do të jetë portieri i Flamurtarit edhe në Kategorinë e Parë. Ende nuk ka diçka zyrtare, por sakrifica e vlonjatit për të djegur të gjitha ofertat nga klubet e Superiores të çon drejt faktit se ai ka vendosur të qëndrojë. “Panorama Sport” mëson se Moçka u ka thënë “jo” klubeve që e kanë kërkuar, mes tyre Kukësit dhe Laçit.
Mocka Flamurtari
Ai pritet të luajë në Vlorë edhe sezonin që vjen. Burime pranë lojtarit konfirmojnë për gazetën se dëshira e portierit është të vazhdojë me Flamurtarin. Pritet një takim i fundit me administratorin Sinan Idrizi për të vulosur gjithçka. I vetmi kusht i Moçkës është që të likuidohet për detyrimet e prapambetura.
RIBAJ
E njëjta situatë është edhe me sulmuesin Andi Ribaj, që pret takimin e fundit me Idrizin. Nëse ata do të paguhen për detyrimet që kërkojnë, do të dalin menjëherë në stërvitje.

STAFI TEKNIK – Kompletohet stafi teknik i vlonjatëve. Zëvendëstrajneri i ri i Flamurtarit do të jetë Bledjon Guga. 34-vjeçari do të jetë ndihmës i trajnerit Dritan Resuli, ai ka luajtur me Flamurtarin për një kohë relativisht të gjatë, në periudhën 2003-2007. Guga ka luajtur edhe me Bylisin, Himarën, Vlorën e Dinamon, por ka pasur një eksperiencë edhe në Maltë. Bledjon Guga ka qenë zgjedhje e vetë trajnerit Resuli, i cili e ka pasur bashkëpunëtor te moshat. Ndërkaq, Luan Birçe është konfirmuar si përgatitës i portierëve.

STAFI MJEKËSOR – Ndryshime pritet të ketë edhe në stafin mjekësor. “Panorama Sport” mëson se drejtuesit e klubit duan të rikthejnë Ardian Llukën, i larguar dy sezone më parë nga Flamurtari.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"