Refuzoi të ndeshej me izraelitin, pezullohet 10 vite xhudisti algjerian

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 15, 2021 | 10:04

Refuzoi të ndeshej me izraelitin, pezullohet 10 vite xhudisti algjerian

Lojërat Olimpike “Tokio 2020” nuk mundën të qëndronin jashtë çështjeve politike, teksa protagonist u bë xhudisti algjerian Feti Nurin. Ky i fundit, siç dihet, refuzoi të përballej me kundërshtarin izraelit, Tohar Butbul. Por ky veprim i ka kushtuar rëndë algjerianit, pasi ai dhe trajneri i tij janë pezulluar me plot 10 vite nga Federata Ndërkombëtare e Xhudos, për tërheqjen nga Olimpiada.

Xhudisti

Nurin duhet të përballej me Mohamed Abdalrasool të Sudanit në duelin e parë në kategorinë deri 73 kilogramë. Me fitore ai do të sfidonte rivalin izraelit në raundin tjetër. Nurin kishte deklaruar se përkrahja e tij politike ndaj kauzës palestineze e ka bërë të pamundur që të garojë ndaj Butbulit.

Ndërkohë, Komiteti Olimpik i Algjerisë anuloi akreditimin për Nurin dhe trajnerin e tij, Amar Benikhlef, duke i kthyer menjëherë në atdhe. Ndërsa IJF-ja pezulloi përkohësisht sportistin dhe trajnerin, me motivacionin se dyshja kishte shfrytëzuar Lojërat “si platformë për të protestuar dhe për të promovuar propagandë politike apo religjioze”, që është në kundërshti me kodin e etikës së IJF-së dhe kartën olimpike. Por, së fundi ka ardhur edhe dora e hekurt, që e ndalon xhudistin të marrë pjesë në eventet e IFJ-së deri më 23 korrik të vitit 2031.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"