Refuzoi stolin, Lena largohet nga Flamurtari, vendin ia zë Nexhipi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 15, 2015 | 9:24

Refuzoi stolin, Lena largohet nga Flamurtari, vendin ia zë Nexhipi

lena123Nijas Lena largohet nga Flamurtari. Pas pesë sezonesh, shqiptari nga Maqedonia i ka dhënë fund aventurës me vlonjatët. Edhe pse u thërrit në grumbullim dhe zhvilloi fazën përgatitore në Slloveni me ekipin, kthimi në Vlorë është shoqëruar me “divorcin” e parakohshëm. Lena nuk ka pranuar që të jetë alternativë e për këtë motiv vendosi që të largohej. I kontaktuar nga “Panorama Sport”, dy ditë më parë, Lena e justifikoi mungesën në stërvitje me një dëmtim, ndërsa dje ka zbuluar se nuk do të jetë më pjesë e Flamurtarit. Mesfushori ka theksuar se e ka marrë tashmë vendimin e tij, ndërsa pret që të takojë administratorin Idrizi.

Konfirmimi “Me keqardhje e them se nuk do të jem më pjesë e Flamurtarit. E kam marrë personalisht këtë vendim, pasi dëshiroj që të ndryshoj ambient. Vendimin për t’u larguar e kam marrë, por do të pres të takohem me administratorin Idrizi, sapo të kthehet në Vlorë. Uroj që këtë vit ata të marrin edhe titullin e shumëkërkuar. Dua të falënderoj presidentët me të cilët kam punuar, nga Shpëtim Gjika e deri te Sinan Idrizi. Të gjithë qytetarët e Vlorës dhe të gjithë ata që më kanë mbështetur, në të mirë e në momente të vështira. Nuk ishte e lehtë të merrja këtë vendim dhe të largohesha nga Flamurtari pas rreth 6 vitesh. Këtë vendim ua komunikova drejtuesve të klubit, trajnerit dhe shokëve të skuadrës. Ishte momenti që të ndryshoja ambient e të provoj një tjetër eksperiencë. Flamurtarit i uroj një sezon të mbarë dhe do Zoti me trofe”, shprehet Lena.

Rastësia Lena largohet pasi refuzoi stolin dhe gjasat janë që vendin e tij ta zërë një tjetër shqiptar nga Maqedonia, konkretisht Nderim Nexhipi. Rastësia bën që Lena të ketë të njëjtin fat si Nexhipi, sepse edhe ky i fundit iku nga Partizani, pasi nuk pranoi që të rrinte në stol.

Kontrata Lena ka një kontratë edhe për një vit me Flamurtarin. Mundësitë janë që kontrata të zgjidhet në mënyrë konsensuale, por, gjithsesi, mesfushori mund t’i paguajë klubit një dëmshpërblim financiar. Nuk dihet ende se sa do të jetë kjo shumë, por klubi ka një klauzolë të përcaktuar edhe në kontratën e nënshkruar nga palët, ku, nëse lojtari e ndërpret vetë kontratën, duhet të dëmshpërblejë klubin. Të njëjtën gjë bëri edhe Abilaliaj, i cili shkoi te Skënderbeu. “Nuk mund të them për momentin asgjë për këtë çështje”, ishin këto fjalët e lojtarit për çështjen e prishjes së kontratës.

E ardhmja Gjasat janë që Nijas Lena të vijojë karrierën e tij në Shqipëri. Disa klube të Superiores kanë shfaqur edhe më parë interesim për të. Menjëherë pas “divorcit” nga Flamurtari, interes për të ka shfaqur Kukësi. Mirëpo, alternativa për të janë edhe Tirana, Partizani e Skënderbeu. Nëse nuk zgjedh qëndrimin në Shqipëri, mundësitë janë që Lena të vijojë karrierën e tij në Maqedoni, dhe gjasat më të shumta te Shkëndija e Tetovës. I pyetur nga gazeta për destinacionin e mundshëm, mesfushori tha: “Nuk ka ende asgjë konkrete”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"