Refuzoi Flamurtarin për Laçin, Mezani: I përshtatet karakterit tim agresiv!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 27, 2017 | 10:37

Refuzoi Flamurtarin për Laçin, Mezani: I përshtatet karakterit tim agresiv!

Ndodhi ajo që ishte paralajmëruar. Stavri Nica nuk është më trajner i Laçit dhe kur nuk kaluan as 24 orë nga dorëheqja e durrsakut, klubi kurbinas zyrtarizoi në pankinë vlonjatin Gentjan Mezani. Nga dje, ky i fundit është në krye të kurbinasve. Ish-trajneri i Flamurtarit ka marrë zyrtarisht drejtimin e ekipit të ri, duke u prezantuar të martën në seancën e parë stërvitore me Laçin në Kamzë.

Mezani

Ai do të debutojë pikërisht sot në pankinë, në ndeshjen e Kupës së Shqipërisë kundër Sopotit, që luhet në Kamzë, në orën 15:30. Në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport”, Mezani zbulon arsyen se përse pranoi ofertën e bërë nga presidenti Pashk Laska.

“Eksperiencë e re, djem të rinj. Mendoj që Laçi është një ekip me karakterin tim, agresiv. Duke njohur edhe historikun e Laçit, ishte diçka që më pëlqeu. Në këto tri javë kampionat, Laçi ka zhvilluar ndeshje shumë të mira dhe ka shfaqur atë që duhet, edhe pse nuk ka marrë pikët që duhet të merrte. Ka zhvilluar futboll të mirë, edhe pse është me djem të rinj në organikë”, u shpreh Mezani.

Trajneri vlonjat ndalet edhe tek objektivi, ndërsa rrëfen se gjithnjë vëmendja do të jetë te takimi i radhës. “Objektivin do ta vendosim me presidentin. Normalisht që kemi bërë një bisedë paraprake. Unë mendoj që objektivi duhet të jetë gjithmonë te ndeshja e radhës”, thekson vlonjati.

OFERTA NGA KOSOVA

Mezani mund të ishte trajner i Flamurtarit të Prishtinës, por në momentet e fundit u tundua dhe zgjodhi ofertën e bardhezinjve. Vetë trajneri pranon se zgjodhi Laçin për shkak se është pranë familjes dhe mentalitetit të tij.

“Mendoj se bëra një zgjedhje duke qenë më afër familjes sime. Kjo ishte arsyeja e parë. Arsyeja e dytë është ajo që thashë pak më parë që Laçi i përshtatet pak më shumë karakterit tim. Dua që të falënderoj edhe skuadrën e Flamurtarit të Prishtinës për interesimin që patën për mua. Kjo është diçka për t’i respektuar. Por, për momentin, unë kam bërë zgjedhjen e duhur për vazhdimësinë dhe karrierën time”, tha tekniku i sapoemëruar në krye të kurbinasve.

E SHKUARA

Por trajneri Mezani ia faturon suksesin e arritur deri më tani Flamurtarit.

“Flamurtari ishte hapi i parë i karrierës sime. Natyrisht që ky klub më dha mundësinë që të dilja në treg dhe unë mendoj se bëra mirë për aq kohë sa qëndrova. Të dy palët kemi fituar shumë nga ky bashkëpunim. Në kohën time Flamurtari mori shumë pikë që ndihmuan për qëndrimin në Superligë, pasi ai ishte objektivi. Por edhe unë fitova pasi më dha mundësinë që të dilja në treg dhe sot të kisha këto oferta. Falënderoj presidentin Idrizi dhe i uroj suksese Flamurtarit”, përfundon Mezani.

ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"