Reformë edhe për akademinë e klubit të Kategorisë së Parë, priten ndryshime trajnerësh

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 15, 2020 | 21:54

Reformë edhe për akademinë e klubit të Kategorisë së Parë, priten ndryshime trajnerësh

Tomori i sezonit 2020-2021 do të marrë jetë prej të hënës. Në fillimjavë është përcaktuar që të zyrtarizohet stafi i ri teknik dhe të shpalosen objektivat. Ndryshime nuk do të pësojë vetëm ekipi i parë, por edhe drejtuesit e ekipeve zinxhir, performanca e të cilëve ka qenë e dobët.

tomori

Përjashtim bën vetëm ekipi U-17 i drejtuar nga Klodian Arbëri. Ekipet U-15 dhe ai U-19, si kurrë më parë kanë pasur rezultatet më negative në gjithë historinë e klubit beratas dhe janë rrëzuar në ligat amatore. Ndryshimi me themel i stafeve drejtuese do të synojë hapjen e një cikli të ri te moshat, që do të përmirësohen dukshëm në mënyrën e organizimit dhe funksionimit.

Prej këtyre ekipeve, në vite kanë dalë me dhjetëra talente, që janë bërë të njohura jo vetëm në radhët e Tomorit, por edhe në klube shqiptare e të huaja. Sezonin e ardhshëm, disa elementë cilësorë të dalë nga shkolla e futbollit beratas do të konkurrojnë për të tjera ngjyra si Oshafi, që do të aktivizohet me Teutën, ndërsa Zogaj, Kumani dhe Sharavolli do të jenë pjesë e Apolonisë. Këta futbollistë janë dëshmia e qartë se puna e zhvilluar disa vite më parë, ka qenë më efektive.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"