Reflekton Bushiç: Arbitrat bënë mëkat, por gabuam edhe ne

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 17, 2018 | 10:19

Reflekton Bushiç: Arbitrat bënë mëkat, por gabuam edhe ne

Për Tomislav Bushiç, ndeshja me Partizanin do të jetë si një derbi. Në një prononcim të dhënë dje për “Panorama Sport”, kapiteni Bushiç thekson se Flamurtari vjen pa presion në këtë ndeshje. Sipas kroatit, përballë Partizanit duhet të luhet për të kënaqur tifozët. Sulmuesi thotë se së bashku me drejtuesit dhe futbollistët është i mërzitur që objektivi sezonal, Kupat e Europës, me shumë mundësi nuk do të arrihet.

bushic belica
Bushiç është i bindur për vështirësitë e këtyre dy ndeshjeve të fundit që vendosin edhe fatet e kampionatit për shkak se Flamurtari luan përballë dy kundërshtarëve të vështirë, siç janë Partizani dhe Kukësi. “Kemi një derbi me Partizanin. Jemi pa presion dhe duhet të luajmë në ndeshje të mirë të gjithë bashkë për kënaqësi për tifozët tanë. Kishim objektivin për në Europë, tani qëndruam edhe në Superiore. Nuk kemi çfarë të bëjmë. Janë vështirësuar gjërat për Europë. Jemi të mërzitur për këtë gjë. Duhet të fitojmë me Partizanin dhe pastaj shkojmë në Kukës. Por, Partizani do të luajë me Kamzën… Gjithsesi, tani duhet të shikojmë para për të fituar me Partizanin dhe të marrim tri pikët”, tha fillimisht Bushiç.

SITUATA

Kapiteni i Flamurtarit, Tomislav Bushiç, thekson se objektivi i ekipit nuk u arrit për shkak të disa arsyeve. Bushiç pohon se te rezultatet negative të Flamurtarit kanë ndikuar edhe gjyqtarët me vendimet e tyre kundër Flamurtarit. Por, kapiteni nënvizon se gjatë kampionatit kanë gabuar edhe futbollistët. “Për këtë sezon objektivi ishte Europa. Por, gjërat janë të vështira për arritjen e këtij objektivi. Nuk kapëm Europën dhe të gjithë jemi të mërzitur që nga drejtuesit, futbollistët dhe tifozët. Nuk di ç’të them, është futboll, nuk ke çfarë të bësh. Kemi pasur shumë probleme me arbitrat gjatë gjithë sezonit. Po ashtu kemi pasur edhe gabime individuale ne si futbollistë. I gjithë ekipi ka bërë gabime. Kemi qenë në krizë. Por, nuk kemi çfarë të bëjmë, duhet të shikojmë përpara. Është futboll, është vetëm një lojë dhe duhet ta pranojmë”, deklaroi sulmuesi kroat i Flamurtarit.
Bushic
E ARDHMJA

Kapitenit Tomislav Bushiç i përfundon kontrata në fund të këtij sezoni. Sulmuesi thotë se për të ardhmen do të diskutojë me drejtuesit pas përfundimit të sezonit. Por, Bushiç nuk e fsheh dëshirën për të qëndruar te Flamurtari. “Mua më përfundon kontrata dhe do të ulem me drejtuesit që të flasim për të ardhmen. Unë këtu dua klubin, ekipin, qytetin, tifozët të gjithë. Të shikojmë se çfarë do të ndodhë deri në fund”, përfundon kapiteni i kuqezinjve. Ermal Sika

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"